Pronat, dokumentet për tapitë e reja
ADI SHKEMBI
Qeveria përcakton dokumentet që duhen paraqitur nga pronarët e tokës bujqësore, të cilët kërkojnë korrigjimin e aktit të marrjes së pronësisë. Nëpërmjet një projektvendimi të propozuar rreth një muaj më parë nga ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, Komisioni vendor i Vlerësimit të titujve të pronësisë, pasi verifikon aktin krijon dokumentacionin e ri mbi bazën e të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi.
Dokumentet
Sipas projektvendimit, qytetarët që kërkojnë korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi duhet të paraqesin kërkesën me shkrim, certifikatën e gjendjes familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile ku pasqyrohet numri i personave të familjes bujqësore, ose individit, si dhe vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore në 01.08.1991, ose punonjës të ish-NB-së më 01.10.1992, të nënshkruar nga kryetari i komunës dhe kryetari i fshatit përkatës. “Familja bujqësore apo individi, të cilëve u lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi, që vjen si pasojë e korrigjimeve të kryera, sipas dispozitave ligjore, i paraqesin, paraprakisht, komunës dhe/ose bashkisë dokumentet, që vërtetojnë se kanë qenë anëtarë të ish- kooperativës bujqësore ose punonjës të ish-NB-së”, thuhet në projektvendimin e paraqitur në qeveri. Në të njëjtën kohë komisioni vendor i kërkon kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetimin për normën mesatare të tokës bujqësore të ndarë për frymë, ku figuron familja bujqësore si dhe sipërfaqen e shprehur në m2 të tokës bujqësore, që sipas kritereve ligjore duhet t’i jepet në pronësi familjes bujqësore ose individit.
Procedura
Sipas projektvendimit, Komisioni Vendor i dërgon seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës autorizimin e lëshimit të aktit të ri të marrjes së tokës në pronësi, së bashku me kopje të dokumentacionit të ri. Nga ana e saj seksioni i administrimit kontrollon dokumentacionin për elementët teknikë si: qenien më 01.08.1991 në zërin kadastral “tokë bujqësore” të sipërfaqes së përcaktuar për t’iu dhënë në pronësi të familjes; qenien të lirë të kësaj sipërfaqe dhe pa mbivendosje me pronësi të tjera; saktësinë e paraqitjes grafike të ngastrës në dokumentacionin dhe përputhjen e saj me gjendjen në terren. Seksioni në të gjitha rastet kur gjen të rregullt dokumentacionin e krijuar nga Komisioni Vendor, plotëson aktin e marrjes së tokës në pronësi brenda 30 ditëve. “Akti i marrjes së tokës në pronësi plotësohet në tri kopje origjinale, nga të cilat njëra i jepet familjes bujqësore ose individit, që fiton të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore, kopja e dytë i dërgohet ZVRPP-ve dhe kopja e tretë, së cilës i bashkëlidhet dokumentacioni i dërguar nga KV-ja, mbahet në ruajtje të përhershme në seksionin e qarkut”, thuhet në projektvendim.
Dokumentet që duhen paraqitur:
i) Kërkesa me shkrim;
ii) Certifikata e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i personave të familjes bujqësore ose i individit, në dobi të të cilit do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes në datën:
- 01.08.1991, për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore;
- 01.10.1992, për punonjësit e ish-NB-ve.
iii) Vërtetimi i faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 01.08.1991 ose punonjës i ish-NB-së më 01.10.1992 të nënshkruar nga kryetari i komunës dhe kryetari i fshatit përkatës.