Rama: PS-ja do të fusë 30% gra e vajza në Kuvend
Kryetari i Partisë Socialiste nuk është marrë dje me politikën e ditës, por ka preferuar t’ua kushtojë grave, për të cilat ka premtuar se PS-ja do të bëjë të mundur që të futen në Kuvend 30 për qind gra dhe jo të jenë vetëm në listat e kandidatëve sa për shifra. I ftuar të marrë pjesë në një forum me gra e vajza pedagoge në qytetin e Durrësit, ai ka theksuar se një rëndësi të veçantë ka fakti që të shkohet përtej kuotave të përfaqësimit të grave dhe vajzave në Kuvend. Një shoqëri e balancuar në aspektin gjinor, mund të përballojë shumë më me sukses sfidën e luftës me varfërinë, dhunën, injorancën, korrupsionin, me papunësinë. “Mungesa e vëmendjes ndaj këtij aspekti dhe bajraktarizmi, patriarkalizmi, primitivizmi që lidhet me qendrën e gravitetit të vendosur te burri, dhe margjinalizimi i grave e vajzave, përbën një hap shumë të rrezikshëm mbrapa të shoqërisë sonë”, - është shprehur Rama. Kryesocialisti Rama në këtë takim u premtoi se “PSSH-ja do të bëjë të mundur që në Kuvend të ketë si forcë politike 30% gra e vajza, jo vetëm në lista”. Sipas tij, “është koha t'i lëmë pas deklaratat. Është koha, - tha Rama, - për të kaluar në një fazë të re, për të hapur një kapitull të ri, për t'u futur në një rrugë të re, në raport me gratë dhe vajzat në këtë vend”. Ai ka ngritur dhe një problem social, që është mbyllja e vajzave në shtëpi. Rama theksoi se “jemi akoma në kohë për të gjetur pikëpyetjet e duhura që rëndojnë mbi shoqërinë tonë, e cila në mënyrë masive, po i lejon vetes mbylljen në shtëpi të vajzave në moshën e arsimit të mesëm, po i lejon vetes fenomene të tjera që janë të lidhura me gratë e vajzat, që janë të patolerueshme për një shoqëri evropiane”.