Berisha: Do mbajmë premtimin për liberalizimin e vizave
Kryeministri Sali Berisha tha dje se qeveria po plotëson të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave me BE-në. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i Ekzekutivit u shpreh se prioritet është rritja e numrit të qytetarëve që do të pajisen me pasaportat biometrike dhe kontrolli i kufijve. “Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të dhënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit”, u shpreh Berisha. Sipas tij, kanë mbetur gjithsej pesë pika kufitare, në të cilat do të instalohet gjatë këtyre ditëve sistemi TIMS, siç janë Shishtaveci, Orgjosti, Sopiku dhe Ribsi. Gjithashtu kreu i Ekzekutivit theksoi se do të vendoset një sistem kamerash për të kontrolluar të gjitha pikat e kufirit. Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, kreu i qeverisë përmendi ndryshimin e ligjit për TVSH-në dhe shkurtimi i kohës për marrjen e një leje ndërtimi. Por edhe në këtë mbledhje të grupit demokrat ai i bëri thirrje PS-së të ofrojë konsensusin në prag të marrjes së vendimit nga Brukseli. “Eshtë edhe një herë rasti që të ftoj opozitën, të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtet realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Eshtë një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.