Shemben shtyllat e tensionit, 100 familje pa energji
08/01/2010 Gërryerjet e Shkumbinit
PEQIN- Shemben shtyllat, pa energji 100 familje në Peqin. Prurjet e shumta të lumit Shkumbin gjatë ditëve të fundit kanë marrë tri shtylla në zonën e Peqinit, duke shkaktuar mjaft probleme për banorët, një pjesë e të cilëve kanë mbetur pa energji elektrike. Burime të nënprefekturës së Peqinit bënë të ditur se prej tri ditësh nuk furnizohen me energji rreth 100 familje. Gërryerja e dheut ka bërë që të shembet shtylla që furnizon fshatin Gjocaj. Një pjesë e kësaj zone merr energji nga Rrogozhina, ndërsa një pjesë mbetet në errësirë. Banorët dhe drejtuesit e pushtetit lokal kanë njoftuar OSSH-në, por deri tani askush nuk është paraqitur për riparimin e rrjetit. Ata shprehen se kanë tri ditë që nuk marrin energji elektrike dhe janë në pritje që specialistët të zëvendësojnë shtyllat dhe të riparojnë rrjetin për të kthyer dritat në shtëpitë e tyre. Një situatë e tillë është edhe në disa fshatra që ndodhen në anën tjetër të Shkumbinit. Ndërkohë tri fshatra mbi Peqin janë të bllokuara për kalimin e mjeteve për shkak të shembjes rreth 100 metra rrugë, ku rrezikohen edhe tri shtëpi.