E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Tiranës, sherr në Këshillin Bashkiak

 

zirina llambro

Akuza dhe kundërakuza. Pas dy orë diskutimesh të qeta mbi planin rregullues situata është tensionuar duke kaluar në tone mjaft të ashpra e deri në fyerje. Protagonistë kanë qenë administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli dhe anëtari i Partisë Demokratike, Gjergj Bojaxhi. Pas një sërë pyetjesh që bënë anëtarët në këshill dhe pretendimesh që ata ngritën, administratori që prezantoi planin nisi të jepte përgjigjet përkatëse. “Plani është sistem rregullash, si do jepen shërbimet, plani nuk është projektzbatim i një kanali apo i njollave të pallateve. Është plani i parë që ka pasur konsultimin më të gjerë publik. Të thuash që plani nuk është diskutuar është jo normale. Ka pasur mbi 20 debate publike, ka ndenjur mbi tre muaj i ekspozuar, dhe është parë nga qytetarët e Tiranës”, tha Agolli. Menjëherë pas kësaj fjalie reagoi Gjergj Bojaxhi. Ai theksoi se plani nuk ka pasur aspak konsultime të gjera me qytetarët dhe se me këtë fakt abuzohet. “Nuk janë bërë konsultime të gjera. Nuk jemi këtu për t’u tallur. Mos gënjeni”, tha Bojaxhi. Pas kësaj fjalie Agolli është kundërpërgjigjur me tone tejet të ashpra. “Nuk jam gënjeshtar, mos ofendo. Ju hidhni baltë mbi qytetin e Tiranës, nuk e baltosni dot planin. Unë nuk të lejoj si nëpunës i shtetit të Shqipërisë të më akuzosh mua për korrupsion. Turp të kesh se unë jam babai i dy fëmijëve. Ti hedh akuza mbi njerëz të ndershëm. Jam para të gjithë qytetarëve të Tiranës. Nuk lejoj asnjë që të më akuzoni mua, nuk ju lejoj, nuk mundesh ti”, tha jo pak i nervozuar Agolli. Nga ana tjetër, Bojaxhi vijoi ta quante gënjeshtër të pastër çështjen e konsultimeve. Ai tha se plani është përkthyer nga anglishtja vetëm para disa muajsh, kështu që nuk ka sesi të ketë pasur kaq shumë të tilla. “Kur e ke përkthyer planin mor zotëri, je gënjeshtar. Është gënjeshtër e hapur. Kujdes kur flet. Ku e ke datën mor zotëri, datën e përkthimit. Na tregon konsultimet e gjera”, tha Bojaxhi. Pas këtyre akuzave kreu i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishi, ndërpreu mbledhjen për rreth çerek ore. Më pas mbledhja rifilloi sërish me rendin e ditës.

debati agolli-bojaxhi

Agolli: Plani është sistem rregullash, si do jepen shërbimet, plani nuk është projektzbatim i një kanali apo i njollave të pallateve.

Plani rregullues përcakton se ku do akomodohet kjo rritje urbane. Shpjegimet e detajuara janë në raportin e plotë. Plani i parë që ka pasur konsultimin më të gjerë publik. Të thuash që plani nuk është diskutuar është jo normale. Ka pasur mbi 20 debate publike, ka ndenjur mbi tre muaj i ekspozuar dhe është parë nga qytetarët e Tiranës. Ndaj mos më ndërprisni.

Bojaxhi: Nuk janë bërë konsultime të gjera. Nuk jemi këtu për t’u tallur.

Agolli: Mos më ndërprit.

Bojaxhi: Unë të mirëkuptoj, por po ia fut kot. Ti thua që keni bërë konsultimet, kur i ke bërë konsultimet e gjera, kur plani është përkthyer brenda disa muajsh. Mos gënje. Vetëm hartat janë prezantuar.

Kur e ke përkthyer planin mor zotëri, je gënjeshtar. Është gënjeshtër e hapur. Kujdes kur flet. Ku e ke datën mor zotëri, datën e përkthimit. Na tregon konsultimet e gjera.

