Statusi kandidat, BE nis shqyrtimin
ADI SHKEMBI
Gjashtë muaj pas dorëzimit në Pragë të kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, Bashkimi Evropian nis shqyrtimin e saj. Në drekën e punës që do të mbajnë sot ministrat e Jashtëm të BE-së, kur në seancën për Ballkanin Perëndimor do të diskutohet për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, pritet që një pjesë e seancës t’i kushtohet Shqipërisë. Me iniciativë të ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, krerët e diplomacisë evropiane do të prekin anën teknike të kërkesës së Tiranës, megjithëse nuk pritet që gjatë drekës së sotme të ketë një vendim. Pak ditë më parë, gjatë një takimi me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, kreu i diplomacisë italiane tha se do t’i kërkojë Këshillit të BE-së të autorizojë Komisionin Evropian për të përgatitur opinionin. “Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Luksemburg do të diskutoj përsëri transmetimin e shpejtë të aplikimit të departamentit përgjegjës të Komisionit Evropian, për të filluar procedurat të cilat shpresojmë të çojnë në njohjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. E di shumë mirë se ka pak skepticizëm të një numri të kufizuar të vendeve anëtare për arsye të tranzicioneve politike të brendshme, në mënyrë të veçantë Gjermania, e cila po kërkon pak më shumë kohë deri sa të krijohet qeveria e saj”, u shpreh Fratini gjatë konferencës për shtyp. Sipas tij, “vendimi për t’i transmetuar dosjen Komisionit Evropian nuk është një vendim politik. Ky vendim duhet të merret tani në nivel teknik dhe të zbatohet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së. Unë e kam ngritur zërin me Presidencën dhe shpresoj shumë që mendimi im të ndiqet nga shumica e vendeve anëtare të BE-së”. Kërkesa e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat ishte parashikuar në fakt për t’u shqyrtuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian në mesin e muajit tetor, por me kërkesë të Gjermanisë dhe Holandës ajo u shty. Dy vendet e BE-së kërkuan më shumë kohë për të hartuar dosjen e Tiranës zyrtare, teksa shtuan se përpara se të marrin vendimin do të presin edhe progres-raportin, i cili u publikua në 14 tetor. Një tjetër çështje që pritet të zgjidhet përpara se t’i jepet një përgjigje Shqipërisë, është procedura që do të ndjekë Gjermania. Berlini ka bërë të ditur se do të duhet që në fillim të shprehet Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë për çështjen e Traktatit të Lisbonës, që ka të bëjë me zgjerimin e BE-së, por edhe Parlamenti gjerman, i cili do ta zhvillojë seancën e parë pas zgjedhjeve të përgjithshme në fund të këtij muaji. Procesi i integrimit evropian të një vendi është i ndarë në shtatë faza, ndërkohë që në këto momente Shqipëria ka kaluar tri prej fazave. Faza e katërt ku ndodhet aktualisht Tirana zyrtare është ajo e “Opinionit” dhe i referohet vlerësimit që i bëhet aplikimit të një vendi për t’u anëtarësuar në BE nga ana e Komisionit Evropian, mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit të përgatitur nga komisioni. Komisioni Evropian pritet t’i dërgojë Shqipërisë një pyetësor me rreth 4500 pyetje mbi të gjitha drejtimet kryesore të vendit. Shqipëria do t’i kërkojë KE-së një afat rreth katër muaj kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, të cilat do të përbëjnë edhe dosjen me të cilën Tirana zyrtare do të bindë Brukselin për reformat e ndërmarra dhe gatishmërinë e saj për të fituar statusin e vendit kandidat. Faza e opinionit nis nga momenti i aplikimit të një vendi dhe zgjat 1 deri në 3 vjet. Më pas kalohet në fazën e pestë, e cila përfshin fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që përfshin një afat kohor minimalisht një vit dhe maksimalisht shtatë vjet. Hapi i parafundit është nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit që zgjat nga dy muaj deri në pesë vjet, ndërsa faza e shtatë dhe e fundit është data e anëtarësimit që përfshin harkun kohor nga 1 deri në dy vjet.