E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS 91 hap degën e Durrësit



Koçi: Berisha i lidhur me Fazlliçin, Rama me Delijorgjin

Synimi i partisë, të renditet e katërta në zgjedhje

PS 91, partia më e re e spektrit politik shqiptar, e formuar kryesisht nga ish-socialistë, po shtrin strukturat e saj në rrethe, duke ngritur degën lokale në Durrës. Themeluesit e kësaj partie, Makbule Çeço, Petro Koçi dhe Gjergji Koja, të gjithë ish-funksionarë të PS-së, tashmë synojnë që partinë e tyre të krijuar vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 2009-ës ta rendisin të katërtën në vend. Kjo parti ashtu si LSI-ja është pozicionuar në një qëndrim oponent jo vetëm kundër qeverisjes së djathtë, por dhe ndaj Partisë Socialiste dhe kreut të saj, Edi Rama. Nismëtarët e kësaj partie shigjetuan me akuza direkte kreun demokrat Sali Berisha dhe atë socialist, Edi Rama. Sipas tyre, Rama dhe Berisha bëjnë mes tyre një betejë-teatër. “Ata bashkë ndryshuan Kushtetutën për tri orë, bashkë po betonojnë Tiranën, bashkë po fshehin Gërdecin dhe bashkë po përfshihen me mafian ballkanike. Fazlliçi është lidhur me Berishën, ndërsa Rama me Delijorgjin”, - akuzoi Petro Koçi, kryetari i PS 91. Sipas tij, jo vetëm Kryeministri aktual, por edhe drejtuesit e së majtës shqiptare janë kapur me “presh në dorë”, duke bërë pazarllëqe nga më të rëndat. Ndërsa sekretari i marrëdhënieve me publikun, Gjergj Koja, tha se “e djathta ka kapur çdo gjë që nga Presidenti, prokuroria, KLD-ja, Kushtetuta, Kodi Zgjedhor etj. Për të gjitha këto bashkëfajtor është Edi Rama, ndaj formimi i PS 91 nuk synon të përçajë të majtën, ashtu sikurse mund të akuzojë dikush, por të mos çojë dëm asnjë votë të majtë. Ndaj po rithemelojmë të majtën, e cila falë një politike të gabuar të Ramës, rrezikon zgjedhjet”. Sipas tij, synohet që ky grupim të renditet forca e katërt e politikës shqiptare. Në fjalën e tij Koja tha më tej se “PS 91 është një rithemelim i PS-së, pasi ne nuk e shitëm lëkurën dhe nuk bëmë pazare të ndyra, ashtu siç ka bërë deri më tani binomi Rama-Berisha”. Nga ana e tij, kreu i PS 91 për Durrësin, Paqësor Zeneli, u shpreh se “në këtë qytet ka shumë socialistë të zhgënjyer nga sjellja e Edi Ramës dhe se ata janë të mirëpritur në gjirin e kësaj partie”. Në këtë takim PS 91 tha se “është shumë i mundshëm hyrja në koalicion me LSI-në, pasi kjo është një forcë politike që ka kundërshtuar me forcë atentatin ndaj Kushtetutës dhe ka denoncuar rëndë Gërdecin, dy gjëra për të cilat Edi Rama është bashkëfajtor”.

Pas krijimit të kësaj dege, drejtuesit e kësaj partie pritet të finalizojnë dhe krijimin e disa degëve të tjera në rrethe të rëndësishme, duke marrë në radhët e tyre socialistë të pakënaqur që nuk janë dakord me politikat e Edi Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›