Kuptohen “komunistët” antikomunistë, por nuk gëlltiten neofitët komunistë!
Mund të thotë dikush se 14 marsi është disi larg nga 5 marsi, për të vënë një okielo, „me rastin e…“, se përkujtimore jo se jo. Por 9 marsi i ditës së varrimit të Stalinit, sikur e shkurton në 5 ditë kohën nga data e botimit të këtij shkrimi. Kështu jemi në kohë, për atë periudhë se cilët do të ishin zëvendësuesit e tiranit. Neve, demokratëve në radhë të parë, na përket detyrimi që ta bëjmë të njohur sa më objektivisht këtë luftë për pushtet, se ka lidhje organike jo vetëm me enverizmin, por edhe me kohët e sotme, kur lufta për pushtet e humbësve në zgjedhjet e fundit parlamentare është bërë e një rëndësie planetare (!) që e majta e hazdisur të kërkojë qimen në përpeq, për të zhvatur pushtetin në tryezë, sipas EdRamës, me gojën e antiligjorit skandaloz, Spartak Ngjela...
Lufta për pushtet jashtëligjor është tipar i stalinizmit, i enverizmit, i të gjitha shteteve të diktaturës së proletariatit, pa harruar edhe nostalgjikët e diktaturës në vendin tonë. “Zgjedhjet” e 29 qershorit të vitit 1997, kanë vetëm emrin “zgjedhje”. Janë zgjedhje domenesh, domethënë pa rivalë. Janë karikaturë zgjedhjesh. Të pakrahasueshme asfare me ato të 26 majit të vitit 1996 të cilat, ndonëse mjaft të dobëta, nuk ishin, megjithatë, humbëse. Madje ishte bash ky dështim i radhës për pushtetrrëmbyesit patologjikë, duke filluar nga ato të 22 marsit të ’92-shit, që ishin të pakontestueshme, madje dërrmuese, sa e bënë një ditarmbajtës, objektiv dhe me shpirt demokratik, që të shkruante në ditarin e tij plotësisht 50-vjeçar (e diel, tetor 1954 - e diel, 5 shtator 2004): “... Më në fund, komunizmit i erdhi vdekja édhe në Shqipëri; pooo s’më besohet dhe aq!”. Paska qenë profetik autori Nezir D. Isufi i këtij libri që do të mbetet si nga më të mirët e memorialistikës. Sepse, ndonëse fshatar i shtresës më të varfër të mjerimit kooperativist, pavarësisht se me biografi pa asnjë cen, u shkollua me vullnet përtej të zakonshmit dhe, jo vetëm që nuk ia di për nder komunizmit arsimimin, por e ka në majë të gjuhës sarkazmin shpotitës ndaj atyre trushkulurve, të cilëve “u dashka t’ia dimë për nder diktaturës që u bëmë intelektualë me djersën e ndershme të studimit tonë” (Ky varfanjak që nuk e ka për droje të thotë, krenar, se është antikomunist, mos ka njohur biografinë e shpikësit të ultratingujve, Pol Lanzhvenit, të cilit sistemi kapitalist i dha bursë studimi, qysh në bankat e shkollës së mesme e më tej, duke çmuar se s’kishte pare as për të blerë librat e shkollës? Mbase ka njohur biografi të tilla të fukarenjve të tjerë, që bënin mësim – me M të madhe - dhe nuk thartonin trutë me dogmat e marksizëm-leninizmit dhe me librat fund e krye me mashtrime, të Enver Hoxhës!).
