E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: Aplikoni brenda qershorit

 

Ambasadorja e Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, deklaroi dje në Vlorë se Shqipëria duhet të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit brenda qershorit. “Shqipëria duhet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, brenda presidencës çeke”, tha Fialkova gjatë një bashkëbisedimi që zhvilloi me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali”, teksa vuri në dukje se vendi i saj mbështet plotësisht politikën e zgjerimit të BE-së dhe vetë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit. Ajo vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim, ndërkohë që shtoi se “vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektiva e tyre evropiane përbëjnë një nga prioritetet e Çekisë, në presidencën e saj”. Në bashkëbisedimin që zhvilloi me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Vlorës, ambasadorja e Çekisë në Tiranë vlerësoi gjithashtu nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke veçuar privatizimin e OSSH-së nga kompania çeke “Cez”, si dëshmi të nivelit të tyre. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›