E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet Presidenti i 44-t i SHBA, Uidhers: Pyetjet që më bëri Obama për Shqipërinë

 

“Unë Barak Hysein Obama betohem se...”. “Babai im 60 vite më parë nuk pranohej as në restorante”! Këto janë fjalët e betimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara. Kaq do të mjaftonte për të treguar se ai vend, i ka kapërcyer realisht të gjitha pengesat shoqërore. Për të treguar se aftësitë mund të bëjnë president djalin e një babai me ngjyrë dhe me një emër të ngjashëm me ata që dëgjojnë ushtarakët amerikanë në luftë në Lindjen e Mesme. Dhe me çfarë premtoi në 18 minutat e fjalimit të parë si president, duket se shpresa dje në Uashington ka rilindur. “Kjo është domethënia e lirisë sonë dhe besimit tonë: burra, gra dhe fëmijë të çdo race dhe besimi, të gjithë së bashku, në këtë vend”. Barak Obama, në fjalimin e tij para amerikanëve për herë të parë si president, ofroi një pasqyrë të sfidave me të cilat përballet vendi. Obama ka marrë trashëgim një krizë të madhe ekonomike, financiare, morale, diplomatike dhe ushtarake. Pas falënderimit për Presidentin Bush për shërbimin e tij ndaj kombit, si dhe zemërgjerësinë dhe bashkëpunimin që ka treguar gjatë gjithë këtij tranzicioni, Obama u përqendrua në disa prej sfidave më të rëndësishme të vendit si ekonomia, marrëdhëniet me Irakun, Afganistanin, islamin...
Ekonomia
“Gjendja e ekonomisë kërkon veprim të guximshëm dhe të shpejtë, jo vetëm për të krijuar vende të reja pune, por për të shtruar një themel të ri për rritje. Ne do të ndërtojmë rrugë dhe ura, sisteme të bartjes së energjisë dhe linja dixhitale, që ushqejnë tregtinë tonë dhe na lidhin bashkë. Ne do t’ia kthejmë vendin e merituar shkencës dhe do të shfrytëzojmë mrekullitë e teknologjisë për të ngritur cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të ulur koston e tij. Ka disa që vënë në dyshim përmasat e ambicieve tona, që sugjerojnë se sistemi ynë nuk mund të tolerojë shumë plane të mëdha. Kujtesa e tyre është e shkurtër. Sepse kanë harruar se çfarë ka bërë tashmë ky vend; çfarë mund të arrijnë burrat dhe gratë e lira, kur imagjinatës i bashkohen qëllimi i përbashkët dhe kurajës i bashkohet nevoja”, tha Obama. 
Iraku për irakianët
Politika e Jashtme e Obamës duket se nuk do të ketë asgjë të përbashkët me atë të paraardhësit të tij si president. Obama ka premtuar tërheqje të shpejtë nga Iraku. “Ne do të fillojmë me përgjegjësi t’ia lëmë Irakun popullit të vet dhe të forcojmë paqen e fituar me mund në Afganistan. Me miq të vjetër dhe armiq të dikurshëm, do të punojmë pa u lodhur për të zvogëluar kërcënimin bërthamor dhe do të kthejmë mbrapsht spektrin e ngrohjes së planetit”.
Respekt për islamin
Me tendencën më të mirë për të shuar krizat mes besimeve të ndryshme të ndezura shumë gjatë politikës së viteve të fundit, ku çdo mysliman shihej si terrorist, në projektin e tij të ndryshimit Obama ka premtuar respekt për islamin. “Me islamin ne do të kemi marrëdhënie të reja, që do të bazohen në respektin për njëri-tjetrin. Kërkojmë një marrëdhënie të re me botën islame. Nëse do të jeni të aftë të ulni grushtet, do t’ju japim një dorë”, tha presidenti duke mos harruar edhe mesazhin për terroristët: “Ne do t’ju mundim, pasi shpirti ynë është i fortë”.  Obama foli për shumë çështje të tjera si vendet e punës, qytetarinë, sfidat dhe udhëtimin që i pret përpara. Por njëlloj si Xhorxh Bush në zgjedhjen e tij të parë në vitin 2001, “Kombi” dhe “Amerika” ishin fjalët, që Barak Obama ka përmendur më shpesh gjatë fjalimit të tij inaugurues. Sipas “New York Times”, këto fjalë ndiqen me të tjera si “popull”, “punë”, “breza”, “botë” dhe “e përbashkët”.