Cili është Boris Bazhanovi? është një njeri me një zgjuarsi natyrore të pazakontë, që mbërriti – nga asgjëja – në shkallët më të larta të hierarkisë komuniste, në Bashkimin Sovjetik. Kishte lindur në një qytet të Ukrainës, në vitin 1900. “Në vitin 1917 kishte pllakosur Revolucioni i Shkurtit të 1917-s” (shihni me kujdes foljen, se është kuptimplote!). Student për Fizikë-Matematikë. Kishte ngrënë një plumb, rastësisht – siç shkruan – nga një shkrehje policore në një vend ku ishin mbledhur manifestues. Në vitin 1920 (është e lehtë llogaritja sa viç ishte), gjendet në Moskë për studime universitare, në kimi. Si ish-i plagosur nga policia cariste, u prania në parti. Madje, si më inteligjent se të tjerët, u zgjodh edhe sekretar i organizatës-bazë. “Në muajin janar u bëra kockë e lëkurë (Në vitin 1921 në tërë vendin kishte bërë kërdinë uria). I dhashë karar të shkoja përsëri në Ukrainë”. Janë, shkurtimisht, faqet e para të librit të tij, botuar në Paris në vitin 1930, me titullin “Kujtimet e ish-sekretarit të Stalinit”. Në të vërtetë titulli është shkruar me modesti; se kishte mbërritur në rangun e sekretarit të Byrosë Politike. Pas Molotovit, Kaganoviçit, Malenkovit dhe nja dy të tjerëve, vinte ai, Bazhanovi! Nuk po flasim këtu për një treshe, që u zhduk nga Byroja Politike. E kemi fjalën për Trockin, Zinovievin dhe Kamenievin. Këta dy të fundit, që ishin kundër Trockit, Stalini i bëri për vete gjersa (si hëngri bukën dhe përmbysi kupën), i ekzekutoi. Ndërsa Trockin e vrau jashtë shtetit, në Meksikë. Boris Bazhanovi i dha karar të ikte nga Rusia për në Ukrainë. E thamë përse. Por një koleg i tij student, ai që do ta zëvendësonte si sekretar të org. Partisë, i tregoi se Borisi mund të mos vuante nga uria. Miku i tij i shpjegoi se ai vetë gjysmën e ditës mësonte, gjysmën tjetër punonte në aparatin e K.Q., që tani “po zgjerohej së tepërmi”. Bazhanovi u kthye, si të thuash, nga rruga. E ngarkuan në sektorin e organizimit. Atje kishin zënë vend njerëz që nuk i përkushtoheshin punës. Shefi i organizimit, Kaganoviçi (që mbeti në Byronë Politike edhe pas spastrimeve), ishte një organizator i papërtuar, por pa shkollë. Në një fjalim të shefit, Bazhanovi kishte mbajtur shënime të përpikta. Revista “ndërtimet sovjetike” i kishte kërkuar dinjitarit sovjetik një shkrim. Për gramatikë dhe për sintaksë, Llazar Kaganoviçi s’ia thoshte. Ishte vënë në siklet. Ndërkaq vartësi i tij i thotë se ja ku e kishte shkrimin, nëse punonjësi që kishte shef Kaganoviçin i kishte mbajtur mirë shënimet. “Kaganoviçi e lexoi dhe mbeti i mahnitur. - Sa mirë që e paske bërë, - i tha. – Unë s’kam bërë gjë tjetër, veçse kam rishkruar mendimet tuaja, - i kishte thënë me modesti, punonjësi. Kaganoviçi e nënshkroi dhe e sheh të botuar në “ndërtimet sovjetike”. “Veç ta shihje sesi mburrej... Ua tregoi të gjithve, artikullin “e tij” të parë!”. Por shansi e ngriti në stratosferë Bazhanovin. Statuti i Partisë kishte mbetur ai i vitit 1903. Verës së vitit 1917 kishte pësuar një ndryshim të vogël. Edhe në v.1919 statuti ishte vjetëruar së tepërmi; ishin bërë ca ndryshime anësore. Megjithatë statuti, tashmë, mund të vlente për kohën e ilegalitetit dhe jo për kohën që partia ishte në pushtet. Bazhanovi i përkushtuar, me kulturë të epërme në krahasim me “të mëdhenjtë” dhe i papërtuar, iu përvesh punës dhe nxori një projektstatut të ri. Iu vu daktilografisë, në paraqitjen e dokumentit në dy shtylla. Në të majtën, i vjetri. Në të djathtën projekti i ri! Ndërsa “krerët” po përpiqeshin dhe po humbisnin kohë, Bazhanovi e kishte gati! Kur vajti në zyrën e Kaganoviçit, roja nuk e linte të hynte. “Shefi kishte shumë punë”. Nuk pranonte askënd. Këmbëngulja e çau karantinën, por Kaganoviçi i tha. – Vetëm tri minuta! - Më mjafton një, - i tha Bazhanovi. Ja ku e keni projektstatutin e ri!
