E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ditë e madhe europiane e Shqipërisë

Në takimin e zhvilluar të mërkurën pasdite në selinë e Këshillit të Ministrave ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe Drejtorit për Europën Juglindore dhe kryenegociatorit të KE-së për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Z. Reinhard Priebe, kryeministri u shpreh se dita e sotme është dita e madhe europiane e Shqipërisë.

Shqipëria, vijoi kryeministri, do të punojë me vendosmëri dhe seriozitet të madh për të implementuar me përpikmëri gjithçka që parashikon MSA-ja e sapo sigluar.

Z.Priebe u shpreh se kjo është me të vërtetë dita e madhe europiane e Shqipërisë. Ngjarja e sotme tha z. Priebe shënon një kapituill të ri marrëdhëniesh të ngushta dhe tashmë kontraktuale mes BE-së dhe Shqipërisë, por edhe një epokë te re pune të perbashket që do të kërkojë përpjekje të mëdha për të realizuar qëllimin final të përbashkët, integrimin e Shqipërisë në BE.
Z Priebe i shpjegoi kryeministrit hapat e mëtejshëm pas siglimit të sotëm duke iu referuar edhe vizitës së presidentit të KE-së, Barroso dhe Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, në Shqipëri javën që vjen.

Kryeministri i paraqiti z. Priebe punën e bërë nga qeveria për realizimin e prioriteteve më të rëndësishme të programit të qeverisjes dhe kërkesave të procesit të stabilizim-asociimit, si dhe arritjet e këtyre kater muajve të parë të qeverisjes siç jane lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konfliktit të interesave, shkurtimit të abuzimeve në administratë si dhe rivendosjen e shtetit ligjor.

Të dy personalitetet përshëndetën edhe hapjen e negociatave për statusin e Kosovës dhe e vleresuan atë si një nga ngjarjet më të rëndesishme të këtij viti për rajonin.

Z.Priebe përshëndeti siglimin e MSA-së si një ngjarje të madhe, përgëzoi kryeministrin duke vlerësuar punën e bërë në vend për mbajtjen e angazhimeve si dhe përmbushjen e kërkesave të MSA-së, dhe theksoi se periudha që vjen pas kësaj do të jetë një periudhë e një pune akoma edhe më intensive ku bashkëpunimi midis Shqipërisë edhe BE-së do të ngrihet në një nivel akoma më të lartë duke i hapur rrugën integrimit të mëtejshëm të vendit në BE.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›