Botohet fjalori i parë Kinez- Shqip me autore Donika Titka e Shi Jun
Fjalori kinez-shqip është një fjalor që plotëson mungesën e fjalorëve dygjuhësh kineze-shqip, në përdorimin e gjuhës kineze nga shqiptaret dhe kinezet shqipfolës, duke shërbyer si një mjet i vlefshëm pune. Në hartimin e fjalorit është përdorur gjuha kineze mandarin, që është dhe gjuha kombëtare,ose siç i thonë kinezët (pu tong hua), apo dialekti i Pekinit. Gramatika e gjuhës kineze është relativisht e thjeshtë: kryefjalë, folje, kundrinor. Ajo që e bën të vështirë në të folur, janë tonet të cilat janë (katër) dhe dallohen nga intonacionet muzikale të zërit, sipas shenjave të veçanta. Nuk ka zgjedhim foljesh apo lakim emrash. Për të dalluar gjininë në shumicën e rasteve përdoret hieroglifi që përfaqëson burrin ose gruan, përpara hieroglifit bazë. Për të lehtësuar mësimin e gjuhës kineze, përdoret transkriptimi universal me anë të germave latine e që quhet pin yin. Për një përdorim sa më të mirë të fjalorit janë dhënë tabela krahasuese të shqiptimit sipas transkriptimit që përdorin kinezët. Fjalori në 304 faqe ka rreth 22000 fjalë dhe mjaft sinonime që bëjnë të mundur përdorimin e hieroglifeve të ndryshme për të njëjtën fjalë. Mendojmë se mbetet një fjalor modest, që mund të pasurohet më tej me terminologjinë bashkëkohore në fusha të ndryshme. Megjithatë pasqyron një nivel të mirë të zhvillimit të gjuhës kineze në drejtim të përmirësimit e të thjeshtimit të saj në të shkruar. Shpresojmë që lexuesi i interesuar ta mirë pres, e të jetë i dobishëm, sidomos me hapjen e katedrës gjuhës kineze pranë fakultetit gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës.
Çelet ekspozita "X-paths2, Albania in focus" në FAP
Një nismë e veçantë ka nisur mbrëmë në Galerinë FAP deri në datën 17 qershor në Akademinë e Arteve të Bukura. Dy fotografe nga Kanadaja dhe Translyvania do të paraqesin për publikun kryeqytetas një ekspozitë me 100 foto nga të gjithë trevat shqiptare. Kjo nismë konsiston në faktin se këto fonde që do të mblidhen nga shitja e këtyre fotografie do të shkojnë për bamirësi. Izabella Aci, nga Transylvania dhe Kimberly Hakkenberg nga Kanadaja sjellin për herë të parë një ekspozitë për bamirësi në Akademinë e Arteve. Të pyetura rreth kësaj ekspozite ata pohuan se “Ne kemi jetuar për 4-5 vjet në Shqipëri në Tiranë, dhe kemi qenë kudo nëpër Shqipëri, që nga veriu deri në jug, kemi bërë foto në çdo kohë. Këto foto që kemi ekspozuar sot janë fotot e viteve të fundit, në Shqipëri dhe vendosëm ta bëjmë këtë ekspozitë të tregojmë, vendet më bukura të Shqipërisë, njerëzit e mirë, ngjyrat, etj”. Më tej ata theksuan se “Ne kemi qënë në Tropojë, Shkodër, Berat Përmet, Gjirokastër, por jo në zonat bregdetare. Paratë e kësaj ekspozitë do të shkojnë për bamirësi, sepse ne duam të gjithçka jona të kthehet përsëri në Shqipëri, këtë para do të shkojnë për fëmijët dhe gratë”. Gjatë bisedës Kimberly Hakkenberg, përshkruan foton e plakës në Ardenicë, ajo thotë se, “kjo plaka rrinte ulur atje, duke mbledhur lule dele, të cilat i mblidhte për të bërë ilaçe”.