Bursat nuk “besojnë” te zgjedhja e re

Aksionet kanë rënë ndjeshëm të martën pasdite, pasi investitorët kanë parë përtej inaugurimit të Presidentit Obama, ekonominë e shkatërruar që ai po trashëgon. Indeksi ‘Dow Jones’ humbi 2.9 për qind vetëm një orë e gjysmë para inaugurimit. ‘The Standard & Poor’s 500’ humbi 4 për qind dhe ‘Nasdaq’ humbi 4.5 për qind. Megjithatë duket se ‘Wall Street’ është kontribuuesi më i madh i ceremonisë së inaugurimit të Obamës, edhe pse e ka kaluar vitin 2008 si më të keqin, që nga koha e Depresionit të Madh. Sipas një studimi, familjet e drejtuesve të bursës kanë dhuruar 7.1 milionë dollarë për Obamën. Ndërsa në Gaza, që e ka pritur Obamën si shpëtimtar, ai është zotuar se do të dërgojë menjëherë një negociator për paqen.

Veshja e First Lady
Zonja e parë amerikane ishte veshur në ditën e inaugurimit me një veshje të stiluar nga një stiliste kubaneze, me damask të verdhë, e cila ka rënë në sy tej disa për mirë e tek të tjerë si stonaturë për ditën e madhe. Paraqitja e Michelle Obamës, e cila është deri më tani zonja e parë më popullore që kanë pasur Shtetet e Bashkuara ka bërë të diskutojnë shumë stilistë, pjesa më e madhe të cilëve e kanë kundërshtuar atë paraqitje si të pavolitshme për rastin. Ndërsa zonja e parë ka zgjedhur damaskun dhe të verdhën, presidenti i ri ka veshur një kostum të zi që e paraqiste me shumë elegancë.

Formula e betimit
Formula e betimit për presidentët e Shteteve të Bashkuara është vendosur nga neni II, fraksion 1 i Kushtetutës amerikane dhe është një tekst me 35 fjalë në versionin origjinal në anglisht. Formula thotë: “Betohem solemnisht që do të përmbush me besnikëri detyrën si President i Shteteve të Bashkuara dhe do të ruaj, kujdesem dhe mbroj, me më të mirën time, Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”. Ndërsa fjalët “Pra, më ndihmo Zot!” i janë shtuar dhe ndiqen në mënyrë tradicionale fundit të formulës së parashikuar nga Kushtetuta, që pasi e përdori Franklin Ruzvelt.

Bush nis pensionin, lë letër për Obamën

 Presidenti amerikan i larguar, Xhorxh Bush ka pirë një kafe për herë të fundit në Shtëpinë e Bardhë me trashëgimtarin e tij, Barak Obama dhe bashkëshortet përkatëse. Bush pas fotove përshëndetëse familjare me Obamën, i ka lënë presidentit të ri një letër konfidenciale mbi tryezën e rrumbullakët në zyrën presidenciale. Letra nuk mund të hapet nga askush tjetër, por vetëm Obama. Zëdhënësja e Bushit, Dana Perino, e ka thjeshtëzuar përmbajtjen e saj për gazetarët, duke thënë se aty janë shkruar vetëm urimet për detyrën e re. Por në letër pritet të jenë shkruar porositë e fundit, që ka lënë Bushi për Obamën. Pas betimit të këtij të fundit, Bushi dhe Laura kanë hipur për herë të fundit në helikopterin presidencial, i cili do t’i shoqërojë ata në Teksas. Kështu Bush filloi zyrtarisht pensionin!

