E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do mbështesim fuqishëm projektet e Bashës për zhvillimin modern të Tiranës

09-06-2013 / Gazeta 55

Shoqata “Tirana” i akordon kryeministrit Sali Berisha titullin “Fisnikëria Tiranase”, për kontributin e veçantë në mjekësinë shqiptare, në 85-vjetorin e Mjekësisë Publike të Tiranës, sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje mbështetjen e qeverisë për projektet zhvillimore të kryeqytetit shqiptar. Në një ceremoni përkujtimore të organizuar nga shoqata “Tirana” me rastin e 85-vjetorit të krijimit të spitalit të parë publik në kryeqytet, (sot Qendra Spitalore “Nënë Tereza”) kreut të qeverisë iu akordua titulli “Fisnikëria Tiranase”, me motivacionin “për kontributin e veçantë në modernizimin e mjekësisë shqiptare, mjekut të madh reformator e vizionar, Kryeministrit Sali Berisha”. Në këtë ceremoni, z. Berisha vlerësoi punën e bashkisë së kryeqytetit dhe bashkëpunimin mes qeverisë vendore dhe asaj qendrore. “Do të punojmë ta lartësojmë çdo ditë e më shumë emrin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë ka bërë një projekt të mrekullueshëm për bulevardin, dhe të gjithë këto projekte janë një zhvillim jetik për Tiranën. Qeveria do të mbështesë fuqishëm zhvillimin kryeqytetit. Jo për politike, por kurrë nuk mund të ketë qëllim tjetër. Sot ka një mirëkuptim midis qeverisë vendore dhe qendrore”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi maksimalisht planin urbanistik të Tiranës, për të cilin tha se i shkon plotësisht shpirtit të qytetarëve të Tiranës, një plan që i njeh qytetarët të barabartë para ligjit, për pronën dhe që i shton shumë vlera qytetit. “Unë jam shumë i gëzuar që plani i rregullimit të qytetit është një plan që i shkon plotësisht qytetit tuaj, është një plan që qytetarët i njeh të barabartë përpara ligjit, që qytetarët i njeh të barabartë për pronën e tyre dhe është një plan që i shton shumë vlerat ujdisë brenda qytet”- theksoi kryeministri.
Ndërkaq, në ceremoninë e djeshme përkujtimore me rastin e 85-vjetorit të krijimit të spitalit të parë publik në kryeqytet ishin të pranishëm personalitete të politikës, mjekësisë, përfaqësues të komunitetit të vjetër tiranas, etj. Kryeministri Berisha e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme këtë ceremoni, duke e cilësuar si një nderim të madh për të gjithë ata mjekë të nderuar që themeluan shërbimin shëndetësor publik në vendin tonë. “Ky institucion është në vlerësimin tim i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe kombin. Ky institucion ka përmbushur në çdo kohë me përgjegjësi të madhe dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, me përkushtim, me dashuri dhe me respekt një mision ndër më të vështirët. Në vend ekzistonin sëmundjet më të këqija të kësaj toke. Tuberkulozi pothuajse ishte epidemi, lebra, sifilizi dhe një seri sëmundjesh të tjera shkurtonin çdo ditë dhe merrnin çdo ditë jetën e shqiptarëve, shto këtu mungesën e tmerrshme të lidhjeve rrugore ndërmjet krahinave edhe rretheve njëri me tjetrin. Këta njerëz që e themeluan me një guxim dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm ia dolën të organizojnë një ndër luftërat më të suksesshme kundër këtyre të këqijave të mëdha”- u shpreh Berisha, duke përkujtuar edhe mjekët e shquar si prof. Shefqet Ndoqin, prof. Sabri Tefikun si dhe Selaudin Bekteshi, për kontributin e tyre në mjekësinë shqiptare. Më tej, kryeministri Berisha vlerësoi këtë ceremoni edhe si një nderim të pakufishëm ndaj qytetarëve të Tiranës. “Unë e vlerësoj këtë edhe si një nderim timin të pakufishëm ndaj qytetarëve të Tiranës. E vërteta është që Tiranën kryeqytet e kanë bërë qytetarët e Tiranës. Aventurierët shqiptarë të asaj kohe nuk e linin të zinte vend, por tiranasit hapën zemrën e tyre. Kjo është e vërteta. Këtu vërtetë erdhi qeveria e Lushnjës, po erdhi sepse e pritën qytetarët e Tiranës. Historia e vërtetë është se Tiranën kryeqytet e bënë qytetarët e saj. Unë e pranoj me shumë nder këtë nderim, sepse shoqata “Tirana” është bërë një zë i ndershëm dhe i besueshëm si përfaqësues i qytetarëve të Tiranës, të të gjithë spektrit. Kjo është një meritë shumë e madhe juaja, shumë e madhe e kryesisë dhe e anëtarëve”- tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›