Moratinos nuk përmend Shqipërinë: Viza për Bosnjën

Ministri i Jashtëm i Spanjës deklaroi se në qershor ka shpresa për Bosnjën
SARAJEVË - Zyrtarët e Bashkimit Europian po japin gjithnjë e më tepër sinjalin se Shqipëria mund të mos përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave në verën e këtij viti për shkak të krizës politike në vend, ndërsa do të jetë Bosnja - Hercegovina ajo që do ta prekë këtë proces.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian ka deklaruar dje se në qershor shpreson të shpallë lëvizjen e lirë për Bosnjën.
Deklarata është bërë dy ditë më parë para gazetarëve në Sarajevë, ku kreu i diplomacisë spanjolle së bashku me sekretarin e shtetit amerikan, James Steinberg, zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin boshnjak. "Bashkimi Europian shpreson se do ta shpallë tërheqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjës, në muajin qershor", - tha Miguel Angel Morations.
"Me të vërtetë shpresoj se kur të kthehem në qershor, do të jem në gjendje, që në emër të Bashkimit Europian, të shpallë formalisht se populli i Bosnjë-Hercegovinës mund të udhëtojë pa viza në gjithë Bashkimin Europian", - shtoi ai, por pa përmendur në asnjë rast Shqipërinë, e cila aplikon ashtu si edhe Bosnja për liberalizim vizash.
Moratinos, ndërkohë iu referua pikërisht samitit Bashkimi Europian - Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet në Sarajevë, në fillim të qershorit. Ndërkohë, duke iu referuar medieve ndërkombëtare, duket se Bosnja ka më tepër shpresë se Shqipëria për të përfituar nga ky liberalizim. Kështu, "Euobserver", në një artikull të tijin, dy ditë më parë, shkruhej se Komisioni Europian ende nuk kishte paraqitur raportin në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.
"Referuar burimeve, Bosnja ndodhet në një pozitë më të mirë se sa Shqipëria. Për liberalizimin ne i përmbahemi meritave dhe përparimeve individuale dhe në këtë rast përparime ka Bosnja, pra shanset janë për Bosnjën dhe jo Shqipërinë", - citohej një diplomat i BE-së.