Unaza e Shqipërisë
Shqipëria ka përjetuar dy përmbysje gjendjesh: një milion vetë emigruan për një jetë më të mirë dhe gjysmë milioni makina u sollën me një uri të dëgjuar. Edhe më fanatikët e socializmit, pasi u bënë zotërues të një veture, me zë, nën zë e heshturazi, e pranuan se Shqipëria nuk kishte rrugë, as të mjaftueshme, as të mira, moderne jo se jo. Brenda një kohe të shkurtër, kritika për moszhvillimin e shpejt të sistemit rrugor në shoqërinë e ekonomisë së tregut, mori përmasa aq të thekshme sa, ajo u barabit me kritikën kundër mospasjes në komunizëm. Secili shqiptar, përjashto një numër të kufizuar drejtuesish profesionistë të automjeteve, u fut në garë të ethshme me vetveten, për të mbërritur brenda natës që, në mëngjes të zgjohej shofer me patentë. Kjo rendje edhe e marrë, i shndërroi rrugët e pakta e të këqija, në skena aksidentesh spektakolare, me një numër tronditës të vrarësh e të lënduarish. Por, zëri që nuk u lodh së ankuari, ishte ai i ushtrisë së ngarësve amatorë: rrugë, rrugë, s’kemi rrugë!
Qeveritë e para nuk patën financa për të ndërmarrë ndërtimin e infrastrukturës rrugore moderne. Edhe nga kjo, nuk u hartua strategjia për zgjidhjen tërësore të problemit që prekte shtetin, shoqërinë, prodhimin, familjen dhe individin. Por u formësua mendimi që, pa rrugë nuk ka zhvillim. Strategjia e zgjedhur më 2005, e zbatuar gjatë dy mandateve të qeverisjes demokratike, në vitin 2013 përkufizohet betejë e fituar plotësisht aq sa, përmbyllja e strategjisë për infrastrukturën rrugore moderne, nuk kërkon më shumë se sa edhe dy vite të tjerë. Këtë fitore të jashtëzakonshme, opozita përpiqet ta zvogëlojë, ta thjeshtojë, ta bëj me cen, madje edhe ta shpotisë me reklama, duke thënë se, kësaj qeverisjeje, iu bë mendja rrugë, rrugë, rrugë!
Mbrojtësit e meritës të ndërtimit të sistemit rrugor modern, qytetarë të zakonshëm, udhëtarë të panumërt, përdorues automjetesh, kundërshtarë racionalë, të gjithë dhe duke qarkulluar në mënyrë të rehatshme nëpër to, përgjithësisht shënjojnë segmentet ku ata gjinden në përditshmërinë e tyre, ndërsa në spikamë vënë skajet - Rrugën e Kombit si kryerrugë dhe rrugët kapilare fshatrave e rrethinave të qyteteve-nëpër të cilat përjetojnë lehtësinë shumica e popullsisë që udhëton dhe pakica e njerëzve që jetojnë në vise të largëta apo të thella. Ndërsa, edhe pse ka lajme për plot segmente të tjera rrugore, qytetarët e Shqipërisë nuk janë aq të njohur me to, me krijimin e asaj që është Unaza e Shqipërisë. Kjo unazë që, ministria përkatëse mund ta saktësojë gjatësinë e saj përmes shumatores së gjithë segmenteve të bashkuar me njëri-tjetrin në atë që formojnë një rreth elipsoidal, siç është gjatoshe harta e Shqipërisë, dhe gjithkund shumë afër vijës bregdetare e asaj kufitare tokësore, duke i shërbyer popullatës, nëpër qendrat e banimit në të dy krahët e saj, e duke nxjerrë degëzime drejt shumë pikave të përbashkëta kufitare me shtete përreth, dhe shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në ato vende.