-Pa ma tregoni? Habi e madhe. - ç’moshë keni? - Njëzet e dy! Kaganoviçi i tha rojës se ata që prisnin të iknin e të vinin të nesërmen. –S’jam për asnjë njeri! Dy orë të mira u mor me sqarimet që i dha prurësi. Pastaj, i mahnitur, ngriti receptorin e telefonit: - Sh.Molotov, duhet t’ju takoj patjetër. – Po ju pres, por ta dini se kohën e kam shumë të kufizuar. Edhe Molotovi, u gjend i befasuar, kur Kaganoviçi i paraqiti projektstatutin e përgatitur nga ky 22-vjeçar. Pasi e studiuan të tre, - tani shkojmë të Stalini, - tha Molotovi. Duke i rënë shkurt, Stalini e pa mbarë-prapë dhe i tha Bazhanovit: - “E përfytyroni se ç’horizonte i hap punës së partisë ky teksti juaj?
Kështu ky djalë i ri hyri menjëherë në orbitën e Molotovit. Pa e zgjatur, duke shmangur detaje interesante, në fund të vitit 1922 personazhi ynë nisi punën si sekretar i Byrosë Organizative. Do të themi vetëm një hollësi. Nëse më parë duheshin tri orë për të gjetur një dokument tani, në sajë të riorganizimit, gjendej dokumenti brenda një minute! I kishte bërë përshtypje edhe Stalinit. Stalini do të merrte si sekretar të Byrosë Politike Malenkovin. Por punët erdhën që këtë vend e zuri Boris Bazhanovi.
Atje u bë i pazëvendësueshëm në përgatitjen e ecurisë së punimeve, në gjetjen e dokumenteve aty për aty, në protokollimin e përpiktë. Kishte të drejtën të hynte me dhjetëra herë në kabinetin e Stalinit, pa trokitur. Ishte në vendin e katërt, të themi, pas Molotovit, Kaganoviçit dhe Malenkovit. U njoh me të gjithë të mëdhenjtë, madje edhe me familjarët e tyre. Nadjezha e Stalinit e kishte mik të besimit, me të cilin shprehte edhe pakënaqësitë e saj, për urinë që kishte pllakosur vendin, gjendje mjerimi për të cilën s’mund të bëhej asnjë koment. Do të zgjateshim po të përmendim portrete të shumta, të përftuara edhe nga intimitetet e njerëzve “të mëdhenj”.
Puna e kishte bërë që të zbulonte disa nga mizoritë e Stalinit. Në një rast e kishte parë, teksa po dëgjonte në vëzhgim telefonik, nën tryezë, duke ndjekur bisedimet intime të anëtarëve të Byrosë dhe të K.Q. në një “central” nën sirtarin e tryezës. Borisi “u kujtua” se kishte harruar diçka dhe iu shmang qëndrimit menjëherë në atë çast kritik. Kishte vënë re sesi Nazaretjani, i afërt i B. Politike, i kishte bërë shërbime, duke iu kundërvënë Zinovievit e Kamenievit, në dobi të Stalinit E. Megjithatë, ishte pushkatuar nga Stalini. Ishte i pranishëm në zyrën e B. Politike, kur Stalini kishte rënë në pakicë dhe byroistët ishin të alarmuar. Zgjidhja? “Votimet i fiton ai që bën numërimin!” (Këtë shfrytëzon Edvini, duke dashur që numërimet t’i bënin në mënyrë staliniste të 20 mijë komisionerët me firmë të tij, që të mos quheshin tradhtarë!). Filloi për djaloshin e ri një urrejtje e madhe për Stalinin. Nuk i mbetej veçse të arratisej. Dhe këtë bëri. Si e qysh, e ndërpresim këtë histori të vërtetë, që ka trajtën e një romani historik. Por duhet të shtojmë më të rëndësishmen. Se erdhi kjo kohë që ai të thotë, në ditarin e tij, se tanimë ishte bërë antikomunist! Këtë e tha edhe në Perëndim, në intervistat e shumta që i morën në Francë, nga viti 1930 e më tej.
