E Diel, 1 Nëntor 2026

Z.Berisha: Shqipëria rol aktiv në forcimin e bashkëpunimit, në kuadër Presidencës shqiptare të NEQ-it

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi, të martën, një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Nismës së Europës Qendrore (NEQ) z. Herald Kreid, i cili viziton Shqipërinë në kuadër të Presidencës shqiptare të NEQ-it. Për herë të parë drejtimin e Nismës e merr një vend i Europës Juglindore. Z. Kried shprehu besimin për përmbushjen me sukses të saj. Nga ana e tij, z.Berisha u shpreh se Shqipëria do të kontribuojë dhe luajë një rol aktiv në forcimin e bashkëpunimit të vendeve anëtare të kësaj Nisme, në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Për drejtimin e Nismës, z. Berisha bëri të ditur, se do të ngrihet një grup ndërministror pune.
Kryeministri nënvizoi se nisma mbështet procesin e zgjerimit të BE-së dhe kjo do të jetë edhe një nga prioritetet gjatë Presidencës shqiptare. Lidhur me këtë, z. Kried theksoi se drejtimi i NEQ-it do të jetë një mundësi e madhe për sigurimin e mbështetjes në procesin e integrimit të Shqipërisë.
Në rafshin ekonomik, z. Kried u shpreh se në kuadrin e Nismës mund të sigurohen fonde për realizimin e studimeve të fizibilitetit për projekte të ndryshme, për ta bërë më të lehtë thithjen e fondeve nga institucione financiare europiane. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, z. Kried vlerësoi edhe marrjen në konsideratë të projekteve që lidhen me korridoret europiane si korridori 8-të. Ndërkohë z. Berisha kërkoi zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fushën e arsimit, për të cilën z. Kreid u shpreh se në këtë aspekt Nisma mund të kontribuojë për ta sjellë Shqipërinë brenda rrjetit universitar mes vendeve të Nismës, ndërmarrjen e programeve të përbashkëta, shkëmbimin e eksperiencës dhe bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›