Kriza, Montobio: Zgjidhja duhet të vijë në Kuvend
Ambasadori i Spanjës kërkoi sërish dje që forcat politike të ngrinin një komision hetimor mbi bazën e konsensusit
VLORË - Ambasadori spanjoll, Manuel Montobbio, i pranishëm në një forum organizuar në qytetin e Vlorës për dialog internacional, ka deklaruar sërish se kriza politike duhet të kapërcehet. Ai ka theksuar edhe njëherë se zgjidhja duhet të vijë në Kuvend, përmes ngritjes së komisionit hetimor parlamentar.
"Ajo që ka thënë BE-ja në çdo moment dhe këtu janë edhe deklaratat e komisionerit Fyle, është pra që diferenca politike, duhet të zgjidhet në Parlament. Këto diferenca duhet të çojnë në një marrëveshje ndërmjet palëve, që në këtë rast janë qeveria dhe opozita. Dhe kjo marrëveshje duhet të çojë në krijimin e një komisioni parlamentar, bazuar në principin e transparencës dhe kushtetutshmërisë", tha dje Montobio.
Referuar liberalizimit të vizave, ambasadori spanjoll Montobio është treguar edhe më i rezervuar, por insistimit të mediave, të cilat kanë shprehur shqetësimin e një liberalizim vizash të riskuar, Montobio i është përgjigjur se "mesazhi jonë është se ka procese të rëndësishëm që janë vënë në lëvizje, që superimi dhe kalimi i kësaj situate është pozitiv për avancimin e këtyre proceseve". Montobio ishte dje në Vlorë në kuadër të forumit "Europa, ndërmjet meje dhe teje, Spanjë - Shqipëri". I ftuar në panel ishte edhe ministri i shtetit, Genc Pollo.
Ambasadori Montobio, në fjalën e tij, u ndal në Procesin e Barcelonës, me pikënisje vitin 1995, historikun, vlerat dhe rëndësinë që ka ai në krijimin e një hapësire të përbashkët Mesdhetare duke nënvizuar se, ai shënoi një kthesë në integrimin evropian.
Në këndvështrimin e Ambasadorit Montobbio, në mënyrë simbolike, Vlora është një copë toke hyrëse në zonën e Mesdheut. "Ne jemi të gjithë njësoj sepse ne kemi brenda vetes të njëjtin det", - nënvizoi ai.
Sipas ambasadorit Montobbio, sfida për ta shndërruar Mesdheun në një hapësirë të përbashkët, nuk është bërë evidente, siç duhet në histori. Në këtë arsyetim ai shtoi se procesi dhe vetë Deklarata e Barcelonës e vitit 1995, përbëjnë herën e parë kur vendet mesdhetare bëhen pjesëtare të një unioni të përbashkët, në funksion të një ndërtimi europian.
"Integrimi europian, duhet të nisë përmes Mesdheut, kjo ka rëndësi strategjike për BE-në, sepse është një nga bazat që shërben për civilizimin", - theksoi ambasadori spanjoll. Sipas tij, "procesi i Barcelonës shënoi një pikë kthese në integrimin europian, që lidhet me faktin se Deklarata e vitit 1995, u nënshkrua nga përfaqësuesit e të gjitha vendeve mesdhetare të BE-së, që është nga ana tjetër një kontratë sociale mesdhetare".