***
Tani do të flasim për luftën e paskrupullt për pushtet të komunsitëve, duke u mbështetur në disa citime të këtij njeriu që e njihte komunizmin më shumë se mjaft të tjerë dhe që nuk nguronte asfare të vetëshpallej antikomunist: “Pasi e studiova Leninin në thellësi dhe në gjerësí, mund t’ia hiqja atë aureolën e “udhëheqësit gjenial”, që ia kishin veshur uzurpatorët e pushtetit për qëllimet e tyre: duke e shenjtëruar Leninin ata e kishin më të lehtë të sundonin me emrin e tij dhe me të drejtat e trashëgimtarëve dhe të nxënësve të tij besnikë. E kuptoja fare mirë hipokrizinë e Stalinit, kur betohej në të gjitha fjalimet publike për besnikëri ndaj mësuesit gjenial kurse, në fakt, ai e urrente sinqerisht Leninin, sepse pikërisht Lenini qé bërë pengesë kryesore në luftën e tij për pushtet. Me sekretarët e tij, Stalini nuk e kishte për zor të fliste; dhe, nga frazat, fjalët dhe intonacionet e tij, mund ta pikasje fare lehtësisht qëndrimin e tij ndaj Leninit. Këtë e kishte vënë re edhe Krupskaja e cila, në vitin 1926, deklaroi: - Tani Volodia (Vladimiri) do të ishte në burg, po të kishte qenë gjallë” (Dëshmi e Trockit, në librin për Stalinin, frëngjisht, faqe 523)”.
“Tërë veprimtarinë e Leninit e përshkonte si një fill i kuq lajtmotivi: “Të merret dhe të mbahet me çdo kusht pushteti”. Kjo frazë i është ngulur në tru si me vidë EdRamës dhe është i jashtëkohshëm kur kërkon të vërë pushtetin në dorë me metoda leniniste, në një kohë tjetër, që s’ka të bëjë fare me kanunet leniniste! është i jashtëkohshëm ose anakronik (siç përdoret më shpesh), gjë që është bërë e zakonshme të quhet si një Don Kishot. Por kjo s’i përgjigjet me tamam së vërtetës; se Don Kishoti fluturonte me mendimet e tij në hava, por jo me ligësinë e Edvinit.
Në përfundim do të dëshironim të sqaronim pak titullin e këtij shkrimi, jo në pjesën e dytë të tij, se e pamë ç’janë ish-komunistët kundërshtarë të kësaj kolere, përmes figurës së Boris Bazhanovit. Ishte një proces i tërë që e bëri atë të mos e ketë fare për stepje që ta quajë veten, botërisht, antikomunist. Por ne na ka rënë më qafë edhe dukuria e kundërt: që sa hap e mbyll sytë na shndërrohen në komunistë, duke pas qenë ithtarë të rremë të demokracisë. Këta nuk janë si Bazhanovi, që ishte gati të ikte nga perspektiva e ngjitjes në karrierë dhe rastësisht mbeti pa u kthyer në shtëpi, në Ukrainë, për të vuajtur në mjerimin ekonomik. Këta që u përmendën në fund janë interesaxhinj të paskrupullt, apo karrieristë si S. Ngjela. Nuk e kanë për turp që nga zëdhënës të P. Demokratike, të shndërrohen në kritizerë të saj. Doemos me frazeologji të kundërta, nga euforia në nihilizëm. Qoftë edhe si ai tjetri, që nuk la metafora dhe ekzaltime në emër të doktor Berishës dhe tani na u kujtua se Berisha qenka komunist! Për të fshehur komunizmin e vetvetes, duke llomotitur nën sqetullën e Edvin Ramës! Janë neofitë, pra ndërrues të menjehershëm të kursit politik, për interesa vetjake, siç ia vërtetoi Edi Paloka, në një panel televiziv, njërit prej tyre.
Vërtet do të pasurohen me këto bishtpërdredhje dhe pohime meskine se si një gazetar i rëndomte mund të marrë tremijë euro në muaj plus shtëpi. Por prestigji i tyre është në përpjesëtim të zhdrejtë me pasurinë që s’e kanë hallall. Sa më shumë shtohet pasuria e kësaj natyre, aq më tepër bien kredencialet e virtytit, të prestigjit dhe të dinjitetit. Dr. Berisha ka qenë dhe është , si në sekondat e para të proceseve demokratike. Duke dashur ta përnjollosin, kërkojnë t’i bëjnë një shërbim më tepër nostalgjisë së padurueshme, të cilën duan ta mbajnë edhe në kohën ters për ta, në pupla!
...