Berisha: Do ndëshkoj krimin ekonomik
Kryeministri Sali Berisha apeloi dje për luftë pa kompromis ndaj trafiqeve dhe krimit ekonomik. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Këshillimor për masat kundër krimit të organizuar, z. Berisha duke u ndalur tek problemi i trafikimit vuri në dukje se “është i domosdoshëm që ky problem të ketë një trajtim tërësor dhe të përgjegjshëm, që nga shkaqet dhe përpjekjet për parandalimin e tyre, tek zbulimi, ndëshkimi, rikthimi i viktimave dhe trajtimin e tyre”. Për sa i përket angazhimit të komitetit në problemin e krimit ekonomik, Kryeministri nënvizoi se “për zhvillimin ekonomik të vendit nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta kundër krimit ekonomik”. Sipas tij, tre vjet më parë ata parashikuan rënie ekonomike, për shkak të vendosmërisë sonë për të ndërprerë fluksin e trafiqeve kriminale dhe të vendosmërisë sonë për të goditur organizatat dhe bandat kriminale. “Por këto parashikime nuk ndodhën, ndonëse organizatat u goditën dhe kanalet e parave të tyre u bllokuan”, - tha kreu i qeverisë, i cili shtoi se ajo që ndodhi në Shqipëri ishte rritja e kredisë bankare. Ai vuri në dukje se paratë kriminale u zëvendësuan me paratë e bankave dhe Shqipëria pati rritjen më të shpejtë, të dytën në botë, për sa i përket rritjes së ekonomisë. Rezultatet e kësaj lufte, u shpreh Kryeministri, bënë të mundur heqjen e pengesave për procesin e integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe kanë pasur një impakt shumë pozitiv në imazhin e Shqipërisë. Kryeministri vlerësoi punën e institucioneve dhe agjencive në luftën kundër krimit të organizuar.