Berisha: Do rrisim pagat dhe pensionet- infrastruktura tjetër prioritet i rëndësishëm gjatë 2010-ës

Kryeministri Sali Berisha garanton të gjithë shqiptarët për rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve dhe njëherazi përqendrimin e investimeve në infrastrukturën rrugore. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë u shpreh për vazhdimin e politikës progresive ndaj pagave dhe pensioneve.
Berisha tha se qeveria do të shënojë kthesë edhe në drejtim të ngushtimit të defiçitit buxhetor. Kjo në kuadër të një politike kursimi që megjithatë, siç theksoi kreu i ekzekutivit nuk prek investimet në infrastrukturë, reformën e qeverisë, për moshën dixhitale dhe mbi të gjitha rritjen e pagave dhe pensioneve.
Nën këtë logjikë, që në fillim të mbledhjes së grupit kuvendor demokrat Berisha foli për projekte në rrugë rurale.
Për këtë qëllim në fondin shqiptar të zhvillimit, janë të disponueshme 400 milion dollarë. Qeveria ka marrë vendim t’i atashojë FSHZH dhe projektet për ndërtimin e ujësjellësave të vegjël, për t’i dhënë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të komunitetit.
Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat kryeministri paralajmëroi se në pak ditë, do të merret vendimi për dëmshpërblimin shtëpi më shtëpi të të gjithë banorëve në zonat e përmbytura.
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha në takimin e përjavshëm me deputetët demokratë:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes, por edhe t’ju informoj sot për përpjekjet e mëdha të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës së vendit. Kam kënaqësi t’ju bëj me dije se në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të jetë dhe promotori kryesor apo institucioni kryesor përgjegjës për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve rurale të vendit, janë disponibël 400 milionë dollarë. Shuma të tjera janë në proces e sipër. Qeveria ka marrë vendim që në FSHZH të atashohet dhe ndërtimi i ujësjellësve jo të mëdhenj vendorë. Pra duke qenë se Fondi për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve po ecën me sukses të madh, atëherë gjykuam që pranë këtij institucioni, të atashojmë edhe një pjesë të mirë të fondeve për ujësjellësit e vegjël dhe lokalë, në mënyrë që t’u përgjigjemi më mirë dhe më shpejt nevojave të komuniteteve për ujë të pijshëm. Rrugët dhe uji i pijshëm janë dy përparësitë infrastrukturore më madhore të vendit dhe unë dua t’ju garantoj se qeveria është njëlloj e vendosur, si në ndërtimin e akseve të mëdha dhe shumë shpejt do të jemi në Berat, t’ju paraqesim qytetarëve të Beratit projektin për Boshtin e Jugut, një projekt tashmë i përfunduar, projekt që shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj - Berat, pra në më pak se gjysmë ore dhe që është i përllogaritur me kosto dhe me të gjitha shpenzimet; në Elbasan paraqitëm projektin e autostradës Tiranë - Elbasan, apo segmenti i parë i Boshtit të Jugut; po përfundon projekti, duhet të kishte përfunduar, por kanë dalë disa probleme, projekti i rrugës së Arbrit, Ura e vashës Tiranë. Problemet kanë dalë në Qafë të Murrizit, me tuneli, sepse struktura gjeologjike e kuotës në të cilin ishte parashikuar tuneli, është jashtëzakonisht problematike dhe e bën, sipas ekspertizës së vendit dhe ndërkombëtare, të papërshtatshme për të nisur shpimin. Atëherë po kalohet në një nivel pak më të lartë, rreth 110 metra më lart, por kjo kërkon një vlerësim tërësor të strukturës gjeologjike, të ujërave, të përbërjes. Mendimi paraprak i specialistëve dhe inxhinierëve bazuar mbi të dhëna të sakta, pasi zona është e studiuar, ka një studim të shtrirë në kohë dhe me shpimet gjeologjike të reja dhe të hershme në këtë zonë, kuota e re e përzgjedhur mundëson plotësisht ndërtimin e tunelit të Rrugës së Arbrit dhe sapo të përfundojë do të tenderohet i tërë segmenti me 31 kilometra që është nga Ura e Vashës në Klos gjer në Tiranë. Por siç theksova, ne nuk po shmangim, përkundrazi po sjellim ose po qëndrojmë gjithnjë fuqishëm në rrugët rurale, rrugë të cilat siç e dini në varësi nga gjendja e tyre ua lehtësojnë ose ua nxijnë jetën qytetarëve shqiptarë.
