E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do bëjmë zgjedhje elektronike. Harroni kutitë

Kryeministri replikon me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së. Ruçi: Po shmangni krizën


TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka deklaruar sërish dje se kriza politike nuk do të zgjidhet përmes hapjes së kutive të votimit. Kreu i mazhorancës qeverisëse, duke folur dje në Kuvend, vuri në dukje se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit nuk do të merret parasysh, si rrugë për zgjidhjen e ngërçit politik dhe se qeveria që ai drejton do të aplikojë votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme, me qëllim shmangien e kontestimeve.


Në këtë mënyrë, sipas Berishës, nuk do të ketë më kuti votimi që të kërkohen për t'u rihapur nga opozita. Ai u kërkoi gjithashtu socialistëve që të ndalojnë akuzat ndaj komisionerëve të tyre për manipulime në procesin e numërimit gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.


Berisha ka ironizuar ndaj deputetëve socialistë, duke theksuar se ata kanë frikë nga aplikimi i votimit elektronik dhe se do të mjaftohen vetëm me stilolapsat me bateri që përdorin në Kuvend. "Por, e bukura është se do t'ju nxjerr edhe juve nga kutia. Po, po, do t'ju nxjerr. Do t'ju nxjerr edhe juve nga kutia. Nuk do të ketë në zgjedhjet e ardhshme, as kuti, as komisione, as fletë votimi. Prit, prit, keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë.


Më dëgjoni mua. Do të marrë fund gjyqi i shëmtuar publik që po u bëni çdo ditë në Parlament 20 mijë komisionerëve socialistë. Nuk ka më komisionerë, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit të bazuar me IT. Nuk do të ketë më fletë votimi, do të ketë ekrane fletë votimi, nuk do të ketë më kuti votimi, se çfarë do të thoni ju më pas kur t'ua heq kutitë unë juve. Më thoni mua. Ju do të keni sërish stilolapsat për të filmuar, i merrni këto se do t'ju jap edhe bateritë", - tha dje Berisha.


Ruçi


Por, këtë qëndrim të Kryeministrit Sali Berisha, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e cilësoi si një shmangie ndaj kërkesës themelore të opozitës për hapjen e kutive të votimit, si rruga kryesore për daljen nga situata aktuale politike.


Sipas Ruçit, në vend që Kryeministri Berisha të shprehë vullnetin e tij politik dhe të ofrojë zgjidhje për të dalë nga kriza politike, po kërkon të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik. Kreu i grupit socialist, i ritheksoi edhe një herë shumicës në pushtet, se nuk ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve.


"Kryeministri vjen për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik, dhe aq më tepër që të kontribuojë për uljen e situatës politike, dhe të shprehë një vullnet të mirë, bën sikur nuk shikon, bën sikur nuk dëgjon dhe aq më pak të gjykojë për krizën politike, ekonomike dhe institucionale të këtij vendi.


Mirë që vini dhe nuk po e shikoni këtë krizë dhe që nuk po dëgjoni opozitën që po ju flet për këtë krizë, që nuk po dëgjoni dhe të përcaktoni rrugën për të zgjidhur krizën, por, të paktën mos mashtroni opinionin publik.

Në vend që ta shikosh krizën politike dhe kërkesën e opozitës për bërjen e transparencës, përsëri hedh shashkat e radhës, bën demagogjinë e radhës dhe bën angazhimin e radhës. S'ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e zgjedhjeve",- u shpreh Ruçi.


Ai nënvizoi se zgjedhjet mund të kryhen me votim elektronik, por vetëm kur të jetë kryer transparenca e zgjedhjeve të fundit si dhe përmirësimi i Kodit Zgjedhor. "Mos harroni që jeni Kryeministri '96-ës, sesi i manipuluat ato. Mos harroni Kryeministër se ju kemi akuzuar direkt juve për 2009-ën, që vodhët zgjedhjet me listat elektronike dhe kartat elektronike, që e quanit kryeveprën e qeverisjes suaj.


Mesa duket iu ka mbetur edhe një merak, mesa duket ky është meraku i fundit, pasi i vodhe me mjete primitive në vitin 1996-të, pasi i vodhe me karta të ashtuquajtura elektronike dhe me lista elektronike më 2009-ën, tani të ka mbetur të vjedhësh edhe me votim elektronik. Këtë, këto po u premton shqiptarëve. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që e siguron votimin elektronik apo zgjedhjet e lira demokratike, por jemi të gjithë bashkë", - tha ai.

Tabela

Dje në Kuvend

Replikat midis Kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Ruçi

Sali Berisha: "Por e bukura është se do t'ju nxjerr edhe juve nga kutia. Po, po, do t'ju nxjerr. Do t'ju nxjerr edhe juve nga kutia. Nuk do të ketë në zgjedhjet e ardhshme, as kuti, as komisione, as fletë votimi. Prit, prit, keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë.


Kështu që, ju ndryshoni statutet unë do të ndryshoj procedurat e votimit. Ju ndryshoni statutet, unë do të dixhitalizoj votimin dhe pastaj çfarë do t'u mbetet juve. Jepini fund persekutimit që po u bëni 20 mijë burrave dhe grave të pafajshëm të partisë suaj. Lëreni mos u merrni me to, merruni me Sali Berishën, merruni me kritika ndaj qeverisë. Vazhdoni, por do të mbeteni, siç thotë Fan Noli në përkthimet e tij, si kofini pas të vjelit."

Gramoz Ruçi: "Në vend që ta shikosh krizën politike dhe kërkesën e opozitës për bërjen e transparencës, përsëri hedh shashkat e radhës, bën demagogjinë e radhës dhe bën angazhimin e radhës. S'ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e zgjedhjeve. Mos harroni që jeni Kryeministri '96-ës, sesi i manipuluat ato.


Mos harroni Kryeministër se ju kemi akuzuar direkt juve për 2009-ën, që vodhët zgjedhjet me listat elektronike dhe kartat elektronike, që e quanit kryeveprën e qeverisjes suaj.


Mesa duket iu ka mbetur edhe një merak, mesa duket ky është meraku i fundit, pasi i vodhe me mjete primitive në vitin 1996-të, pasi i vodhe me karta të ashtuquajtura elektronike dhe me lista elektronike më 2009-të, tani të ka mbetur të vjedhësh edhe me votim elektronik.


Këtë këto po u premton shqiptarëve. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që e siguron votimin elektronik apo zgjedhjet e lira demokratike, por jemi të gjithë bashkë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›