Berisha: Do bëjmë zgjedhjet më të mira, me ose pa Ramën
Qemal Biraku
Kryeministri Sali Berisha rikthehet në Vlorë për të dytën herë brenda një jave, ku inauguroi përfundimin e punimeve në rrugën transballkanike, si dhe dy investime në Orikum. Në qarkun që nxjerr 12 deputetë, kreu i qeverisë premtoi se në javën e parë të parlamentit të ri, do të kalojë ligjin “Për kalimit në pronësi të tokave të dhëna pa shpërblim”, i cili u jep pronësinë familjeve që kanë marrë tokat në përdorim në zonat e bregdetit. “Disa qytetarëve, të cilët janë zemërthyer, sepse nuk kanë marrë tokën në pronësi, dua t’u them se unë fjalë nuk lë pa mbajtur. E kam bërë dekretin në vitin ‘96, dikush ka bërë një vepër të papërgjegjshme me dekretin, e bëra prapë ligjin, sërish u gjetën tre vetë, që me shprehjen popullore, ta dridhnin në parlament. Sot, unë ju jap fjalën se në javën e parë të mandatit të dytë, ai ligj do të votohet në Parlament. Unë nuk lëviz nga fjala ime, sepse atyre u takon”, u shpreh Berisha. Ligji për tokat në përdorim u tentua të kalohet nga Partia Demokratike në seancën e fundit të parlamentit, por kjo përpjekje dështoi për shkak se deputetët e PR-së u larguan nga salla dhe nuk u arrit kuorumi. Ndërkohë, nga qyteti i Divjakës, ku inauguroi fillimin e punimeve për asfaltimin e aksit Divjakë- Pushimi i shoferit, kreu i qeverisë akuzoi Ramën se do të prishë dhe bojkotojë zgjedhjet e 28 qershorit. “Ti, Edi Rama, tregon se ke mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit, ke mbetur në labirintet e atyre për të cilët vota ishte plumb për armikun. Ty, Edi Rama, të ka mbetur ora te baballarët e tu. Por, unë të them edhe një herë këtu që mos i llogarit hesapet gabim, sepse me ty dhe pa ty shqiptarët do t’i bëjnë zgjedhjet, sepse me ty dhe pa ty do të bëjmë zgjedhjet më të mira, sepse me ty dhe pa ty do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Merr çdo vendim”, theksoi Berisha. Kreu i ekzekutivit theksoi se pasi Evropa votoi të djathtën në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Shqipëria. “Evropa tre ditë më parë u gdhi blu. 24 vende të Evropës votuan për partinë, simotra të PD. Në Bruksel, Berlin, Paris, Romë e kudo kemi miqtë tanë të mëdhenj, miq që e duan Shqipërinë dhe shqiptarët, miq që i besojnë Sali Berishës dhe do ta ndihmojnë atë, për projektin evropian të së ardhmes së Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit u bëri thirrje qytetarëve të Vlorës që të pajisen me kartat e identitetit, duke theksuar se dokumenti i ri plotëson të gjitha standardet evropiane. Gjatë rikthimit në Vlorë, kreu i qeverisë preu shiritin e përurimit të përfundimit të punimeve të për rrugën Transballkanike me gjatësi 2.5 km, dhe vlerë 725 milionë lekë. Kryeministri e vlerësoi rrugën një arterie jetike për Vlorën, pasi e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti. Sipas Berishës, pasi u bë bulevardi, parku energjetik, parku industrial dhe universiteti, Vlora do të ketë edhe aeroportin. Ndërsa në Orikum, kreu i demokratëve inauguroi unazën e re të qytetit, një investim me vlerë 1.2 milion dollarë dhe rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Balill Prelari” së bashku me shtesën e re të shkollës, investim me vlerë 43 milionë lekë.