Le ta vizatojmë shpejt e shpejt Unazën e Shqipërisë, duke u nisur nga veriu e zbritur në jug. Nga Vermoshi, fare pranë me Gucinë dhe fshatin e mahnitshëm Vuthaj në Mal të Zi, po ndërtohet me shpejtësi rruga drejt Hanit të Hotit, duke kaluar përmes Qafës së Bordolecit, ngjitur me Lëpushën rrëzë Bjeshkëve të Namuna, nëpër grykën shkëmbore të Selcës, përmes qendrës së komunës së Tamarës, Leqeve të jashtëzakonshme të Hotit thuajse mbi lumit Cem, i cemtë, domethënë i ftohtë, për të dalë në Rrapsh Stare e për t’u bashkuar me autostradën e Hani i Hotit -Shkodër, e sapo përfunduar. Prej Shkodrës, përmes fushës së begatë të Zadrimës, u ndërtua rruga e re drejt Lezhës dhe, qeveria bëri me dije se, që nga Shkodra e deri në Milot do të ndërtohen edhe dy korsitë e tjera për ta shndërruar në autostradë me katër kalime. Nga Miloti deri në Fushë-Krujë është në përfundim autostrada me katër korsi. Prej aty rruga drejt Vorës është e re, e cila lidhet me autostradën e parë Tiranë-Durrës. Nga Durrësi, çifti rrugor paralel, autostrada e plazhit buzë detit dhe autostrada rrëzë kodrave Shkozet-Plepa, bashkohen në një të vetme në atë Plepa-Rrogozhinë. Nga rrethrrotullimi i madh i Rrogozhinës, drejt Lushnjës, saktësisht te rrethrrotullimi i Çermës, autostrada zbret përpara, por nga e djathta e saj merr rruga për në Divjakë , e cila, prej aty e nëpër një gjerdan fshatrash buzë Lagunës së Karavastasë, lakohet drejt Babunjës, Fiersemanit, Gradishtës, Këmishtajt për t’u bashkuar me autostradën te Pushimi i Shoferit, një rrugë e re, që s’ka se si të jetë më e bukur. Autostrada drejt Fierit, në Mbrostar, buzë lumit Seman, së shpejti do të ketë rrethrrotullimin e madh dhe zgjatimin bashkues, të emërtuar By-Pass-i i Fierit, një lakore 23 kilometra e gjatë, që i shkon edhe më pranë plazhit të Semanit, cek kodrat e Apolonisë së lashtë, për të mbërritur në Levan, e për t’iu bashkuar autostradës së bukur Levan-Vlorë, e sapo përfunduar. Ndërsa rruga e ndërtuar nga Vlora për në Orikum, kthesat e hatashme të Llogarasë, poshtë në Dhërmi, Himarë, Qeparo, Borsh, Piqeras, Lukovë, Shën Vasi e Sarandë, është e mrekullueshme, nga e cila zotërohen pamje mahnitëse të brigjeve të detit Jon. Që nga Saranda në Qafë Botë të Konispolit, është ndërtuar një rrugë që, ashtu siç ajo Shkodër-Vermosh të nxjerr në pikën më veriore të territorit shtetëror shqiptar, kjo në Qafë Botë të zbret në pikën më jugore shtetërore në kufi me Greqinë. Dhe, prej Qafë Botës për në Sarandë, Unaza e Shqipërisë të jep dy mundësi: njëra është rruga e dikurshme, pranë Syrit të Kaltër, përpjetë Qafës së Muzinës, zbret të degëzimi i rrugës së re për në pikën kufitare të Kakavijës, dhe merr në veri për në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Kurse tjetra, në ndërtim e sipër, shkurton shumë, duke kaluar nëpër Delvinë-Kardhiq, si pjesë e Boshtit të Jugut, që pret të ndërtohet për të dalë me shkurt e më shpejt në Ujë të Ftohtë të Tepelenës. Prej aty, rruga merr djathtas, futet Grykës së Këlcyrës, gjurmë ku do të arrijë Boshti i Jugut, që ka filluar me autostradën Tiranë-Elbasan, më pas për në Berat e zbritur në Këlcyrë. Deri në Përmet rruga kalon nëpër një lugine pjellore e buzë kanioneve të lumit të Vjosës, por kjo ende nuk është rikonstruktuar që në bazën e saj. Aty merr degëzimi, rruga e re për te Tri Urat, që është një tjetër pikë kufitare me Greqinë. Nga Përmeti, duke u ngjitur drejt lindjes për në Leskovik, pyjeve të bukura të Shelegurit, Ersekë dhe Korçë, vise të jashtëzakonshme malesh e luginash, përbëjnë segmentin më kritik të Unazës: aty ende nuk ka mbërritur rikonstruksioni, për t’a bërë rrugë moderne tërësinë e Unazës. Nga Korça, rruga e re dhe e bukur, merr për kah Pogradecit, por mbi kthesat e Qafë Plloçës, së afërmi udhëtari do të gjendet përpara dy zgjedhjesh: përballë i shfaqet mrekullia e Liqenit të Ohrit, që përmes një rruge moderne e shetitores gjigande Drilon- Pogradec-Lin në ndërtim, të nxjerr në kthesat e Qafë Thanës; zgjidhja tjetër do të jetë segmenti rrugor në ndërtim Qafë Plloçë-Qukës, që përshkon mespërmes viset e Mokrës me monumente natyrore, për