E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të kompletohet sa më shpejt reforma në institucionet kërkimore shkencore

Kryeministri Sali Berisha kërkoi të mërkurën, gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave, që reforma në institucionet e ndërvarura nga ministritë dhe Akademia e Shkencave, institucione këto në tërësi kërkimore shkencore, të kompletohet sa më shpejt.

"Dua të theksoj se kjo reformë është një domosdoshmëri shumë e thellë për arsye se në rast se ka diçka tërësisht të anemizuar, tërësisht të mekur, është kërkimi shkencor. Kërkimi shkencor sot në Shqipëri është jashtëzakonisht rudimentar. Unë nuk pretendoj që Shqipëria në kushtet e saj të ketë ndonjë kulm, por Shqipëria është e detyruar, që të inkurajojë, të mbështesë shkencën, aplikimin, kërkimin, si një kusht themelor për t'u zhvilluar dhe integruar siç i takon në BE", tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri bëri të ditur se analiza e grupit të punës, i cili po punon prej dy muajsh për këtë reformë, konstaton se janë 38 institucione jashtë universitare kërkimore-shkencore me një personel prej 2240 punonjësish, me një buxhet total 16 milion dollarë, por që vetëm 10 përqind e tij përdoret për kërkimin shkencor. Në këto 38 institucione kërkimore-shkencore, një përqindje e madhe e tyre kanë zero studime shkencore të kryera, kanë të kryera shërbime të ndryshme të çmuara, por asnjë kërkim të mirfilltë shkencor. Nga këta 2240 punonjës vetëm 632 janë pretendues se kanë kurrikulën për të bërë shkencë.

"Kjo është një ndarje pothuajse me thikë e shkencës dhe mësimdhënies, në një kohë që sot në Europë dhe kudo në botë ato janë pazgjidhshmërisht të lidhura. Ndaj dhe studimi i grupit të punës zoti zv.kryeministër, pas diskutimeve me faktorët e interesuar, duhet me shpejtësi të shndërrohet në të gjithë bazën e nevojshme ligjore dhe nënligjore në mënyrë që shkenca në Shqipëri të marrë mbështetjen e fuqishme të qeverisë, të marrë mbështetjen që i intereson", tha z.Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri vlerësoi se është e rëndësishme që studiuesit e rinj të gjejnë mbështetjen e nevojshme. Është e rëndësishme të respektohet hierarkia, por në asnjë rrethanë të mos bllokohen të rinjtë për të marrë gradat, titujt, shkencorë mbi bazën e meritës së tyre.

"Kjo është një reformë që pritet me shumë interes, është një reformë vendimtare për të rivitalizuar kërkimin shkencor, është një reformë natyrisht për të nxjerrë këtë kërkim nga situata e pashpresë në të cilën është zhytur gjatë këtyre viteve. Unë e kuptoj se do të ngjallë diskutime reforma, por një gjë është e sigurtë, asnjë njeri nuk është penguar në Shqipëri të bëjë reformë. Në këtë kontekst drejtuesit e këtyre institucioneve duhet të ndiejnë një farë përgjegjësie për situatën e krijuar të papranueshme në këto 38 institucione kërkimore-shkencore, nga të cilat theksoj edhe njëherë një përqindje e madhe e tyre nuk kanë asnjë studim shkencor dhe kërkimor", tha z.Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›