Agolli: Nuk jam gënjeshtar, mos ofendo. Ju hidhni baltë mbi qytetin e Tiranës, nuk e baltosni dot planin. Unë nuk të lejoj si nëpunës i shtetit të Shqipërisë të më akuzosh mua për korrupsion. Turp të kesh, se unë jam babai i dy fëmijëve. Ti hedh akuza mbi njerëz të ndershëm.

Jam para të gjithë qytetarëve të Tiranës. Nuk lejoj asnjë që të më akuzoni mua, nuk ju lejoj, nuk mundesh ti.

Pyetjet e këshilltarëve të PD për planin rregullues

Pas prezantimit të planit,nisën diskutimet dhe kundërshtitë kryesisisht nga anëtarët e PD-së në këshillin bashkiak. Në fokus u vu mungesa e studimeve mbi ndotjen reale të mjedisit,apo mangësitë në hartat e planit.
Besnik Aliaj
Kam parasysh diskutimet 2005-2006 për Planin Rregullues që u diskutua para disa vitesh dhe tani mund të flasim dhe për këtë që na paraqitet sot. Ky është një plan që na jepet me harta dhe me përmbledhje të përgjithshme, por mua do të më interesonte më shumë një përshkrim i detajuar. Nëse pritet që sipas këtij plani një rritje deri në 400 mijë banorë do të më interesonte që në harta të jepeshin me detaje sipërfaqet që do shfrytëzohen për çdo aspekt dhe jo të përmbledhura vetëm në një ngjyrë. Formula e menaxhimit të territoreve është thelbësore, sipas mendimit tim. Ndërkohë që është vënë re një tendencë e zhvillimit të Tiranës në drejtim Perëndimit. Duke i dhënë prioritet këtij efekti, është maksimal por nuk më duket e drejtë që neglizhohet pjesa lindore e Tiranës. U fol për 4 spitale, 15 poliklinika, 17 shkolla të mesme dhe një kampus universitar, ku do të ngrihen këto? Nga ana tjetër, nëse flasim për infrastrukturë kemi miratuar dashje pa dashje një projekt të kanalizimeve dhe ujërave të zeza, kostoja e të cilit është 250 milionë lekë. Po lidhur me ato që përbëjnë trashëgiminë kulturore, si do të veprohet?
Ferdinant Poni
Mendoj se plani ka nevojë për një “update” të të dhënave sepse ka shumë shifra dhe shumë fakte që mua më duken tashmë të konsumuara dhe deri diku të kaluara. Nuk po flas këtu për seriozitet në ortografi, por edhe në shifra dhe fakte. Ky plan duhet të shihet njëkohësisht paralel edhe me legjislacionin përkatës. Nisur nga ajo që unë po e quaj “plani dhe realiteti”, mendoj se duhet të shtohet një pjesë. Në asnjë vend nuk mund të vendosim drejtësi pa kapitalizëm. Rrethi i interesaxhinjve dhe baronëve që duan privatizime nuk duhet të mbështetet nga ky plan. Sipas meje, ky plan kërkon të ndihmojë ata që e ndjekin pas kryetarin. Do të doja të kisha disa të dhëna të sakta lidhur me impaktin mjedisor që do të ketë zbatimi i këtij plani. Prisja që i pranishëm të ishte edhe Kryetari i Bashkisë, por siç duket ai tani ka vendosur të bojkotojë dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Nëse po flas për këtë më intereson siguria e qytetarëve sepse nuk dua që të ndodhë që të merret parasysh në këtë plan se cili nga miqtë e Edi Ramës e ka tokën në zonë të prevaluar. Duhet të hartohet numri minimal i lejeve, që mos të ndodhë që pronarë e të interesuar, xhambazë, miq të bashkisë që duan kush e kush ta marrë më parë. Bashkia e Tiranës e ka në nivel globi kohëzgjatjen më të madhe për të marrë një leje ndërtimi. 
Taulant Bino
Ka disa çështje që u prekën, mes tyre është edhe niveli i ndotjes së ajrit. Është vetëm një pasqyrë lënde që nuk prek problemet. Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë sa është niveli i ndotjes. Nuk kemi asnjë ide të nivelit të ndotjes. Po jepen banesa sociale në afërsi të Uzinës së Autotraktorëve. Nuk ka asnjë studim për ndotjen. Si do të reduktohet numri i automjeteve. Sa i përket hapësirave të gjelbra, plani është i zhbalancuar.