të mbërritur më shpejt në qytetin e Librazhdit. Aty, Unaza merr përpjetë kah veriu, përgjatë parkut të madh kombëtar Jabllanicë - Koritnik, me pikë mbërritjeje qytetin e Peshkopisë. Kjo rrugë është në një shpejtësi asfaltimi mbresëlënës, nëpër të cilën njeriu do të përshkojë vise që shqiptarët i kanë thuajse të panjohura. Kurse nga Peshkopia për në Kukës, rruga e re e sapo ndërtuar, shoqërohet nga dekori madhështor i luginës kodrinore dhe Mali i Korabit, më i larti i Shqipërisë. Ata që kanë njohje mbi mundësitë e mëdha energjetike të vendit, u jepet rasti të përfytyrojnë aty liqenin e ardhshëm të hidrocentralit të Skavicës, i cili kreun do ta ketë poshtë qytetit të Kukësit, ku nis liqeni i hidrocentralit të Fierzës, i ushqyer nga lumi i Drinit të Zi, që përshkon të gjithë gjatësinë e luginës, që kur futet në kufijtë e Shqipërisë, në Gjoricë të Dibrës. Ndërsa Rruga e Kombit, sa hap e mbyll sytë, të nxjerr në pikën kufitare të Morinës, për në Kosovë, Unaza kryqëzohet me të, kapërcen me urë liqenin e Fierzës, në pjesën që ushqehet nga lumi i Drinit të Bardhë, zgjatet tejpërtej Pllajës së Hasit, një rrugë në përfundim e sipër, që të çon në qytetin e Krumës. Prej aty, drejt Zogajve, Kamit, Qafës së Luzhës e Bajram Curri, rruga është e përfunduar, bashkë me degëzimin në Sopot, për në qytetin e Gjakovës. Qyteti në zemër të Alpeve, lidhet me Valbonën, përmes rrugës së rikonstruktuar, nëpër të cilën ende punohet, për ta bërë lehtësisht të mbërritshme gjithë gjatësinë e luginës së famshme. Aty, në Valbonën e mrekullueshme, përfundon Unaza e Shqipërisë, pa mundur që i gjithë rrethi rrugor të mbyllet brenda kufijve, veç për pak, pasi luginën e Valbonës dhe luginën e Vuthajve, që të nxjerr në Vermosh për disa minuta, i ndan vargmali i lartë dhe maja e Rosit. Por edhe kjo ka marrë një zgjidhje: me një mbështetje gjermane për projektin rrugor alpin ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi, është ndërmarrë një degëzim nga lugina e Valbonës drejt lartësive të fshatit Çerem, ku ka një pikë kufitare të sapo hapur me Malin e Zi, përmes së cilës, shumë shpejt futesh në Vermosh, nëpërmjet Gucisë. Kësisoj, kjo Unazë gjigande, mbyllet pa asnjë ndërprerje: Vermosh- Qafë Botë, Qafë Botë-Vermosh.
Shqiptarët nuk mund të quhen udhëtarë të pasionuar brenda për brenda dheut të tyre. Zakoni i udhëtimit nuk është krijuar ndër ta, për një sërë arsyesh shumë ndaluese. Nuk ka qenë e thjeshtë të udhëtoje nëpër këto vise, sepse nuk ka pasur rrugë, nuk ka qenë e ndërtuar kjo Unazë e integruar dhe e jashtëzakonshme e Shqipërisë; sepse pjesa më e madhe e këtyre viseve shtriheshin përgjatë zonave kufitare dhe, nuk mund t’i përshkoje ato pa arsye të verifikuara nga dega e punëve të brendshme, me qëllimin e pengimit të arratisjeve; punëtorët dhe kooperativistët e varfër, paratë e pakta të mëditjes, nuk mund t’i prishnin kurrësesi për qejfe udhëtimesh; s’kishte as mjete, sepse atyre viseve, ose kishte rrugë torturuese, pa mjete në lëvizje, ose mjete të stërvjetëruara dhe shumë-shumë të rralla, të transportit kolektiv të mjeruar apo kamionë rrangalla për mbartjen e lëndës drusore, që nuk mund t’i a prishnin mendjen njeriut që të shpenzonte para për t’iu nënshkruar një torturimi fizik dhe ekonomik - përjashto hallin e madh. Viset mahnitëse të Shqipërisë, në kohën e socializmit kanë qenë të largëta për popullin e vet, sikur të ishin në Hënë. Por, strategjia e madhe e përmbylljes së infrastrukturës rrugore të integruar e ndërmarrë më 2005, krijoi edhe Unazën e Shqipërisë, e cila përpara shqiptarëve dhe të huajve shpalos joshje natyrore të pazakonta dhe magjepsje të mënjëhershme: rrugë të reja moderne, mjete të shumta, hotele dhe restorante të lakmueshme, mundësi financiare më të mira edhe për udhëtime të paharrueshme. Unë jam një gazetar që kam shkelur në çdo pëllëmbë të vendit, por një pushim duke i rënë rretheqark Unazës së Shqiprisë, me siguri do të kthehet në një zakon edhe shqiptar. Kjo ka filluar, dhe më të parët janë europianë me motoçikleta, të cilët po e zbulojnë tërësinë e vendit tonë, edhe para nesh, nëpërmjet Unazës së Shqipërisë.