Krahas këtij fondi prej 400 milionë, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike, bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po shqyrtojnë mundësinë e teknologjive të reja të përdorura për rrugë ndërfshatse, ose brenda fshatit. Teknologji që përdoren gjerësisht në Gjermani, Zvicër dhe vendet më të zhvilluara të Evropës, që lejojnë mundësi ndërtimi më të shpejtë dhe me një kosto më të arsyeshme, gjë e cila e bën edhe me optimist programin tonë për realizimin e tij, i cili synon, edhe një herë unë dua ta theksoj, të nderuar zonja dhe zotërinj deputetët, që nga çdo fshat i vendit në qendër të komunës, të mund të zbritet për 15-20 minuta dhe nga këto qendra komuna në rrugën kombëtare të mund të zbritet me të njëjtën kohë. Mendoj se e kemi kapur shumë mirë kohën si kusht. Koha dhe kursimi i kohës së qytetarëve shqiptarë dhe cilësia e rrugëve, duhet të jenë objektivat tona më madhore, por duke përcaktuar këto parametra kohorë ne bëjmë që shqiptarët të harxhojnë shumë më pak se gjysmën e kohës që harxhojnë sot për të arritur në qendër të komunës, për të arritur në rrugën kombëtare, për të arritur në kryeqytetin e tyre. Këtij institucioni do t’i bashkëngjiten financime të mëdha, të cilat do të destinohen për ujësjellësit lokalë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët të kenë ujë 24 orë. Banka Botërore ka marrë përsipër një shqyrtim tërësor nga studimi i projektit gjer të financimi i sistemeve dhe i menaxhimit të ujërave në pellgun Tiranë-Durrës, që përbën dhe përqendrimin më të madh të popullatës dhe problemin më madhor për furnizimin me ujë, por edhe menaxhimin në tërësi të ujërave të këtij pellgu. Banka ka paraqitur një vullnet shumë të qartë për të ndihmuar Shqipërinë në zgjidhjen e këtyre problemeve, në zonën më sensitive të vendit që është zona Tiranë-Durrës.
Pra këto ishin problemet që unë desha t’u sjell ju në vëmendje dhe u ndala në to se ç’është e vërteta qeveria ka vendosur të adaptojë një regjim ashpërsie, kursimi, apo si mund ta quani. Parashikimet që ka bërë Ministria e Financave do të përmbahen plotësisht. Ne në këtë vit do të shënojmë pa cenuar aspak interesat e qytetarëve shqiptarë duhet të shënojmë një kthesë të vërtetë në përpjekjen tonë për të ngushtuar deficitin buxhetor dhe për të ecur në drejtim të bllokimit të borxhit. Nuk është se unë personalisht ndaj ndonjë shqetësim serioz për borxhin, se kur je borxhli i mirë, nuk ke pse i druhesh borxhit dhe ne jemi borxhlinj të mirë, jemi kualifikuar të tillë. Mirëpo ka një problem, përqindja e borxhit ndaj prodhimit të brendshëm është një nga treguesit që kompanitë e retingut të sistemit financiar dhe bankar të vendit e përdorin më shumë. Retingu në vetvete apo klasifikimi ka rëndësi shumë të madhe për sektorin privat edhe për qeverinë ka por qeveria është më pak problematike, pasi rëndësi të madhe ka sektori privat, i cili do të detyrohet, që në një reting të pafavorshëm të marrë hua me interesa të pafavorshme. Ndaj edhe kjo politikë ashpërsie që ndërmerr qeveria frymëzohet dhe udhëhiqet para së gjithash nga interesat e mëdha të sektorit privat, të nxitjes së investimeve të huaja, të nxitjes së punësimit dhe të fuqizimit të ekonomisë së tregut. Por ne kemi përcaktuar si përparësi, nuk do të prekim investimet në infrastrukturë, në moshën dixhitale dhe tek burimet njerëzore, rrogat dhe pensionet do të rriten, siç kanë qenë të parashikuara.
Këto ditë ne marrim vendimin për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha zonave të përmbytura. Dëmshpërblimi do të jetë i plotë, shtëpi për shtëpi dhe Qarku i Shkodrës ka bërë vlerësimet, mendoj me përgjegjësi të madhe. Një çështje e fundit, që kishte mbetur, u zgjidh edhe ajo, pasi ishte problemi për një sasi të konsiderueshme lavatriçesh, por qeveria do t’i qëndrojë fjalës që ka dhënë. Do të ç’dëmtohen ato që janë dëmtuar, kudo. Edhe në Maliq po të ketë të dëmtuar, sa janë të dëmtuar, Qarku po punon, ne u qëndrojmë plotësisht detyrimeve tona”.