Viron Bezhani
Këtu u fol për hapësira të gjelbra, për infrastrukturë dhe transport të përmirësuar, por mendoj se kemi lënë pak mënjanë një tjetër aspekt. Do të propozoja që edhe këndet sportive të ishin më prezentë nëpër hapësirat ku banojmë, mendimi është që në çdo katër pallate të ketë të paktën një terren sportiv, përveç parqeve dhe hapësirave të gjelbra.
Njazi Kosovrasti
Në këtë plan rregullues, i cili na jep me detaje si do të jetë Tirana më 2020 dhe se çfarë masash do të merren, mendoj se mungon një tjetër pjesë. Ajo për të cilin unë jam i interesuar të di, është se si do të zbatohet ky plan. A ka pika të sakta që flasin për mënyrën se si do të vihet në jetë ky plan. Si do të jetë sistemi “novator”, siç u cilësua nga zoti Agolli, sistemi i bonuseve, si do funksionojë ai?
S. Kelmendi
Për Tiranën nga pasur plot studime, duke u nisur që nga ai i Adil Çarçanit i vitit 1989. Ajo që ngre unë si pyetje ka të bëjë me zhvillimet lineare. A duhet të merren zhvillime të tjera lineare krahas atyre policentrite. Pastaj u fol për një rritje prej 400 mijë banorësh, deri në 2020 mendoj se sipërfaqja e Tiranës nuk mjafton as për banim në këtë numër, e jo më për të lejuar zhvillimet e tjera për hapësirat që do të ofrojnë punë e më gjerë. Infrastruktura nuk duhet parë vetëm brenda Tiranë, por në një aspekt tjetër më tangentcial.
Suzana Guxholli
Vihet re një sërë privatizimesh për disa zona që cilësohen si bomba ekologjike. Sa të sigurt do të jenë banorët, nëse këto zona fillojnë të shfrytëzohen dhe do të bëjnë që gërmimet apo ndërtimet të çojnë menjëherë reagimin e tyre negativ mbi ujin apo ambientin përreth, duke u bërë kështu një kërcënim i hapur për banorët.
Kiço Blushi
Nuk mendoj se është me vend që të flasim për ngjyra hartash dhe të diskutojmë për anën estetike në dukje të paraqitjes së planit rregullues. Ajo ku duhet të fokusohemi është pjesa e problematikave që dalin në këtë plan. I sugjeroj z. Pone që të mos merremi më me hartat dhe me ngjyrat, por me thelbin e problematikave.
Gjergj Bojaxhi
Duke studiuar këtë plan lindin dhe një sërë pyetjesh. Nëse marrim parasysh kohëzgjatjen e hartimit të këtij plani, mendoj se duhet të marrim edhe disa të dhëna të tjera të cilat në plan mund të jenë ndryshe dhe në realitet ndryshe. Kështu duhet të dimë me saktësi se sa leje ndërtimi janë dhënë që nga koha kur është miratuar. Cila është kostoja financiare dhe mënyrat se si do të financohen këto. Po sistemi i taksave mbi bazën e këtij plani? A do të ndryshojë gjë lidhur me detyrimet dhe a parashikohet diçka në këtë plan? Ndërkohë që lidhur me hapësirat e gjelbra ke akoma dhënie lejesh ndërtimi në këto zona që supozohet se duhet të ishin të gjelbra. Triumfi i interesit privat dhe një dështim i interesit publik janë realiteti që shohim sot. Duhet të vendosen kufij të saktë për Tiranën. Po kështu vërehet një efiçencë e ulët energjetike. Nëse ligji ekzistues detyron termoizolimin, kjo shumicën e rasteve nuk zbatohet dhe unë e shoh këtë plan si një mënyrë mjaft të mirë që përmes tij banesat që do të ndërtohen të zbatojnë dhe termoizolimin. Po kështu nuk kemi afate konkrete të zbatimit. Kur do të bëhet realizimi i këtij plani.                                    n.m

