Berisha: Projekti për Tiranën, eveniment i madh për jetën urbanistike të vendit
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi, të martën, në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë studimin rajonal dhe mjedisor të paraqitur për zonën Selitë, Sauk, Farkë, Lundër, Mullet dhe Petrelë, duke e konsideruar atë shumë të rëndësishëm dhe një eveniment të madh për jetën urbanistike të vendit dhe për zhvillimin e kryeqytetit të Shqipërisë.
Kryeministri sugjeroi që një pjesë e këtij territori të përcaktohej për vila për emigracionin shqiptar. "Janë me mijëra shqiptarë të cilët kaluan jetën e tyre në tokë të huaj dhe do të donin që pensionin ta kalonin në vendin e tyre", tha ai.
Z. Berisha mbështeti idenë e projektit për të hequr dorë nga ndërtesat e larta, duke sugjeruar se ndërtimet 3-4 katëshe duhet të jenë më të pranueshmet. Nga ana tjetër, kryeministri kërkoi që të anullohen të gjitha lejet e pallateve shumëkatëshe në këtë komunë dhe në komunat e tjera, në këtë territor dhe në territorin e Dajtit. "Ky studim ka meritën e madhe që atë peisazh të mrekullueshëm është përpjekur ta respektojë maksimalisht dhe kjo duhet të ndiqet edhe në komunat e tjera", tha kryeministri.
Kryeministri theksoi se studimi urbanistik duhet të zbatohet në përputhje me projektin e paraqitur. "Jam dakort me mendimin e shprehur se duhet të gjejmë mënyrën e zbatimit serioz e rigoroz të tij, ku autoritetet vendore do të kenë pa diskutim rolin e tyre të padiskutueshëm, por që autoritetet vendore do të kenë të gjitha mundësitë që ky plan, ky studim, të mund të zbatohet", u shpreh z. Berisha.
Kryeministri ftoi ministrinë dhe Qarkun e Tiranës të inkurajojnë punën për të përfunduar sa më shpejt studime të tilla edhe për komunën e Dajtit, për komunën e Kasharit, sikundër është e domosdoshme që të nxitet shumë ndërtimi në Tiranë. "Në rast se parashikojmë të zhvillojmë rrethinat e saj, nuk mund të heqim dorë në asnjë moment nga inkurajimi i ndërtimeve brenda në qytet. Në këtë kontekst, Ministria së bashku me qeverinë vendore, të studiojë dhe të nisë urgjentisht studimin për zonën e kombinatit, ku sa më shpejt t'u ofrohet kompanive të ndërtimit për të ndërtuar banesa ne kuadrin e partneritetit publik, privat, ndërkohë që territore të tjera duhet të gjenden e t'u ofrohen ndërtuesve", vijoi Kryeministri.
Në këtë mënyrë, tha ai, "kemi shumë mundësi që mijëra e mijëra apartamente të ndërtohen dhe t'u jepen qytetarëve në nevojë, me çmime më të arsyeshme, ose të strehohen me qera të përballueshme, sepse po bëhet një problem shumë i madh, për shumë cifte të reja që nga mungesa e alternativës, largohen në vende të tjera për të gjetur strehim.
Ky studim do të parashikojë zhvillimin e këtij rajoni për një periudhë kohore 15-20 vjeçare. Do të mundësohet parapritja me infrastrukturë e zonave tashmë të ndërtuara, të atyre që do të hapen në përspektivë, si dhe të atyre me mungesë të infrastrukturës. Po ashtu, studimi merr parasysh nevojat e zhvillimit urban. Në planifikimin e strukturës së qendrave të shërbimit social përfshihet sistemi arsimor, universitar, sistemi i qendrave tregtare, administrative, shëndetësore, terreneve sportive.. në këtë rajon janë parashikuar dy qendra universitare të arsimit të lartë. Është planifikuar gjithashtu edhe sistemi i gjelbërimit.
• Po ashtu, KRRTRSH shqyrtoi edhe vendimin për shesh dhe leje ndërtimi për dy godina banimi e shërbimi 6 dhe 9 kat, 5 dhe 7 kat, me 3 kat parkim nën tokë, në rrugën "Tefta Tashko" dhe Fadil Rada", në qytetin e Tiranës.
• Një tjetër pikë e diskutuar në këtë mbledhje ishte edhe studimi urbanistik, shesh dhe leje ndërtimi për objektin "Burg në fshatin Drenovë-Korçë".