E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur opozita është marrë peng nga psikoza e ardhjes në pushtet nëpërmjet dhunës...

Filozofi natyralist amerikan Henry D. Thoreau kishte gjithmonë në majë të gjuhës se “gjërat nuk ndryshojnë; jemi ne që ndryshojnë”. Ndryshimi prek të gjitha sferat e jetës, përvec natyrave ose të një organizmi politik të modifikuar gjenetikisht nga diktaturat. Në Shqipëri kemi rastin e PS, ku andej pari pranvera po vonon të shfaqet. Kjo ndodh sepse amvisa e mejhan-politikës Edi Rama është kujtuar të bëjë politikë edhe me 14 shkurt, ditën e verës në kodrat e përdhunuara nga betoni në liqenin artificial me: “familjet shqiptare janë në krizë ekonomike që sot së paku të kenë më shumë qetësi”. Së pari qetësia e familjeve shqiptare është prishur nga breshëria alarmiste e një opozite të papërgjegjshme politikisht, që i binte borisë së protestave vend e pa mend. Freskia politike e opozitës socialiste mungon. Natyrisht të gjitha prurjet e kryetarit Edi Rama janë të lidhura kryesisht me nomenklaturën e kaluar komuniste ose me bizneset e prodhuara nga lejet dhe licencat e bashkive socialiste të Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës a Elbasanit. Edhe elektorati i demoralizuar i PS hesht sepse nuk përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare. Vetëm militantizmi gjallon si gjithmonë. Së dyti është e habitshme largimi i tezave politike opozitare nga problemet jetike të qytetarit, që është i neveritur me sajesën dëshpëruese “Hap kutitë ose largohu!” sepse nuk ka asnjë vlerë. E vetmja vlerë është mungesa e vlerës. Asnjeri nuk ka dëgjuar për ndonjë ide origjinale socialiste në këtë performancë jashtë parlamentit.

Afërmendsh e vetmja e risi e politikës së re është ri-dalja në sipërfaqe e ish-ministrit të Sigurimit, Gramoz Ruçit, që prodhoi për 26 javë konflikte artificiale, madje duke u kacavjerrë me kutizën e Ruzhdies. Po ç’të presësh prej Ruçit që dëshiron vetëm gjak edhe regres të Shqipërisë.

Kuptohet vetiu se nuk e kemi pasur luksin e një dite të qetë politike. Na është dashur të asistojmë në protesta dhe kundër-protesta apo festa politike pa karar. Radikalizimi artificial post-zgjedhor ka dimëruar në barrikada anti-institucionale duke e kthyer debatin politik në sharje e baltosje publike. Edi Rama në eskursusin e tij politik është parë të prodhojë vetëm strategji afat-shkurtra dhe të qëllojë në tymnajë për të pasur idenë se ekziston politikisht. Por kjo nuk është politikë, është një inflacion i misionit të opozitës që të prodhojë kontroll pushteti dhe dhënie alternativash.

Mirëpo ecja me hapa të ngadalta drejt arsyes politike i ka kushtuar vendit fiks 6 muaj bojkot të pakuptimtë, kur fare mirë mund të kishte përfituar debat mbi disa ligje jetike për liberalizimin e vizave apo edhe mund t’i kishte dhënë frymëmarrje biznesit me krijimin e gjykatës administrative. Aspirata e madhe europiane e qytetarëve shqiptarë është frenuar reciprokisht me cic-mice lokale e të përditshme politike. Për plot dy stinë “vjeshtë-dimër” opozita ka veshur xhupa ushtarakë dhe i është futur llogores së guerriljes urbane e verbale, paçka se më shumë se sqarim të pozicionit të saj politik, ajo prodhoi një hutim të stërzgjatur: me përzierje konferencash për shtyp dhe ekskursione protestash nëpër qytete të ndryshme. Konceptimi i aksionit politik vetëm mediatikisht e pa kurrfarë debati strukturor ka sjellë pozicionime dhe përhumbje midis ideve dhe pretencave akuzuese, çka ka prodhuar si pasojë vetëm demonizimin e kundërshtarit politik.

Në mungesë të qartësisë dhe të ideve, ia del mbanë veç sulmi politik që s’njeh asnjë kod moral, nderi, vdekje apo familjare. Gjithçka është e nevojshme për të rrëzuar dhe marrë pushtetin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›