akuza franceze
Ish-kandidatja socialiste për presidencën franceze në garën e vitit 2007 me presidentin aktual, Nikolas Sarkozi, ka ‘akuzuar’ Obamën se i ka ‘kopjuar’ idenë për fushatën. “Unë e kam kopjuar Obamën dhe bashkëpunëtorët e tij më kanë kopjuar”, është shprehur ajo për gazetën “Le Monde”, duke sqaruar se presidenti i ri amerikan ka dërguar një skuadër në Paris për të studiuar faqen e saj ‘Desir d’avenir’ (Dëshirë për të ardhmen).

ndryshimi i pare
Pak minuta pas betimit të Barak Obamës, ka ndryshuar menjëherë faqja zyrtare e presidencës amerikane. Tashmë në adresën e Shtëpisë së Bardhë përkrah një fotoje të Barak Obamës shfaqet edhe biografia e tij. Faqja e re zyrtare, tërësisht ndryshe, shoqërohet nga mesazhi i drejtorit të ri, Mekon Filips: “Në WhiteHouse.org erdhi ndryshimi”. Tre janë fjalët kyçe të vendosura nga Filips si urim për lexuesit: “Komunikim; transparencë; pjesëmarrje”. Menjëherë më pas ka ndryshuar edhe adresa e Departamentit
të Shtetit.

“Obama SHOW”, detajet e spektaklit 150 milionë dollarë

Festa për amerikanët nisi që para agimit me qëndrimin në radhë të gjata për t’iu afruar sa më shumë “ikonës së ndryshimit”.
Më shumë se dy milionë njerëz ishin mbledhur për të pritur inaugurimin e presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara duke tundur me orë të tëra flamujt amerikanë për të festuar, por edhe për t’u ngrohur. Edhe pse temperatura ishte -3.8 gradë celsius, edhe pse kishte shumë debate mes turmës, edhe pse kishte radhë të gjata në pikat e kontrollit të sigurisë (2 orë pritje për t’u futur në zonën e sigurisë), asgjë nuk kishte rëndësi për të gjithë ata që donin të ishin pjesë e shkrimit të këtij momenti në histori. Radhët e njerëzve ishin 2 kilometra të gjata. Rekord u shënua edhe në transportin e metrove. Ishin rreth 320 mijë njerëz që kishin ‘bllokuar’ metrotë për t’iu afruar sa më shumë qendrës së Uashingtonit ku presidenti historik, i pari me ngjyrë, do të mbante fjalimin e tij të parë zyrtar. Në kulmin e gëzimit për Ditën e Inaugurimit, turma këndonte “Lamtumirë Bush”! 8 mijë oficerë të sigurimit ishin caktuar të ruanin zonën, ku u mbajt betimi e më pas parada. Ceremonia nisi në katër pasdite (12:00 në SHBA) dhe zgjati deri mbi dy orë në krahun perëndimor të Capitol Hill, Parlamentit në SHBA. Obama u betua mbi Biblën e Abraham Linkolnit, përpara presidentit të Gjykatës Supreme. Gjatë sheshit “Mall”, i gjerë 130 metra, u vendosën super-ekrane të mëdha të cilat i lejonin edhe publikut më të largët të shikonte fjalimin e betimit. “Mirëserdhët z. President! Ju faleminderit, z. President!”, kështu shkruanin dy flamujt e mëdhenj me sfond të kaltër, që mbulonin të gjithë fasadën e teatrit “Warner” në Uashington. Para tyre u zhvillua parada e madhe pas betimit të Obamës. Edhe shpenzimet për ceremoninë shënuan rekord. Ato arrijnë në 150 milionë dollarë (rreth 115 milionë euro). Përveç ceremonisë së betimit në shkallët e Kongresit, e vetmja pjesë e festimeve e detyrueshme me Kushtetutë, pjesa tjetër e festës u organizua dhe pagua nga Komiteti për Inaugurimin, që ka mbledhur 41 milionë dollarë vetëm për financimin e udhëtimit të së premtes me tren nga Filadelfia në Uashington, koncertin e së dielës dhe mbrëmjen pas betimit. Sipas zërave, Komiteti ka shitur të drejtat e transmetimit ekskluziv për financimin. Rreth zonës ku u betua presidenti i 44-t amerikan, u formua çuditërisht një treg, i cili parashikohet të transformohet në memorialin ‘20 janari 2009’. Në të gjendeshin pendë presidenciale struci në material sintetik (15 dollarë); kukulla me imazhin e Obamës me ndriçim (nga 10 në 50 dollarë); flamuj inaugurimi dhe të gjitha këto me mbishkrimin ’01-20-2009'; por më të shiturat janë bluzat me shkrimin “I Was There” (Unë isha aty), me çmim nga 10 në 40 dollarë.

