Prifti: Digat të sigurta, shqiptarët të mos shqetësohen
08/01/2010 Sipas ministrit Prifti, me rregullore janë përcaktuar disa nivele kritike
Ministri i Ekonomisë ka garantuar shqiptarët për sigurinë e digave dhe hidrocentraleve në vend. Gjatë një takimi me ekspertët italianë ministri Dritan Prifti ka theksuar se: “Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u vjen asnjë problem dhe rrezik madhor nga digat dhe hidrocentralet tona. Kemi kërkuar nga qeveria italiane një mbështetje me aparaturat satelitore për të parashikuar prurjet që vijnë në kaskadën e Drinit në ditët që vijnë”, - tha Prifti. Këta ekspertë do të jenë më shumë certifikues dhe këshilltarë të menaxhimit të situatës, pasi është përpiluar një plan ndihme. “Mesazhi që unë duhet të japë është falënderimi për qeverinë italiane dhe që shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar. Ne do të vazhdojmë shkarkimet e disiplinuara për të ruajtur sigurinë dhe garantimin e digave tona”, - nënvizoi Prifti. Situata kontrollohet në çdo moment, sipas ministrit, dhe po punohet me kapacitet të plotë. Gjithçka është bërë në përputhje me rregulloren e miratuar, e cila është një studim i plotë i gjendjes së digave. “Ne kemi me rregullore disa nivele kritike për të cilat jemi të detyruar të vazhdojmë të bëjmë shkarkime për të garantuar një siguri më të madhe, pra për të garantuar siguri kombëtare. Në nenin 4 të rregullores së shkarkimit të plotave në hidrocentralet Fierzë-Koman dhe Vaut të Dejës, e cila është miratuar në janar të vitit 1988 dhe është në fuqi theksohet se “niveli i liqenit për periudhën 1 prill - 1 tetor është në kuotën 295 metra absolute - 296 metra relative. Për periudhën 1 tetor- 1 mars niveli parashikohet në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative me qëllim që përmbytjet në zonën e Shkodrës të bëhen diçka më të rralla dhe më të vogla”. Kjo rregullore e parashikon qartë nivelin, i cili është 290 metra dhe parashikon që edhe përmbytjet janë të parashikuara”, - nënvizoi Prifti. Sipas tij, në këto kushte janë shtuar niveli i prodhimit të energjisë elektrike, i cili ka kapur kufijtë maksimalë, ashtu si janë shtuar edhe shkarkimet nga digat.
Të dhënat e KESH-it
Në kaskadat e hidrocentraleve, sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, prurjet kanë vijuar me një intensitet më të lartë për shkak të shkrirjes së dëborës. Në Fierzë deri në mesditën e djeshme prurjet kanë qenë 1 650 m3/sek, në Koman ato kanë arritur në kuotën e 940 m3/sek dhe në Vaun e Dejës prurjet kanë qenë 300 m3/sek. Niveli i ujit në hidrocentralet e Komanit, Vaut të Dejës dhe në Fierzë ka arritur kuotën maksimale, përkatësisht 174.5 metra, 75.4 metra dhe 289.34 metra. Sa i takon shkarkimeve, në Fierzë ato kanë qenë nga porta 650 metër kub në sekondë dhe 500 metër kub në sekondë nga turbinat. Nga Komani derdhjet nga tuneli i shkarkimit janë 150 metër kub dhe 500 nga puna e turbinave. Nga Vau i Dejës derdhja është 1 700 metër kub në sekondë dhe 560 nga turbinat, pra është 1 260 metër kub në sekondë.