“Obama dha doktrinën e shpresës”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e ftuar në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit Barak Obama në Uashington, e ka cilësuar si madhështore dhe të pabesueshme ceremoninë e betimit, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për vetë amerikanët. "U ndjeva shumë e nderuar që pata mundësi ta ndiqja këtë ceremoni madhështore, shumë pranë asaj që ishte foltorja, nga ku Presidenti Obama deklaroi se do të vendosë një epokë të re, duke patur në perspektivën e tyre, paqen, daljen nga kriza dhe mundësi për këtë erë të re", tha Topalli. Lidhur me fjalimin e Presidentit Barak Obama, mbajtur përpara kombit amerikan në Capitol Hill, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi fjalimin e Presidentit Obama si doktrinën dhe filozofinë e shpresës. "Eshtë një kohë sfidash, por edhe Presidenti Obama e konsideroi se në periudha të vështira, mund të lindin dhe oportunitete të mëdha. Në fakt edhe fjalimi i tij flet për vështirësitë e këtij momenti, por edhe për mundësitë e mëdha të popullit dhe të kombit të madh amerikan", tha dje Topalli nga Uashingtoni.