E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri shqiptar do të valëvitet sot në selinë e NATO-s



Shqipëria do të nënshkruajë protokollin e anëtarësimit

Ministri Basha do të ulet në tryezën e anëtarëve të Aleancës

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është nisur ditën e djeshme në mbrëmje për në Bruksel ku e pret një ceremoni e veçantë në selinë e NATO-s. Ai do të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit në NATO, çka nënkupton hapin e parafundit zyrtar për të qenë në tryezën e NATO-s si vend anëtar. Ceremonia në fjalë ka një detaj domethënës. Lulzim Basha do të ulet pas orës 12.00 në mesditën e sotme, në tryezën e rrumbullakët të anëtarëve të NATO-s, ku do të përfaqësojë Shqipërinë me atributet e një vendi anëtar me të drejta të plota, pa të drejtë vote. Shqipëria në këtë mënyrë, ka futur këmbën e djathtë në këtë aleancë dhe kjo do të manifestohet me ngritjen e flamurit shqiptar në oborrin e selisë së NATO-s në Bruksel. Ministria e Jashtme ka publikuar edhe axhendën përkatëse në lidhje me këtë ceremoni, ku i pranishëm do të jetë edhe homologu kroat i Bashës.

Protokolli

Protokolli i Anëtarësimit në NATO ka një histori 54-vjeçare. Ai u krijua nga NATO-ja në vitin 1954 dhe nënshkruhet nga çdo vend që kërkon të bëhet anëtar. Protokolli kërkon nga vendi anëtar të respektojë detyrimet e NATO-s dhe në këmbim do të marrë sigurinë maksimale. Në mënyrë të qartë, Protokolli shpreh se në rast se Shqipëria kërcënohet me luftë nga ndonjë vend tjetër, atëherë të gjitha vendet e NATO-s do t’i shpallin luftë vendit që kërcënon Shqipërinë. Ky detaj, edhe pse jashtë mode apo kohe, shpreh rëndësinë që ka NATO dhe siguria që të ofron ky organizëm kolegjial. Nënshkrimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i hap rrugë ratifikimit të këtyre protokolleve nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Me pak fjalë, pas nënshkrimit të këtij Protokolli, të gjitha vendet do të ratifikojnë në veçanti këtë dokument. Duke llogaritur kohën që nevojitet, Shqipëria do të ketë të drejtën e votës në Këshillin e NATO-s, në muajin mars, kur do të festohet në Bruksel 60-vjetori i krijimit të NATO-s.

Axhenda

Ceremonia e sotme do të fillojë me një takim midis Sekretarit të Përgjithshëm Jaap De Hoop Scheffer dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe ministrit të Jashtëm kroat, z. Gordan Jandrakovic në orën 9:30 të mëngjesit. Më pas në orën 10:15 fillon mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku pas fjalimeve nga Sekretari i Përgjithshëm Scheffer, Dekani i Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Në orën 11:00 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë do mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 12:00 Këshilli i Atlantikut të Veriut fillon mbledhjen e tij të rregullt ku Shqipëria dhe Kroacia marrin pjesë për herë të parë, pa të drejtë vote. Ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të Anëtarësimit dhe konferenca e përbashkët për shtyp do të mbulohen dhe transmetohen drejtpërdrejt nga transmetuesi televiziv i NATO-s.

Siguria

Si anëtare e plotë e NATO-s, Shqipëria fiton një shkallë sigurie, duke pasur parasysh tensionet që duket se po shfaqen në marrëdhëniet mes Evropës Perëndimore dhe Rusisë, lidhur me Kosovën, mbi interesin e Shteteve të Bashkuara për ngritjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke, si edhe disa çështje ekonomike. Anëtarësimi në NATO përmirëson shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE, gjë që sigurisht do të sillte benefite ekonomike për qytetarët shqiptarë. Siguria e ofruar nga NATO-ja do t’i hapë rrugën vërshimit të investitorëve të huaj.

128.7 milionët e eurove të ARMO-s, për pak javë në Buxhet

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ishte dje i pranishëm në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku raportoi përpara deputetëve në lidhje me shitjen e kompanisë shqiptare të naftës ARMO. Ruli tha se kontrata do të vijë së shpejti në Kuvend duke i hapur rrugën miratimit të saj brenda korrikut, duke bërë të mundur që po brenda këtij muaji në buxhet të shkojnë 128.7 milionët e eurove të shitjes. Ministri tha më tej se ky privatizim ka qenë nga më të suksesshmit dhe do të ketë impakte pozitive edhe për punonjësit e kësaj kompanie. Përfaqësuesit e konsorciumit amerikan “Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group” kanë bërë të ditur se nuk do të ketë shkurtime nga puna, përkundrazi, do të shtohet fuqia punëtore si dhe do të rriten me 30 për qind pagat e punonjësve që në muajin e parë që do të marrë nën administrim ARMO-n. Qeveria shqiptare ka planifikuar që një pjesë e të ardhurave nga privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës ARMO të përdoret për rrugën Durrës - Kukës. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka bërë të ditur se paratë e këtij privatizimi do të përfshihen në buxhetin suplementar që do të paraqitet për miratim në Kuvend. Sipas Ministrisë së Financave, 50 për qind e të ardhurave nga shitja e kësaj kompanie do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor, ndërsa gjysma tjetër do të shkojnë për investime në rrugë. Prioritet me gati 90 për qind të shumës që do të destinohet për investime, do të ketë rruga Durrës - Kukës. Konsorciumi amerikano-zviceran “Refinery Associates of Texas”, Mercuria Energy Group LTD dhe Anika Entreprises S.A, mori më shumë pikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Energjetikës Ekonomisë dhe Tregtisë. Me 93.4 pikë ajo fitoi të drejtën për të zotëruar 85 për qind të aksioneve të ARMO-s.

Ministria e Brendshme kërkon mendime për reformën në administratë

Ministria e Brendshme organizoi ditën e djeshme një takim diskutimi me grupet e interesit mbi draftin e Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratës Publike. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u kërkoi këtyre grupeve që të paraqesin mendimet e tyre në lidhje me këtë reformë tepër të rëndësishme dhe me prioritet të qeverisë. Në takim morën pjesë përfaqësues Këshillit të Ministrave, të grupit ndërministror të ngritur për hartimin e kësaj strategjie, të grupit teknik dhe të grupit këshillimor që përfshin disa organizata jofitimprurëse të angazhuara në këtë proces. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe përfaqësues të donatorëve të ndryshëm që veprojnë në Shqipëri dhe të disa ambasadave. “Rëndësi të veçantë në këtë drejtim ka edhe përmirësimi i legjislacionit për shërbimin civil për kryerjen e rekrutimeve bazuar në kritere e procedura të qarta ligjore dhe shkëputjes nga debati politik. Në rast se nuk ka një konvergim midis opinionit brenda një Departamenti të Burimeve Njerëzore dhe asaj që ofron Departamenti i Administratës Publike, atëherë ne nuk do të gjejmë instrumentet e duhura për të nxitur dëshirën për karrierë tek ata individë që kërkojnë të bëhen pjesë e administratës publike”, - tha ministri Nishani. Grupet e interesit do të kenë në dispozicion edhe një periudhë dyjavore për të paraqitur rekomandimet e fundit e më tej drafti në formën përfundimtare do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›