Mbyllet në bunker shefi i Pentagonit

Ndër qindra personalitetet e elitës politike amerikane në betimin e Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ra në sy mungesa e një njeriu shumë të rëndësishëm. Robert Gates, shefi i Pentagonit, ishte “trashëgimtari i zgjedhur”, i mbyllur në një dhomë të blinduar në rast katastrofe. Sipas shërbimeve amerikane të sigurisë, Robert Gates ishte destinuar të ishte automatikisht presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara në rast se gjatë betimit të Presidentit Obama do të ndodhte ndonjë sulm terrorist, që mund të eliminonte kreun e Shtetit dhe politikanët e tjerë të pranishëm në ceremoni. Kjo praktikë është tradicionale e në Shtetet e Bashkuara, dikush mungon gjithmonë kur ka organizime të tilla me turma. Gates e ka kaluar ditën i mbyllur në një ‘bunker’ sekret ushtarak.

Ted Kenedit i bie të fikët gjatë drekës

Senatorit Ted Kenedi i ka rënë të fikët gjatë drekës në Kongres, e cila u mbajt në nder të Barak Obamës, të cilin ai e ka mbështetur që në fillim të kandidimit. Sipas CNN, njoftimin e ka dhënë një tjetër senator demokrat, duke kujtuar se senatori Kenedi është i sëmurë me tumor në tru dhe megjithatë ka dashur të jetë i pranishëm në inaugurimin e Obamës. Ted Kenedi ishte në tribunën “Vip” gjatë betimit dy orësh të Obamës. Edhe senatori demokrat Robert C. Byrd, u ndje keq gjatë drekës. Byrd është 91 vjeç dhe është president i Senatit.

