PS: Qeveria të tërhiqet nga hetimi ndërkombëtar
Partia Socialiste kërkon që qeveria të tërhiqet nga tentativat për hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliçin, duke mos e mbështetur nismën e Kryeministrit Berisha që të sjellë ekspertë të huaj për këtë çështje. Këtë radhë ka qenë sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade, e cila thotë se “Berisha duhet të heqë dorë nga dy nismat e fundit, atë të komisionit hetimor parlamentarë dhe hetimit ndërkombëtar për çështjen “Damir Fazlliç”, që cenojnë pavarësinë e prokurorisë”. Megjithëse PS-ja ka qenë partizane e hetimeve ndërkombëtare në çështje të tjera ku ajo ka shfaqur interesin e saj dhe s’ka pasur besim tek prokuroria, në këtë rast ajo kundërshton me forcë këtë gjë. Pikërisht pse Kryeministri Berisha kërkon të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me çështjen Fazlliç, duke kërkuar ekspertë ndërkombëtarë që ta bënin më të besueshëm hetimin, PS-ja refuzon. Ndërsa PS-ja tashmë u referohet dhe kritikave që erdhën nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend. Dade thotë se “duhet të ketë një reflektim nga vetë zoti Berisha dhe të ndalet në hapat e tij thellësisht të gabuara për të krijuar një komision parlamentar investigativ për prokurorinë, por edhe thirrja që bën për të pasur një trup ndërkombëtar për të mbikëqyrur prokurime shqiptare. Shpresoj që Berisha të jetë tërhequr nga këto dy praktika antidemokratike dhe antikushtetuese”.
“Sulmi ndaj institucioneve të pavarura dhe tentativa për t’i marrë ato nën kontroll kanë të bëjnë me mendësitë që ky individ ka manifestuar sa herë që ka qenë në krye të shtetit”, - shtoi më tej Dade. Ndërkohë, deputetja e PS-së nuk heziton të kërkojë dhe organizim të PD-së për këtë çështje duke u shprehur se “shpresoj që brenda PD-së të ketë një lëvizje për të shpëtuar partinë e tyre, por edhe vendin nga këto dukuri shqetësuese dhe negative që na largojnë nga ato struktura ku ne synojmë të integrohemi”.