E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozitë është përgjegjshmëri!

Blendi Fevziu 

Nëse bie kjo qeveri, ne do t’ju heqim vizat për një javë dhe do t’ju fusim në Bashkimin Europian për tre muaj”! Kjo ishte deklarata më e artikuluar dhe më evidente e mitingut të opozitës disa ditë më parë në Shkodër. E shqiptuar me zë të lartë dhe në formën e një premtimi të mirëfilltë politik, nuk ka asnjë dyshim se deklarata në fjalë, përbën shembullin tipik të abuzimit me një koncept shumë të rëndësishëm për një shoqëri demokratike, opozitën dhe të drejtën e detyrimin e saj.  
Partia Socialiste ka vendosur tashmë të qëndrojë jashtë parlamentit shqiptar, për aq kohë sa, sipas saj, maxhoranca nuk do të hapë kutitë e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi i marrë mes shumë kundërshtish të brendshme dhe i mbështetur edhe nga disa parti që nuk arritën të marrin numrin e votave për t’u përfaqësuar në Parlament, duket se do të mbështetet edhe nga një seri protestash në qytete të ndryshme të vendit. Nuk dua t’i hyj analizës nëse është kjo rruga më e mirë politike që opozita po ndjek për t’ju kundërvënë një maxhorance të fuqizuar nga koalicioni i PD me LSI; nuk dua të komentoj faktin se sa keq është për vendin mungesa e një opozite parlamentare; as të gjej mënyrën juridike se si mund të plotësohet kërkesa e opozitës. Eshtë e drejtë e çdo force politike në minorancë ta ndërtojë mënyrën e të bërit opozitë ashtu si ajo e mendon. Në raport me fuqizimin dhe faktorizimin e saj. Eshtë e drejtë e çdo force jo qeveritare të bëjë ç’është e mundur për të ardhur sa më parë në pushtet. Protestat janë një formë jo vetëm legjitime, por edhe efikase e të bërit opozitë. Aq më tepër kur ato bëhen për hir të votës së lirë dhe transparencës së saj, duhen respektuar edhe më shumë. Opozita duhet t’i shtojë dhe intensifikojë ato. Por opozitë do të thotë përgjegjësi dhe jo papërgjegjshmëri! Thënë ndryshe, opozita është një element tejet i rëndësishëm i një sistemi demokratik. Ajo ka peshën e saj të madhe dhe çdo opozitë, është një ekip që pret kohën për t’u shndërruar në një qeveri efikase. Po si mund të merret seriozisht një opozitë që premton publikisht heqjen e vizave për një javë dhe anëtarësimin në BE për tre muaj!!! Nuk ka asnjë njeri në këtë vend, qoftë edhe në shkallën më të ulët të inteligjencës apo në minimumin e informacionit, që të besojë diçka të tillë. Nuk ka asnjë dyshim që çdo njeri e di se heqja e vizave apo hyrja në BE janë procese që marrin kohën e tyre; ato nuk varen nga lloji i qeverisë, por shtyhen përpara nga performanca e një ekipi qeverisës apo tjetrit. Për fatin tonë të mirë, një deklaratë të tillë, tejet të papërgjegjshme nuk e bëri as opozita shqiptare e vitit 1991, e cila mbështetej fuqimisht nga gjithë bota demokratike dhe kishte mundësinë të luante me një spekulim të tillë!
Nuk ka asnjë dyshim se një deklaratë e tillë dhe mbështetja e saj nga lidershipi i PS-së, e kthen opozitën shqiptare dhe misionin e saj fisnik në diçka më shumë se qesharake. Një deklaratë e tillë të bën të besosh se ose opozita e ka humbur sensin e realitetit, nuk kupton asgjë nga procesi i integrimit dhe rruga ku ka hyrë Shqipëria, ose ajo tallet me një mision të tillë fisnik. Nuk ka asnjë dyshim që opozita duhet respektuar, por po ashtu, nuk ka asnjë dyshim që edhe opozita duhet të jetë serioze dhe të respektojë shoqërinë shqiptare. Shoqëri që është sot më e pjekur dhe e përgjegjshme se sa mendojnë shumë politikanë pa pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›