E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë edhe në Shkozë për shtrenjtimin e energjisë elektrike

DURRËS - Partia Socialiste protestoi dje në lagjen e ish-Kënetës në Durrës, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se qeveria jo vetëm nuk hapi kutitë, por nuk hapi as vende të reja pune, duke zhytur vendin në varfëri dhe papunësi.


"Sali Berisha i grabiti votat në 28 qershor, por më keq akoma, qysh prej 28 qershorit nuk po hap, por po mbyll vende pune, nuk po krijon më shumë mirëqenie, por po provokon më shumë lëndime e po sjell më shumë varfëri, nuk po ofron më shumë shanse dhe mundësi për njerëzit që duan të jetojnë në këtë vend, apo që nuk kanë rrugë tjetër përveçse të jetuarin në këtë vend, por po sjell më shumë papunësi, më shumë rrënim ekonomik e social, më shumë nga gjithçka që ne duhet dhe meritojmë të ndahemi", - tha ai.


Rama theksoi se nuk është një protestë për të larguar një qeveri dhe për të sjellë një qeveri tjetër, por për të rrëzuar një sistem korrupsioni, i cili i ka rrënjët tek kutitë e votimit. "Duhet të hapim kutitë e 28 qershorit, për të ndaluar rrënimin ekonomik që pas 28 qershorit po prek çdo familje shqiptare. Sot secili prej jush po vuan drejtpërdrejtë nga arka e vogël e familjes për të gjitha borxhet që qeveria merr për të qëndruar në këmbë.


Sot nuk është qeveria që mban qytetarët, por janë qytetarët që mbajnë qeverinë përmes pagesës së pamerituar të të gjitha borxheve që kjo qeveri merr përditë thjesht dhe vetëm për të mbajtur një pushtet që është kundër interesave të qytetarëve dhe vetëm në funksion të interesave të një familjeje, të shërbëtorëve dhe të klientëve të asaj familjeje", - tha Rama.


Po dje, faturat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm kanë nxjerrë në protestë para godinës së OSSH-së banorët e njësisë bashkiake numër 1 në kryeqytet. Të pranishëm në protestë kanë qenë edhe deputetët e PS-së, Besnik Baraj, Ditmir Bushati, si edhe Kryetarja e njësisë bashkiake numër 1 Lindita Nikolla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›