E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria dhe PS-ja, llogari bankare në ndihmë të të përmbyturve

Në të gjitha llogaritë bankare në të cilat kryhen shërbimet e buxhetit të shtetit, përfshirë edhe dy llogari të veçanta që ka hapur opozita, janë në dispozicion të shtetasve shqiptarë ose të huaj për të kontribuuar financiarisht në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura. Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave njoftuan dje se “çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, që dëshiron të kontribuojë financiarisht për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve në qarqet Shkodër dhe Lezhë, mund të derdhë kontributin përkatës në llogarinë speciale të çelur në të gjitha bankat e nivelit të dytë që kryejnë shërbime ndaj buxhetit të shtetit, me emërtimin ‘Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë’. Sipas tij, kontributi mund të derdhet në lekë, euro ose dollarë”.
Të njëjtën nismë ka ndërmarrë edhe Partia Socialiste. Ajo i fton mbështetësit e saj, por edhe të gjithë shtetasit shqiptarë që të japin ndihmën e tyre në këtë katastrofë. Sipas njoftimit zyrtar të selisë rozë, PS-ja ka vënë në dispozicion dy llogari bankare në dispozicion të çdokujt që dëshiron të japë kontributin e tij sado modest. Banka Credins, numri i llogarisë – AL37 2121 1016 0000 0000 0020 4700; BKT, numri i llogarisë- 401 328 520. PS-ja u bëri thirrje edhe drejtuesve të bashkive dhe komunave të vendit që drejtohen nga kjo forcë politike që të angazhohen për t’u ardhur në ndihmë zonave veriore që ndodhen nën ujë. Dy ditë më parë edhe organizatat e biznesit i bën apel komunitetit të biznesit që të japin kontributin e tyre për banorët e zonave të Veriut që janë përmbytur gjatë ditëve të fundit. Edhe institucioni i prefektit të qarkut Shkodër njofton të gjitha institucionet e ndryshme, shoqatat dhe individët që dëshirojnë të kontribuojnë për të ndihmuar në zonat e përmbytura në Shkodër, se në degën e BKT-së Shkodër është çelur llogaria bankare me numër: 410328492.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›