Uidhers: Obama, pyetje të mirinformuara për Shqipërinë

Desada Metaj

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs, gjatë një interviste në emisionin "Opinion" në TV Klan, tregon se Presidenti Barak Obama e njeh shumë mirë Shqipërinë. Duke treguar një histori personale të karrierës së tij si diplomat, Uidhers para emërimit të tij në Shqipëri, në krye të misionit diplomatik, është pyetur në detaje për Shqipërinë nga Barak Obama, atëherë senator i Ilinois, por dhe kryetar i Panelit të Senatit që jepte konfirmimin për emërimin e ambasadorëve.
Z. ambasador, si mendoni do të jetë dita e parë për Presidentin Obama?
Mendoj që do të jetë jashtëzakonisht emocionuese si për Presidentin, ashtu edhe për popullin e SHBA. Sapo u ktheva nga Uashingtoni dy ditë më parë dhe atmosfera atje është absolutisht e pabesueshme. Njerëzit janë shumë të emocionuar për zgjedhjen e Presidentit Obama, shumë të emocionuar për rëndësinë që kanë këto zgjedhje për historinë e vendit tonë dhe kushdo ka dëshirën të jetë aty. Edhe dje, kur kryheshin disa prej veprimtarive paraprake dhe koncerti, e gjithë pjesa qendrore e Uashingtonit që quhet Moll, ishte e tejmbushur me njerëz. Kam shumë e shumë miq të mi që po diskutonin dhe më thanë që do ishin aty; nuk e dinë si do të arrijnë aty, sepse do ketë shumë njerëz nëpër metro e autobusë… por të gjithë e shohin si një pikë kthese në histori dhe duan që të jenë aty. Mënyra si do ta shprehja unë është që përurimi i një Presidenti të SHBA ndodh një herë në katër vjet; përurimi i këtij Presidenti, i Presidentit të parë afro-amerikan, ndodh një herë në katërqind vjet. Kaq e veçantë është.
Emocionet e ditës së përurimit do të kalojnë. Cila mendoni do jetë sfida e parë madhore me të cilën do të përballet Obama?
Sfida e parë do të jetë afërmendsh ekonomia. Mendoj që rifunksionimi i ekonomisë, gjetja e vendeve të punës, rindërtimi i të gjithë infrastrukturës së SHBA. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme që ai do të duhet t'i ndërmarrë menjëherë. Por, mendoj që ai ka një vizion të madh për botën dhe me këtë mendoj që ai do të fillojë të rivendosë, zhvillojë dhe përforcojë pozitën e Amerikës në botë. Ka fusha në të cilat amerikanët, për të qenë i sinqertë, nuk kanë popullaritetin që kanë pasur dikur. Ka pasur tensione me aleatë të vjetër dhe ai do që ta ndryshojë të gjithë këtë. Ai do që të ndërtojë një strukturë bazuar mbi komunikimin, diplomacinë, shkëmbimin e lirë të ideve dhe mendoj që në themel të gjithë kësaj, në themel të vizionit të tij është një fjalë që ne e përdorim shumë shpesh, por që është absolutisht në zemrën e tij si President dhe si qenie njerëzore dhe kjo fjalë është demokraci. Për Obamën, demokracia është ajo që e krijoi. Në fjalimet e tij, të cilat janë shumë elokuente, ai ka folur se si Amerika, sipas pikëpamjes së tij, është pikërisht vendi për të, një person që ka një baba që ka qenë student i huaj nga Afrika, një nënë amerikane të bardhë, është vendi për mundësi të pakufizuara. Kjo është ajo që po provohet sot. Përsëris që duhet të kuptoni emocionet e fuqishme që janë çliruar në SHBA dhe nga kushdo. Është një koalicion ylberi për nga ngjyrat. Është një koalicion racash, fesh, gjithçkaje, njerëzish të moshuar e të rinj, të bardhë e zezakë, homoseksualë ose jo, të gjithë janë pjesë e këtij bashkimi.
Ndoshta, nëse jeni të interesuar, një prej simboleve më të pabesueshme dhe të fuqishme që do të ndodhë sot është që ky burrë do të qëndrojë në shkallët e ndërtesës së Kongresit dhe do të bëjë betimin për postin më të fuqishëm në Amerikë, e ndoshta në botë, në shkallët e një ndërtese të ndërtuar nga skllevërit.
