Patozi: Lë politikën nëse PD humbet në Vorë
Nënkryetari i PD-së, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, Astrit Patozi deklaroi se do të largohet nga politika nëse kjo forcë do të humbasë zgjedhjet në Bashkinë e Vorës, ish-zona e tij elektorale më 3 korrik 2005. Patozi e bëri këtë deklaratë gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku ishte së bashku me Kryetarin e PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi në debatin me dy kandidatët e PS-së, Fatmir Toçi dhe Eltar Deda për qarkun e Vlorës. Patozi deklaroi se Partia Demokratike do të fitojë për vetë investimet që kjo forcë ka bërë për 4 vitet që qeveris vendin. “Deklaroj në mënyrë solemne, se në rast se PD nuk fiton zgjedhjet në zonën e Vorës, ku përfshihet edhe Gërdeci, atëherë unë deklaroj publikisht se do të jap dorëheqjen nga politika”, tha Patozi. Deklarata e nënkryetarit të PD erdhi pas akuzave të dy kandidatëve të Partisë Socialiste se disa zyrtarë të lartë të selisë blu kanë ndryshuar zonat elektorale, për shkak se nuk e kanë vendin e sigurt në Parlamentin e ardhshëm. Në zonën ku ka kandiduar nënkryetari i PD, Patozi, PD i ka fituar të gjitha betejat elektorale gjatë nëntë viteve të fundit. Edhe pak muaj pas tragjedisë së Gërdecit, në zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Kasharit, PD fitoi me një rezultat mjaft të thellë në krahasim me rivalët e saj. ”Dua t’u kujtoj se në zgjedhjet në zonën e Kasharit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg nga Gërdeci, PS humbi thellësisht zgjedhjet, duke u renditur jo forca e dytë politike, por forca e katërt politike”, tha Patozi.