E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dje u përurua ndryshimi i mbarë botës

 

Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar dje një urim Presidentit të 44-ët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, të cilin e uroi për detyrën e re. Në letër kreu i qeverisë shprehet se 20 janari është inaugurimi i ndryshimit të madh në SHBA, por edhe në mbarë botën. "Inaugurimi Juaj si Presidenti i 44-t i SHBA-së është një ngjarje vërtet epike për kombin dhe vendin tuaj të madh. Por, më 20 janar, së bashku me Ju, u inaugurua, si Presidenti i SHBA-së, ëndrra amerikane, ndryshimi i madh i vendit tuaj dhe mbarë botës. Prandaj, dhe me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, Ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të madh e historik", theksoi Berisha. Sipas tij, "shfrytëzoj rastin t'Ju siguroj, se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të vendosur e të angazhuar dhe presim, me padurim, të bashkëpunojmë ngushtësisht me Ju, zoti President, dhe me administratën Tuaj, për të forcuar edhe më tej, në të gjitha fushat, marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore e luajale, që lidhin dy vendet tona dhe popujt tanë miq, si në kuadrin dypalësh, edhe në kuadrin shumëpalësh, në veçanti, në kuadër të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut". Kreu i qeverisë shqiptare shprehet në fund të letrës së urimit për Presidentin e SHBA-së se, "Shqipëria është dhe mbetet e vendosur të mbështesë SHBA-në, aleatin më të madh e strategjik të kombit shqiptar, dhe NATO-n, në të gjitha përpjekjet për paqe e siguri, në rajon e më gjerë. Duke Ju dërguar edhe një herë urimet e mia më të përzemërta, për sukses në detyrën Tuaj të lartë, shfrytëzoj rastin t'Ju ripohoj, zoti President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›