E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi “dyzimin” e votës qytetare

Rexhep Meidani 

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, përveç “lojës” apo, më saktë, manipulimit të votës me “teknologjinë” e “mega-dushkut”, krahas kontradiktës zyrtare midis të dhënave të proces-verbaleve të komisioneve të numërimit të zonave elektorale dhe atyre të KQZ-së, patën edhe dy pamje të tjera po aq të shtrira e zhgënjyese të shformimit të votës popullore. Njëra prej atyre pamjeve ishte fillimisht ajo që u shfaq si kalim i votës (proporcionale) nga një koalicion parazgjedhor me PS-në (p.sh., i PAA-së dhe i PDNJ-së në koalicionin e majtë) në një koalicion qeveritar të PD-së (me ofertën “makiaveliste” të PD-së për PAA-në dhe PDNJ-në në koalicionin e djathtë). Aspekti tjetër, po aq i shpeshtë në ngjarjet e kuvendit aktual, ka qenë dhe ai i lëvizjeje individuale brenda Parlamentit nga një grup parlamentar në tjetrin apo midis konfiguracioneve të ndryshme partiake e kampeve kryesore. Pra, në një mënyrë apo tjetrën, të gjitha këto “manovrime” të politikës shqiptare jo vetëm kanë deformuar jo pak votën qytetare, por dhe kanë prekur rëndë vullnetin politik të zgjedhësit, të shprehur në momentin e hedhjes së kësaj vote në kutinë e votimit. Por, nëse një prekje e tillë vote apo shprehje vullneti ka filluar të perceptohet si një ngjarje e përsëritshme nga zgjedhësi neutral, ajo mund të ndikojë gradualisht në përqindjen e pjesëmarrjes qytetare në votime prej një procesi zgjedhor në tjetrin, dhe mbi të gjitha në rritjen e nivelit të abstenimit...   
* * *
    Pra, përgjithësisht, në zgjedhjet parlamentare, krahas parregullsive të shumta (tepër shqetësuese për faktorin ndërkombëtar, por jo politikën zyrtare) mangësitë e konstatuara sidomos gjatë procesit të votimit apo dhe atë të numërimit, e kanë bërë gjithnjë e më të pasigurt zgjedhësin, duke rritur shkallën e mospërfilljes dhe të abstenimit qytetar. Rezerva të ngjashme, në korrektësi institucionale e seriozitet politik, kanë krijuar gradualisht dhe zgjedhjet vendore. Kështu, p.sh., pas zgjedhjeve vendore, përplasjet e ndeshura kohë më parë në konstituimin e këshillave vendore apo ato të shfaqura si luhatje të kampeve politike, përfshirë dhe ngjarjet e kohëve të fundit për miratimin e buxheteve të disa bashkive të mëdha, flasin si për “luhatje” e zhvendosje elektorale vote nga një kamp në tjetrin në disa procese konkrete, ashtu dhe për orientim të këshilltarëve vendorë prej strukturave partiake qendrore. Natyrisht, jo thjesht e vetëm si pasojë “kërrabash” apo manovrash partiake, por dhe si shfaqje teprimesh apo “kokëfortësish” ekzekutive. Por, ama, jo patjetër të lidhura me interesin e qytetarëve dhe në respekt të votës së tyre!...
     Më pak se në krahun e djathtë (të lidhur me qeverisjen qendrore), në krahun e majtë (në qeverisjen vendore) janë duke u shfaqur e shtuar në vazhdimësi përplasje serioze brenda dy partive të majta: PS-së dhe LSI-së, pjesëmarrëse në koalicionin e mëparshëm në zgjedhjet vendore. Ngjarje të tilla janë ndeshur e “trashur” dhe më parë, por akoma më antagoniste e spikatëse u shfaqën përplasje të tilla në procesin e votimit të disa buxheteve bashkiake. Vetëkuptohet se nuk po bëhet fjalë për situata ekstreme apo që parlamenti vendor të miratojë gjithçka, që sjell për miratim ekzekutivi i bashkisë, por, mbi të gjitha, për gjetje gjuhe të përbashkët, për diskutim, debat e zgjidhje, për kompromise e ndërveprime në shërbim të qeverisjes lokale dhe realizimit sa me më nikoqirllëk të parave të taksapaguesve shqiptarë. Sepse, në mungesë tolerance, debati e komunikimi normal, për “kokëfortësi” ekzekutive apo për “lojëra” partiake të grupeve, brenda një kampi apo të kampit të kundërt, nuk ka pse të vonohet realizimi i një projekti të dobishëm (rrugë, kanalizim, ujësjellës, shkollë etj.), apo më keq të bezdiset e shqetësohet qytetari për shërbime të ndryshme vendore.
    Përsëri, edhe në raste të këtij lloji në nivel vendor, një sjellje reaktive (jo ballafaquese), nga njëra anë, apo një votë penguese deri në “karshillëk”, nga ana tjetër, e lodh qytetarin-zgjedhës, e rrit abstenimin e tij apo e largon atë gradualisht nga vetë procesi zgjedhor dhe, mbi të gjitha, nga pjesëmarrja normale qytetare... Po aq problematike janë dhe “tronditjet” apo “kërcimet” partiake, diku të porositura, diku dhe spontane. Aq më tepër kur, normalisht, në vend të kalimit nga një parti në tjetrën, duhet të jepet fillimisht dorëheqje nga posti i fituar (me siglën e partisë së para “kërcimit”). Përndryshe, një sjellje e ndryshme e zhgënjen jo pak elektoratin përkatës, pse jo dhe e zhyen vetë politikën...
* * *
Pjesërisht, në procesin e ardhshëm zgjedhor, një pjesë e luhatjeve politike të mësipërme, qoftë me natyrë kolektive (grupore), qoftë me natyrë individuale, kanë një mundësi të dukshme që të minimizohen në maksimum. Edhe në sajë të sistemit zgjedhor që do të praktikohet në këto zgjedhje. Por, kjo nuk do të thotë që dhe pas këtyre zgjedhjeve nuk do të mund të përjashtohen raste të sjelljeve individuale (shumë më pak ato grupore), ku ndonjë deputet i dërguar në Kuvend me votat e një kampi apo partie në momente të caktuara t’i kalojë ato vota në shërbim të një kampi tjetër. Por, ama, sa më pak të shfaqen gjatë një parlamenti apo një qeverisje zhvendosje e deformime të tilla vote, aq më i shëndetshëm nga pikëpamja politike e civile është vetë pasqyrimi institucional shumicë i vullnetit popullor...
      Së fundi, nuk përjashtohet që në një të ardhme të afërt, për një arsye apo tjetrën, pse jo edhe për të shmangur përsëritjen e një procesi zgjedhor, të realizohen dhe bashkime qeverisëse nga pjesë të qenësishme të kampeve të kundërta politike. Pra, edhe pse duket ende sot teorikisht e pamundur, një alternativë e tillë praktike, sado e pazakonshme (as plotësisht e dëshirueshme), përsëri mbetet e pranueshme, në kushte politikisht transparente dhe situata publikisht të realizueshme. Megjithatë, nuk është kjo lloj sjelljeje që prodhon apatinë dhe abstenimin e qytetarit. Përkundrazi, ky qytetar (sidomos ai neutral) shpalos, pa më të voglin hezitim, besim e mbështetje për sjellje të tilla politike, pra jo kur bëhet fjalë për pazare politike e interesa individuale, por për synime e kompromise serioze në shërbim të vendit dhe zhvillimit, vetë proceseve integruese rajonale e evropiane...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›