PD: Rama të kërkojë falje publike për Trebickën
Vdekja e Kosta Trebickës, dëshmitar kyç në hetimet për regëtinë e armëve drejt Afganistanit, ngriti opozitën në protesta kundër qeverisë. Disa orë pas vdekjes së tij, e cila sipas përfundimit të hetimeve ishte aksidentale, ashtu siç dhe u cilësua që në fillim, kreu i opozitës Edi Rama nxitoi ta cilësonte si një vdekje jonatyrale dhe akuzoi qeverinë si të përfshirë në këtë gjë. Por, tashmë që hetimi i bërë nga eksperti amerikan dhe nga prokuroria shqiptare janë firmosur dhe nuk ka asnjë hije dyshime që kjo vdekje nuk ka qenë aksidentale, Rama hesht. Heshtja e tij është bërë shkak që Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënësit të saj Gerti Bogdani të kërkojë që ai të kërkojë falje publike ndaj familjarëve të Trebickës. “Partia Demokratike i kërkon z. Rama që publikisht t'i kërkojë ndjesë shpirtit të Kosta Trebickës, të cilin tentoi ta keqpërdorë në mënyrën më çnjerëzore, publikisht t'i kërkojë ndjesë familjes së tij, publikisht t'i kërkojë ndjesë shqiptarëve për mitingun e turpit që organizoi në qendër të Tiranës, për të manipuluar për qëllime të ulëta personale aksidentin e një njeriu”, - thuhet në deklaratën e djeshme të PD-së. Bogdani i kujtoi Ramës se ai e kishte cilësuar të vrarë këtë njeri dhe kishte organizuar një protestë kundër qeverisë me motivin e pasigurisë në vend. “U kujtojmë qytetarëve shqiptarë, se kaloi një muaj që nga dita kur Edi Rama për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Ballkanit dhe Evropës, organizoi miting protestë për të manipuluar vdekjen e një njeriu, për të shndërruar në të vrarë, qytetarin Kosta Trebicka”, - tha dje Bogdani. Sipas tij, z. Rama dhe lejtnantët e tij e shpallën si vrasja e shekullit dhe akuzuan qeverinë për zhdukjen e tij. “Por, duke u përpjekur t'i paraqesë shqiptarëve vdekjen aksidentale për vraje politike, Edi Rama, vetë peng i klaneve më kriminale të vendit, iu faktoi qytetarëve shqiptarë se nuk ka asnjë moral njerëzor, se për të nuk ekziston asnjë normë dhe se është i gatshëm të ndërtojë karrierën e tij mbi shpifje, trillime makabre apo valle edhe fjalime për të manipuluar me vdekjen e një njeriu”, - theksoi Bogdani dje në konferencë për shtyp.