Ndërsa Izabellë Aci, shprehet rreth ekspozitës duke cilësuar se shumë foto janë bardh e zi, por jo me pamje nga natyra sepse natyra shqiptare është shumë ngjyrëshe, ndërsa fotot bardh e zi janë foto ku në të janë fokusuar njerëzit, sepse qytetarët shqiptar janë shumë të fortë. Gjithashtu kam bërë foto bardh e zi edhe për objektet e braktisura siç janë fabrikat uzinat, dhe kam fotografuar uzinë e metarlugjike në Elbasan.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në 26 fotografi
Një ekspozitë me rreth 26 fotografi që synon promovimin e portreteve kolektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që presin të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, u çel dje në Qendrën e Informacionit të Delegacionit Europian në Tiranë.
Ekspozita “The Culture Lobby” (Lobimi Kulturor), e çelur nën kujdesin e Ambasadës Britanike dhe Këshillit britanik në Tiranë, sjell një nismë që synon të ngrejë një arkivë aktive të kujtesës kulturore në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë në këtë momenti tranzicioni. Përmes fotografive dhe video instalacioneve, punimeve grafike, akuarel etj, ekspozita dokumenton gjithçka që qytetarët e këtyre vendeve mendojnë se do të ndryshojë me integrimin e Ballkanit në BE. “Jam shumë i kënaqur që Qëndra e Informimit të BE-së pati mundësinë që të ketë këtë ekspozitë fotografish në lidhje me Bashkimin Europian", u shpreh Shefi Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Sipas tij, kjo ekspozitë jep një panoramë të gjerë të integrimit të Shqipërisë në BE. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të qershorit.
Shpallet fituesi i Italian Dance Festival
Mbyllet konkursi për DJ i organizuar nga Ambasada Italiane i cili ishte pjesë e Sezonit të Madh të Aktiviteteve "Dy popuj një det një miqësi". Të shtunën në qytetin e Durrësit, Ambasada Italiane organizoi fazën finale të Italian Dance Festival, konkursit për DJ. Gjatë kësaj mbrëmje në sheshin Taulantia luajtën finalistët e konkursit si edhe ishin të ftuar disa prej DJ më të mirë Italianë dhe Shqiptarë. Ky aktivitet u ndoq nga mijëra qytetar të Durrësit dhe Tiranës. Italian Dance Festival ishte një aktivitet i Ambasadës Italiane i menduar si një konkurs i vërtetë midis DJ-ve të rinj më të talentuar nga e gjithë Shqipëria për të nxjerrë në fund edhe DJ-in më të mirë. Në këtë konkurs, morën pjesë shumë DJ të cilët janë ballafaquar me shijet e publikut dhe të jurisë. Para natës finale u organizuar tre gjysmëfinalet që kanë nxjerrë nga një fitues që mori pjesë në finalen e organizuar të shtunën në Durrës. Gjysmëfinalet janë organizuar në qytetin e Tiranës dhe Vlorës në klubet më të njohura të muzikës elektronike dhe janë ndjekur nga një mase e madhe audience të rinjsh. Italian Dance Festival, si pjesë e Sezonit të Madh të Aktiviteteve të Ambasadës Italiane, është menduar si një urë komunikimi kulturor midis dy popujve, për të përcjellë nëpërmjet muzikës lidhjet e forta midis dy vendeve në brigjet e Adriatikut. Në këtë aktivitet që u organizua të shtunën në Durrës, Ambasada Italiane përveç DJ-ve të rinj që kanë kaluar garat gjysmëfinale, ftoi disa prej DJ-ve më të mirë italianë si: Provenzano, DJ Molella, DaniJay, etj. Gjithashtu si përshëndetës në këtë mbrëmje do të jenë të pranishëm edhe disa prej DJ-ve më të njohur të klubeve në Shqipëri si DJ Aldo, DJ Olti dhe Dori DJ.
15 Qershor 2010