Prezantimi, ja çfarë do ndryshojë plani Tiranës

zirina llambro

Pas dështimit të mbledhjes së kaluar, dje në Këshillin Bashkiak u prezantua plani rregullues i kryeqytetit.  Administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, dha detajet e ndryshimeve që pritet të sjellë ky plan. Agolli nënvizoi se koncepti i zhvillimit të studios Urbanplan është ekzistenca e qytetit, duke theksuar se studimi është bërë duke marrë në konsideratë gjendjen ekzistuese të qytetit. Në Planin e ri Urbanistik është cilësuar se të gjitha projektet që duhet të ndërtohen, duhet të kenë në vëmendje të tyre gjelbërimin. Për këtë arsye është parashikuar të krijohen 175 hektarë gjelbërim. “Zonat e gjelbra do të jenë pole të rëndësishme dhe elementë të rëndësishme të planit rregullues”, theksoi Agolli. Nga sa ai bëri me dije, parashikohen 200 mijë vende të reja pune, dhe mundësi banimi për 400 mijë banorë të rinj, ndërsa pritet që në vitin 2020 Tirana të ketë 1 milion e 40 mijë banorë. Agolli shpjegon sipas kategorive të gjitha studimet e përfshira në plan që kanë të bëjnë me hierarkinë e rrjetit rrugor, ndërtimin e 2 parqeve urbane në Paskuqan dhe Farkë dhe 15 poliklinika të reja. Konkretisht bëhet fjalë për ndërtimin e 4 spitaleve dhe 11 qendrave shëndetësore. Agolli gjatë prezantimit sqaroi se plani rregullues i kryeqytetit përballon sfidat e reja, ndërsa rritja e popullsisë dhe punësimi konsiderohen si sfidat thelbësore. Do të ndërtohen gjithashtu 4 spitale dhe 11 qendra shëndetësore. Dritan Agolli gjatë prezantimit sqaroi se plani rregullues i kryeqytetit përballon sfidat e reja, ndërsa rritja e popullsisë dhe punësimi konsiderohen si sfidat thelbësore. Plani Rregullues përcakton një hierarki të re të rrjetit rrugor dhe parashikon ndërtimin e Unazës së Madhe, përmes 3 fazave: faza e parë për pjesën perëndimore dhe jugore, faza e dytë për pjesën veriore dhe faza e tretë për pjesën lindore. “Bazuar në një koncept të ri lëvizshmërie, si edhe në Masterplanin e Trafikut, prioritet nuk do të kenë më makinat private, por këmbësorët, lëvizja përmes biçikletave dhe transportit publik”, tha Agolli. Sipas tij, plani Rregullues përcakton instrumente të reja të menaxhimit urban, duke e kthyer Bashkinë e Tiranës në një aktor në tregun imobiliar dhe duke sjellë koncepte të reja, si bonuset në ndërtim dhe instrumente të reja planifikues. Puna për hartimin e Planit Rregullues të kryeqytetit ka filluar më shumë se 4 vjet më parë dhe ka përfunduar në shtator të vitit 2008. Ky plan është punuar nga studio zviceriane Urba Plan, e cila u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar, organizuar nga Banka Botërore. Hartimi i Planit Rregullues është mundësuar nga një donacion i qeverisë holandeze. Në dhjetor të vitit 2008, Plani Rregullues është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës dhe menjëherë pas zbardhjes së hartave, në shkurt të vitit 2009, plani i është dorëzuar Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›