Kryesia e PS-së, e shqetësuar për marrëdhëniet me aleatët
Xhafa raporton për reformën zgjedhore
Asambleja do të miratojë propozimet për kodin e ri
Kryesia e Partisë Socialiste i ka dhënë dje dorën e fundit draftit me propozime për reformën zgjedhore. Pas kësaj, do të jetë Asambleja Kombëtare e selisë rozë që do të japë miratimin përfundimtar në mënyrë që socialistët ta paraqesin atë në komisionin e posaçëm zgjedhor. Burime nga mbledhja e kryesisë që zhvilloi punimet e radhës në qytetin e Durrësit konfirmuan se sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, paraqiti para anëtarëve të kryesisë të gjitha propozimet e kësaj partie duke u dhënë informacionin e plotë rreth arsyeve të gjithë asaj çfarë kërkon kjo parti nga Kodi i ri Zgjedhor dhe se çfarë përfitohet prej ndryshimeve të reja. Të njëjtat burime saktësuan se anëtarët e kryesisë kanë kërkuar nga drejtuesit e partisë shpjegime rreth negociatave që janë zhvilluar me aleatët e PS-së, por edhe me Partinë Demokratike. Drafti i selisë rozë për reformën zgjedhore është përgatitur nga sekretari për çështjet ligjore në parti, Fatmir Xhafa, së bashku me një grup juristësh të drejtuar prej tij. Çështje kryesore për selinë rozë janë regjistri themeltar i shtetasve, kartat e identitetit, formula e re e funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çështja e pragut etj.
Drafti i PS-së mbahet ende sekret nga drejtuesit e kësaj partie, kjo sepse ai nuk kishte kaluar ende në miratim nga strukturat vendimmarrëse të saj. Pas mbledhjes së kryesisë, pritet miratimi nga AK-ja, e cila do tw zhvillohet tw shtunën nw qytetin e Fierit. Sipas burimeve nga PS-ja, pritet që reforma zgjedhore të rezervojë surpriza që lidhen kryesisht me procesin e votimit. Socialistët kanë gati propozimet e tyre për formulën e re të KQZ-së, por edhe të komisioneve të qendrave të votimit dhe numërimit të votave. Paraprakisht ata kanë rënë dakord me demokratët për propozimet në mënyrë që gjithçka të ecë normalisht dhe brenda këtij muaji të miratohet Kodi i ri zgjedhor.
Ndërkohë që çështje të tjera të rendit të ditës së mbledhjes së kryesisë ishte një raportim i përgjithshëm i ecurisë së turit “Dialog me Shqipërinë” të kryetarit të partisë, Edi Rama. Në raportimet mëparshme vihej re se turi ishte i suksesshëm, por theksohej dështimi i disa tureve të tjera, me krerët vendorë të PS-së, si “Thuaje fjalën tënde” apo “Gjykoni punën time” që nuk ishin zhvilluar thuajse në të gjithë vendin, përjashto këtu disa qytete kryesore. Njëkohësisht kryesia miratoi dje axhendën e PS-së për muajt në vazhdim deri në dhjetor të këtij viti ku theksohet intensifikimi i opozitarizmit, grupit parlamentar, vazhdimi i turit “Dialog me Shqipërinë”, përgatitja për zgjedhjet e 2009-ës etj. Nw përfundim tw mbledhjes, anwtarwt e kryesisw kanw darkuar nw njw nga restorantet mw tw mira nw Vorw.
KQZ: Bakalli regjistrohet pak orë para mbarimit të afatit
Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet në komunën Kashar Alfred Bakalli ka nxituar të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ditën e djeshme pak orë para përfundimit të afatit kohor të vendosur nga ligji. Këtë e vërteton dhe dokumenti i KQZ-së ku bëhet e qartë se Bakalli e ka bërë zyrtar kandidimin e tij vetëm ditën e djeshme, ndërkohë që zgjedhjet në komunën Kashar do të mbahen të dielën. Nuk është e para herë që partitë kujtohen për të regjistruar kandidatët e tyre momentet e fundit duke rrezikuar mosfutjen në garën elektorale dhe pse paraprakisht bëjnë fushatë për të fituar zgjedhjet. LSI-ja do të garojë në këto zgjedhje përballë PS-së dhe PD-së.