Berisha: Do ndriçojmë labirintet e burokracisë

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se së shpejti do të krijohet portali elektronik për marrëdhëniet administratë-biznes. Këtë projekt Berisha e cilësoi si projektin për ndriçimin e labirinteve të burokracisë.
“Çdo biznesmen do mund të ndjekë të gjithë udhën e dokumentit të tij. Dritë e plotë në labirintet e burokracisë. Do fillojmë nga puna, Pollo po punon për konceptin ju duhet të përcakton burimet njerëzore në mënyrë që ky portal të jetë një ndër realitetet më të suksesshme”, tha Berisha.
Kryeministri tha se kjo gjë do të bëhet për të inkurajuar investimet pai tha se e sheh këtë gjë si mundësi për të shmangur krizën e borxheve. Kreu i qeverisë tha se do punohet gjithashtu për krijimin e kushteve të përshtatshme për emigrantët që kthehen në vend dhe kërkojnë të investojnë në ndërmarrje të vogla.
“Në mediat greke dhe italian kam lexuar që shqiptarët po kthehen se shohin një klimë të përshtatshme për biznese të vogla në Shqipëri”, tha ai. Berisha njoftoi se gjatë kësaj mbledhje qeveri do të miratohet projektligji për nxjerrjen në tender të 7 hidrocentraleve.