E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ibrahim Kodra është kolos i kubizmit në Europë

- Këshilli i Ministrave mban një minutë heshtje në nderim të piktorit të shquar shqiptar

Këshilli i Ministrave mbajti të mërkurën një minutë heshtje në nderim të figurës së Ibrahim Kodrës, piktorit të shquar shqiptar, i cili u nda dje nga jeta në një spital të Milanos (Itali).

Në fillim të mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi figurën e Ibrahim Kodrës, këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare si "kolos të kubizmit në Europë".

"Ibrahim Kodra ishte një gjeni në pikturë, një nga piktorët më të mëdhenj të shekullit që kaloi në Itali, vend në të cilin ai shkoi fëmijë dhe arriti të zhvillojë dhe shpalosë të gjithë gjeninë e tij krijuese. Ai ruajti për vendin e tij, atë mall, atë dashuri, atë respekt me të cilin ai u largua nga Shqipëria", tha z.Berisha.

Një komision qeveritar, i kryesuar nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, do të ngrihet për të organizuar ceremoninë mortore të z.Kodra, ku do të bëhen të gjitha nderimet për këtë figurë të shquar të kulturës shqiptare.

Piktori Ibrahim Kodra është nderuar me Urdhërin "Nderi i Kombit" në vitin 1995.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›