E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Çështje ditësh 150 mijë tapi legalizimesh

 

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, tha dje në Kuvend se përveç 150 mijë dosjeve për legalizim objektesh, janë gati edhe 4600 dosje të tjera për shtesat pa leje të pallateve të ndërtuar para vitit 1993. Sipas Olldashit, të gjitha këto dosje presin vetëm pagesën e taksës për ndikimin në infrastrukturë për t’i hapur rrugën gjithë procesit të legalizimit. “Në total janë përfunduar 150 mijë dosje me të gjithë dokumentacionin ligjor për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Janë 11 mijë dosje apartamentesh brenda qyteteve, në pallate që kanë shtesa katesh apo shtesa anësore, janë 4600 dosje përsëri të përfunduara që i përkasin kategorisë së pallateve në qytete, por që janë ndërtime para vitit 1993 që i bashkohen 150 mijë dosjeve, janë të gatshme dhe presin vetëm përfundimin e pagesës për ndikim në infrastrukturë. Brenda një periudhe shumë pak ditore, procesi do të konkretizohet me dhënien e tapive, kurse shqetësimi që ngrini për atë pagesë që duhet kryer, është një çështje e ezauruar nga ligji”, theksoi dje Olldashi. Sipas ministrit, “një mori e tillë ndërtimesh që kanë ndikimin e vet në infrastrukturë, që kërkojnë të shërbehen me kanalizime, me ujë, me energji elektrike, do të kenë edhe një taksë për këto shërbime, që shteti do t’ua afrojë këtyre zonave që nuk janë me 5 apo 10 shtëpi, por janë lagje të tëra të qyteteve tona më të mëdha, sikurse e paguajnë të gjitha ndërtimet që bëhen brenda kritereve”. Kreu i Ministrisë së Punëve Publike bëri të ditur gjithashtu se qytetarët nuk kanë pasur ankesa për sa i përket pagimit të taksave të parashikuara në ligj. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje sërish të gjithë qytetarëve që të plotësojnë dosjet për të përshpejtuar legalizimin. “Qytetarët duhet të përshpejtojnë me këto procedura, pasi shteti ka avancuar në këtë drejtim. I ftoj të gjithë ata që kanë objekte për legalizim dhe që kanë plotësuar dokumentacionin ligjor, të kryejnë hapin e fundit, atë të bërjes së pagesës për të marrë një drejtim përfundimtar”, theksoi Olldashi. Një ditë më parë kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndikuar aspak në punën e përditshme për kompletimin e dosjeve për objektet e palegalizuara. Sipas një vendimi të kësaj gjykate, u rrëzuan disa nene të ligjit të Legalizimeve, të cilat i marrin kompetencat pushtetit vendor dhe ia japin ALUIZNI-t për të vazhduar procesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›