Demokracia është motori i madh i ndryshimit. Demokracia është motor i mundësive jo vetëm për Amerikën, por kudo. Dhe pikërisht për këtë mendoj që Obama ka fituar kaq popullaritet, jo vetëm për amerikanët, jo vetëm krenari të madhe për afro-amerikanët si unë, por anembanë botës. Emocionet që ky burrë ka gjeneruar anembanë botës, për shkak të asaj që ai do të bëjë pikërisht sot, tregon që ka shpresë, që ne thjesht na duhet kurajo për të besuar tek shpresa. Kjo është e vërtetë kudo, edhe këtu në Shqipëri.
Folët mbi popullaritetin e Amerikës. SHBA gëzojnë popullaritet të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Mendoni që në vitet e presidencës Obama, politikat e SHBA-së ndaj rajonit në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti do të ndryshojnë?
Shpresoj që gjërat do të ndryshojnë. Dhe shpresoj shumë që ky ndryshim të jetë për mirë. Keni të drejtë, Shqipëria është një prej vendeve ku lidhja mes popullit amerikan dhe popullit këtu është shumë e fortë. Por, le ta bëjmë më të fortë, le ta bëjmë më të mirë; le të nxjerrim pikërisht ato mësime që Shqipëria ka marrë nga tradita e saj e pasur dhe amerikanët të nxjerrin mësimet nga gjërat që ne amerikanët kemi mësuar.
Më lejoni t'ju rrëfej një histori personale. Kur u emërova nga Presidenti Bush për këtë post, ambasador në Shqipëri, Senati duhet të bëjë konfirmimin. Kryetari i panelit të senatit për konfirmimin tim ishte pikërisht Barak Obama. Ishim pesë vetë që po shqyrtoheshim, që po pyeteshim atë ditë, dhe ngaqë respektohej radha alfabetike e vendeve, unë isha i pari. Ai bëri pyetje shumë të mirinformuara mbi Shqipërinë. Më pas, pasi konfirmimi kish përfunduar, tradita është që ne i afrohemi kryetarit të komisionit dhe i shprehim mirënjohjen për kohën dhe shqyrtimin dhe kështu pata pak minuta për të folur me Senatorin e atëhershëm, që tani është President. Ishte shumë e qartë që kishte dije për Shqipërinë dhe rajonin. Ambasadorët e tjerë që po konfirmoheshin për të shkuar në Bosnje, Malin e Zi, Serbi, dhe ishte e qartë që ai kishte dije për rajonin dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme, ky lloj familjariteti bazë.
Presidenti do të ketë shumë gjëra në mend, Rusinë, Lindjen e Mesme, Kinën, Indinë, terrorizmin, luftërat në Afganistan dhe Irak, pra nuk do të jetë në gjendje t'i kushtojë vëmendje konstante një çështjeje të vetme. Por, fakti që duket se ka një lloj dijeje mendoj është shumë i rëndësishëm.
Cilat ishin arsyet që e bënë Obamën aq popullor në mbarë botën? Siç e dimë miliona njerëz do ta ndjekin përurimin drejtpërdrejt në Uashington sot dhe shumë e shumë të tjerë në televizion.
Mendoj që duhet të shohim filozofinë e tij politike, që mendoj është një mesazh i vërtetë frymëzimi. Është një mesazh që ne të jemi në gjendje të ngrihemi më lart, të heqim të gjitha barrat dhe të kemi horizonte të pamata që nuk janë fantazi apo ëndërr, por gjëra që mund t'i shndërrojmë në realitet. Do doja t'ju lexoj citimin tim të preferuar nga fjalët e Obamës, fjalë që mendoj e rrokën këtë energji, këtë shpirt rinor, këtë entuziazëm, që karizma e tij e lejon ta shpërndajë kudo dhe të na infektojë të gjithëve. Ja se ç'tha, jo shumë kohë më parë. Po fliste për zgjedhjet dhe tha: "Ky është shansi ynë për t'iu përgjigjur thirrjes. Ky është çasti ynë. Kjo është koha jonë për t'i kthyer njerëzit në punë dhe për të hapur dyert e mundësive për fëmijët tanë; për të rivendosur begatinë dhe për të ripërtëritur kauzën e paqes; për të rifituar ëndrrën amerikane dhe konfirmuar atë të vërtetë themelore që, nga shumë ne jemi një; për sa kohë marrim frymë, shpresojmë; dhe që ku përballemi me cinizëm dhe dyshim dhe ata që na thonë se nuk mundemi, të mund të përgjigjemi me atë kredo që nuk njeh kohë që përmbledh frymën e popullit: Po, Ne Mundemi". Këtë mendoj se na ka dhënë të gjithëve ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›