Debat për ligjin e ri, lejon ndërtimet pa leje deri në 2010
BLEDAR HOTI
Shoqata e ndërtuesve kundërshton nenin 83 të projektligjit “Për Planifikimin e Territorit”, duke e cilësuar si një vazhdim të procesit të ndërtimeve pa leje në vend.Shoqatat e ndërtuesve në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kontestuan nenin 83 që, sipas tyre, iu lë shteg vazhdimit të ndërtimeve pa leje dhe më pas legalizimin e tyre. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, në mbledhjen e djeshme të komisionit shprehu shqetësimin në lidhje me nenin 83 të projektligjit, duke bërë të ditur se “kjo i lë shteg vazhdimit të ndërtimeve pa leje dhe legalizimit të tyre”. “Ne si shoqatë jemi për të mos ekzistuar më termi i ndërtimeve pa leje”, deklaroi Muçi. Përfaqësuesi i qeverisë në këtë mbledhje, Marin Biçoku kontestoi qëndrimin e shoqatës së ndërtuesve duke u shprehur se “drafti është hartuar në bashkëpunim me donatorët”, duke përmendur edhe emrin e Bankës Botërore. Në nenin 83 të projektligjit theksohet se pas pagesës së gjobës së personit që ka realizuar ndërtimin pa leje, mund të paraqesë kërkesën për legalizimin e objektit. Pikërisht kjo kontestohet nga ana e shoqatës së ndërtuesve, të cilët kërkojnë mosvazhdimin e ndërtimeve pa leje më në vend. Për përfaqësuesit e shoqatës një gjë e tillë shihet e dëmshme, pasi parashikohet që ligji të marrë fuqi të plotë zbatimi në qershor të vitit 2010. Një pikë tjetër, që kontestohet nga ana e përfaqësuesve të shoqatës së ndërtuesve, është lënia e evazive e gjobave në rast të shkeljeve të punimeve nga firmat e ndryshme. Për Muçin, “lënia evazive e gjobave lë shteg për shumë abuzime”. Në nenin 81 janë parashikuar dhe ndëshkimet me gjobë për kundravajtësit e ligjit, që shkojnë nga 10 mijë gjer në 100 mijë lekë. Zyrtarët dënohet me 100 mijë lekë si gjobë deri në 10 për qind të kostos së zhvillimit. Personat për kundravajtje administrative ndëshkohen me gjobë, nga 50 mijë gjer në 200 mijë lekë të reja. Ndërsa dënohet me gjobë gjer në 5 milionë lekë, nëse hyrja në objekt ose përdorimi i objektit pa lëshimin e lejes së përdorimit, si dhe kur vazhdohen punimet megjithëse ka një vendim administrativ për pezullim ose ndërprerje. Sekretari i KRRTRSH-së, Biçoku në këtë mbledhje deklaroi se “në thelb ligji parashikon që realizimi i ndërtimeve dhe shfrytëzimi i hapësirave të bëhet në bazë të planeve urbanistike”. Këshillat Vendore të Rregullimit të Territorit do të ndryshojnë emër dhe funksion dhe do të kenë si detyrë vetëm verifikimin e dokumentacioneve dhe nuk mund të marrin vendime në kundërshtim me planet urbanistike. Këto të fundit miratohen nga një agjenci e posaçme qeveritare, që do të zëvendësojë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës. Projektligji, sipas Biçokut, parashikon edhe ngritjen e një regjistri elektronik, i cili do të përmbajë të gjitha të dhënat mbi territorin, pronarët e ndërtesave dhe trojeve, si dhe do të përmbajë të dhënat e planeve urbanistike. Leja e ndërtimit nga njësitë e qeverisjes vendore parashikohet të jepet për një periudhë kohore prej 55 ditësh. Brenda këtij harku kohor, Kryetari i Bashkisë ose komunës duhet të shprehet pro ose kundër dhënies së lejes. Nëse rrëzohet, ai mund të argumentojë një vendim të tillë. E drejta për zhvillim ose ndërtim, zhvillohet brenda një viti nga data e marrjes së lejes, ndërsa pas miratimit të lejes është përcaktuar që vendimi të publikohet edhe në ndonjë gazetë të përditshme. E gjithë procedura e dhënies së lejes është parashikuar në nenet 71 deri në 76, duke parashikuar në të njëjtën kohë edhe zhvillimin e dëgjesave publike, për çështjen e lejes së zhvillimit apo të ndërtimit. Efektet e këtij ligji pritet të hyjnë në fuqi gjer më 1 janar të vitit 2010. Ndërsa kapitujt për lejet e ndërtimit janë parashikuar që hyjnë në fuqi më 1 qershor të vitit 2010. “Ligji ‘Për Urbanistikën’ të ndryshuar shfuqizohet në tërësi në datën 1 qershor të 2010", thuhet në nenin 92 të projektligjit. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, pas dëgjimit të grupeve të interesit do të vijojë në ditët në vazhdim për shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për Planifikimin e Territorit”.
Neni 83
Ekzekutimi i dënimeve
5. Për punimet e kryera pa leje ose në shkelje të kushteve të lejes, sipas këtij ligji, autoritetet e inspektimit, krahas dënimit për kundërvajtjet e konstatuara sipas nenit 82 të këtij ligji, i kërkojnë kundravajtësit të paraqesë pranë autoritetit përgjegjës, sipas kreut VII, seksioni 3, të këtij ligji, një kërkesë për pajisjen me leje të punimeve paligjshme ose të kryera në shkelje të kushteve të punimeve të paligjshme ose të kryera në shkelje të kushteve të lejes fillestare. Kundërvajtësi paraqitet, së bashku me kërkesën për zhvillimin, dokumentin që vërteton pagimin e gjobës së vënë, sipas nenit 82 të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e vendimit për kundërvajtje administrative.
6. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për leje zhvillimi të punimeve të paligjshme ose të kryera në shkelje të kushteve të lejes fillestare, sipas pikës 5, të këtij neni, autoriteti përgjegjës i planifikimit merr parasysh faktet e rrethanat e mëposhtme:
a) natyrën e shtrirjen e zhvillimit të pautorizuar;
b) dëmin ndaj mjedisit natyror ose të ndërtuar dhe shkallën e dëmit të shkaktuar ndaj pronarëve ose poseduesve fqinjë të tokës;
c) përfitimet e zhvillimit të pautorizuar;
ç) masat e mundshme alternative, që mund të merren, për të korrigjuar ose kthyer në gjendje të ligjshme zhvillimin e paautorizuar
Neni 82
Në nenin 82 është përcaktuar mënyra e dhënies së lejes së ndërtimit. Shqyrtimi i kërkesës për zhvillim dhe miratimi i lejes së zhvillimit është një akt administrativ, që nxirret nga Kryetari i bashkisë/komunës ose zyrtari i autorizuar prej tij me delegim. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës në bashki/ komuna shqyrton brenda 5 ditëve nga data e marrjes së saj në dorëzim dokumentacionin. Kur vërehen mangësi në dokumentacionin e detyrueshëm të kërkesës, njësia vendore njofton kërkuesin dhe i jep 30 ditë afat për t’i plotësuar ato. Në rast se nuk plotësohen, kërkesa rrëzohet. Bashkia/komuna i kthen përgjigje me shkrim kërkuesit, së bashku me një kopje të vendimit të marrë, për pranimin ose refuzimin e kërkesës për zhvillim, jo më vonë se 55 ditë pas marrjes në dorëzim të kërkesës.