Bumçi: Rama, i lidhur me nomenklaturën komuniste
Deputeti demokrat kërkon kalimin e ligjit “të spiunëve”
“Të lërë mënjanë dorëheqjet dhe të bashkëpunojë”
Demokratët akuzojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kryesocialistin Edi Rama për lidhjet e tij me diktaturën komuniste. Sipas të djathtëve, z. Rama është njeriu më i interesuar për moshapjen e dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Në këtë mënyrë, PD-ja përmes deputetit Aldo Bumçi iu kundërpërgjigj dje kërkesës së kryesocialistit Edi Rama për dorëheqje të Berishës, duke e akuzuar atë personalisht si njeriun e lidhur me nomenklaturën komuniste dhe si njeriun që ka penguar hapjen e dosjeve ne Shqipëri. “Kryesocialisti Edi Rama është njeriu i cili për arsye personale po pengon ligjin për pastërtinë e figurave. Ai ka lidhje me nomenklaturën komuniste ndaj është i interesuar për moszbardhjen e dosjeve”, - tha z. Aldo Bumçi. Ai e konsideroi si të pamotivuar kërkesën e Ramës për largimin e Kryeministrit nga qeveria, teksa përmendi progresin në drejtim të reformave. Bumçi i bëri thirrje Ramës që të lërë mënjanë thirrjet për dorëheqje dhe të bashkëpunojë për vijimësinë e reformave integruese në vend. Dy ditë më parë Edi Rama kërkoi publikisht dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Për herë të dytë brenda këtij viti, Rama përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Berishës. Dhe kjo vjen në një moment kur deklaratat e diplomatëve të huaj kanë humbur karakterin e tyre diplomatik dhe janë kthyer në shprehje politike me shqetësimin se institucionet e pavarura janë të cenuara nga qeveria. Ndaj Rama mendon se zgjidhja më e mirë për t’i dhënë fund kësaj situate kaosi dhe përplasjesh institucionale është vetëlargimi i Kryeministrit Berisha.
Ligji i dosjeve në pritje të votimit
Prej disa muajsh tashmë ligji për hapjen e dosjeve të ish.sigurimit të shtetit po pret në arkivat e Komisionit të Ligjeve që të marrë miratimin për t’u votuar në Kuvend. Debatet mes palëve për mënyrën e formulimit dhe shtyrjet e herëpashershme në kohë të debatit shpesh të pajustifikuara kanë lënë në “harresë” këtë ligj. Aldo Bumçi është autori i projektit të ri që është paraqitur në emër të Partisë Demokratike, por ai akoma nuk ka arritur të sigurojë konsensusin e kolegëve të tij në komisionin e Ligjeve për të bërë të mundur kalimin e tij për miratim. Por edhe pse nuk është miratuar me ligj hapja e dosjeve të dyja palët e përdorin këtë çështje si një armë politike ndaj njëra-tjetrës duke bërë akuza për përfshirje në ish.sigurimin e shtetit. Në fakt është PS ajo që po kërkon më tepër kohë duke kërkuar dhe një komision të ri parlamentar për këtë çështje.