Berisha: Dita më historike pas 28 Nëntorit
BLEDAR HOTI
Kuvendi miraton me unanimitet paketën ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Seanca e djeshme parlamentare është cilësuar si historike nga e gjithë klasa politike shqiptare, duke bërë që 5 projektligjet për procesin e anëtarësimit të miratohen me 108 vota pro. Selia e Kuvendit ishte transformuar, që në hyrje të saj të binte në sy tabelat me flamurin e NATO-s dhe atë të Shqipërisë. Në hyrjen e derës kryesore ishin rreshtuar flamujt e 26 vendeve anëtare të NATO-s. Në krah të tyre ishin dhe flamujt e dy shtete që pritet të bëhen anëtare të NATO-s, të Shqipërisë dhe Kroacisë. Përkrah stemës së Kuvendit, në krah qëndronin dy flamuj gjigandë të NATO-s dhe ai shqiptar. Salla e brendshme ishte kthyer e gjitha në blu, në tavolinat ku ulen ministrat dhe te vendi i kryeparlamentares, si dhe podiumin ku flasin deputetët dalloheshin banerat me ngjyrat e flamurit NATO-s, dhe me mbishkrimin “Unë në NATO” dhe “Shqipëria në NATO”. Ngjyrës blu në këtë ditë të veçantë, nuk i kishte shpëtuar as kryetares së grupit të PS-së, Valentina Leskajt në veshjen e saj. Përpara nisjes së seancës, çdo deputeti i është dhuruar një trëndafil me ngjyrë blu, me mbishkrimin në kartë “Shqipëria në NATO”.
Deklaratat
Kryetarja e Kuvendit, Topalli deklaroi se “ne i falënderojmë vendet e NATO-s që në qeveritë, parlamentet e senatet e tyre, votuan për ne, votuan rezultatet e reformave që ne kemi bërë, votuan një Shqipëri që në këto vite është transformuar në mënyrë marramendëse. Ata na besuan ne që të përballemi në krah të SHBA, Evropës, Kanadasë, me sfidat e këtij shekulli”. Kryeministri Sali Berisha në diskutimin e tij tha se “në këtë seancë parlamentare ne votojmë aktin më historik, më solemn, më të rëndësishëm të të gjithë historisë sonë kombëtare, që pas shpalljes së Pavarësisë”. “Sot, ne, me votën tonë firmosim fundin e tranzicionit të Shqipërisë, firmosim nisjen e një epoke të re për këtë vend, epokë në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë, sot e përjetë”, deklaroi Berisha. Kryeministri theksoi se “një mirënjohje të jashtëzakonshme dua t’i shpreh sot qeverisë së SHBA dhe Presidenti Xhorxh W. Bush. Ky mik i madh i kombit shqiptar, në qershor të vitit 2007 solli në Tiranë mesazhet e mëdha dhe historike të kombit të madh amerikan; Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO”. “Unë dhe shumë nga ju këtu i përkasim asaj gjenerate, e cila për dekada të tëra nuk ka mundur as të ëndërrojë dhe të imagjinojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Duke qenë protagonist i atyre viteve, unë pata rastin të jem i pari nga opozitarët e vendeve ish komuniste që të kërkoj anëtarësimin e vendit tim në NATO”, tha Berisha. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, në diskutimin saj deklaroi se “një ndihmë jo të vogël ka dhënë edhe PS-ja në realizimin e reformave që e afruan Shqipërinë me NATO-n”. “Si përfaqësues të PS, ne jemi krenarë për kontributin që kemi dhënë në këtë proces e që lidhet me: Ringritjen e ushtrisë pas ngjarjeve të rënda të vitit ‘97, duke mundësuar që Shqipëria të bëhet ndër vendet e para që ju bashkuan koalicionit antiterror me dërgimin e trupave në Afganistan e Irak, me pjesëmarrjen në Nismën e Adriatik 3, në vitin 2003”, tha Leskaj. Ajo shtoi se “zgjedhjet janë prova serioze e pas samitit të NATO-s. Së fundi, në emër të Grupit të PS, dua të konfirmoj angazhimin tonë serioz, me ardhjen në Qeverisje pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për reforma të thella e të qëndrueshme, që Shqipëria të jetë në nivelin dhe dinjitetin e përgjegjësive që ka një vend anëtar i NATO-s”. Ndërsa Topalli replikoi duke iu drejtuar se “garën e NATO-s e fituam, do të fitojmë dhe garën për zgjedhje të lira”. Kreu i grupit të LSI-së, Pëllumb Xhufi tha se “në emër të grupit se do të përgëzoja të gjithë ata që janë protagonistë të këtij procesit. Aleatët tanë të mëdhenj, duke filluar nga SHBA”.