E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria bllokon pagat e Gjykatës Kushtetuese

"Hakmarrja"


Ministria e Financave bllokon rrogën e 15-ditëshit, me pretekstin se Kushtetuesja ka rrëzuar ligjin për transportin e funksionarëve publikë dhe duhet rregulluar fondi i pagave


TIRANË - Rrëzimi i njëpasnjëshëm i më shumë se 20 ligjeve dhe VKM-ve po i kushton Gjykatës Kushtetuese pagën mujore. Në shenjë "hakmarrjeje" qeveria i ka bllokuar pagat këtij institucioni të rëndësishëm me pretekstin se ka probleme me organikën.


Justifikimi zyrtar për bllokimin e pagave janë pikërisht dy vendime të marra së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka rrëzuar një ligj dhe një VKM të qeverisë Berisha.


Bëhet fjalë për ligjin "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civil" dhe një Vendim të Këshillit të Ministrave për sa përfshin në fushën e zbatimit të tij Gjykatën Kushtetuese dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor.
Burime nga Gjykata Kushtetuese konfirmuan për "Shekullin" bllokimin e pagave të tyre, si dhe negociatat me qeverinë për këtë çështje. "Është e vërtetë që janë bllokuar pagat tona.


Bllokimi ka nisur në prill kur ne duhet të kishim marrë pagën e 15-ditëshit. Ne kemi kontaktuar me degën e Thesarit Tiranë për këtë çështje dhe përgjigjja që kemi marrë është se bllokimi ka ndodhur për shkak të shfuqizimit nga ana jonë të ligjit për transportin e funksionarëve publikë dhe VKM-në që lejon shoferët", - thanë dje burimet e Gjykatës Kushtetuese.


Sipas tyre, në hartimin e buxhetit qeveria ka parashikuar një fond të caktuar pagash për gjykatën kushtetuese, duke caktuar një numër minimal shoferësh. Edhe pse në nëntor të vitit të kaluar, Kushtetuesja kishte pezulluar ligjin dhe VKM-në, qeveria në hartimin e buxhetit nuk e ka marrë parasysh këtë fakt. Buxheti ka parashikuar vetëm 11 shoferë për Gjykatën Kushtetuese, si dhe një numër më të vogël makinash.


Duke pikasur mundësinë që gjykata Kushtetuese mund të shfuqizonte një vendim të tillë, dega e Thesarit Tiranë i ka parashtruar Ministrisë së Financave problemin që do të lindte.


Sipas burimeve nga dega e Thesarit Tiranë, Ministria e Financave i ka kërkuar që të vazhdojnë procedurën normalisht dhe në rast se shfuqizohet ligji, atëherë të kontaktojnë sërish me të. Në momentin që Kushtetuesja shfuqizoi ligjin, dega e Thesarit Tiranë i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Financave dhe ka marrë përgjigjen: Po punojmë për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar.

"Ngërçi" nuk është zgjidhur deri më tani dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë mbetur pa pagat e 15-ditëshit. "Ne kemi komunikuar me degën e thesarit për këtë problem dhe na kanë thënë se po punojnë për të gjetur një zgjidhje. Ne e kemi fondin e pagave, por me strukturën e parashikuar nga qeveria.


Në këto kushte, ne nuk mund të ndajmë pagën dhe t'ia japim një pjesë, ndërsa një pjesë tjetër t'i themi që nuk ka për të marrë pagën. Deri më tani që po flasim, ne nuk kemi marrë ende pagat dhe situata është e bllokuar. Fondi duhet të kalojë me të gjitha pagat", - thanë dje burimet e Gjykatës Kushtetuese.


Kushtetuesja:
Pse shfuqizuam ligjin e makinave të zyrtarëve


Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pak ditë më parë ligjin "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civil" me argumentin se shkelte parimet e ndarjes së pushteteve. Sipas vendimit, funksioni i gjykatave përcakton vendin e gjyqësorit në sistemin e institucioneve të pushtetit shtetëror dhe për pasojë edhe statusin e gjyqtarëve.


Në nenin 145 të Kushtetutës deklarohet se gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në funksion të rregullimit kushtetues, të parashikuar në nenin 145, pika 1 që njeh pavarësinë e gjyqtarëve dhe nënshtrimin e tyre vetëm ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, pika 3 e kësaj dispozite, në të njëjtën kohë, ka sanksionuar një tjetër rregullim, që ndalon ndërhyrjen në veprimtarinë e gjykatave dhe të gjyqtarëve.


Në vlerësimin e Gjykatës, pavarësia e gjyqësorit kuptohet si pavarësi substanciale, që do të thotë: "...pavarësi organizative që përfshin strukturimin e brendshëm administrativ të gjykatave; pavarësi financiare që nënkupton autonomi në hartimin e buxhetit nga vetë institucioni dhe miratimin nga legjislativi, si një zë i veçantë i buxhetit të shtetit, fonde të përshtatshme e të mjaftueshme për të realizuar qëllimin dhe detyrat e institucionit e sovranitet në lidhje me administrimin e fondeve të akorduara".


Me qëllim dhënien përgjigje të pretendimeve të palëve në këtë gjykim kushtetues, Gjykata vlerëson se duhet interpretuar neni 144 i Kushtetutës, sipas të cilit, "Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë." Pushteti gjyqësor është i ndarë dhe i balancuar me dy pushtetet e tjera. Pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv janë të pajisur me buxhetin e tyre, i cili është i përshtatshëm për realizimin e funksioneve kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›