Kosova mirëpret vizitën e Metës në Serbi, Thaçi: Lehtëson njohjen e pavarësisë

Zv/kryeministri Meta: E ardhmja e Kosovës, si e gjithë rajonit, në BE
Gjatë vizitës së tij në Prizren, kryeministri i Kosovës,Hashim Thaçi, i pyetur nga një gazetar i televizionit lokal, TV Prizreni, rreth opinionit të tij dhe të Qeverisë për vizitën e z/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi, Thaçi vlerësoi se kjo vizitë paraqet një hap pozitiv për ndërtimin e raporteve fqinjësore dhe stabilitetin në rajon, që do të reflektohet në raportet Serbi-Kosovë. Sipas Thaçit, kjo vizitë do të lehtësojë proçesin e njohjes së Kosovës nga Serbia. Në vijim ai u shpreh: “Ne duhet të gjithë të angazhohemi për ndërtimin e fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, prandaj, është një mesazh i mirë për qaqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe mendoj se është një mesazh që Beogradi të ndërtojë raporte të mira me shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Eshtë një ndihmesë për Serbinë që më pas ta njohë shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës...”
Meta: E ardhmja e Kosovës, si e gjithë rajonit, në BE/ Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë pavarësisht dallimeve që i karakterizon për çështjen e Kosovës. Kështu deklaroi sot në mesditë në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Jashtme, kreu i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, dy ditë pas përfundimit të vizitës zyrtare në shtetin serb. “Gjatë takimeve u shfaqën dallime rreth Kosovës. Megjithatë, Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë pavarësisht dallimeve që kanë rreth kësaj çështjeje. Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian ashtu sikurse dhe vendet e tjera të rajonit”, theksoi Meta gjatë konferencës për shtyp duke shtuar se “Kosova nuk është çështje bilaterale mes Serbisë e Shqipërisë”. Meta siguroi gazetarët se ka diskutuar me homologun serb Vuk Jeremiç për çështjen e Kosovës, ku dhe dhanë qëndrimet e tyre. Shefi i diplomacise shqiptare theksoi se pavaresisht qendrimeve diametralisht të kunderta që ka Tirana zyrtare me Beogradin rreth pavarësisë së Kosovës (ku shteti serb ka deklaruar se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës), të dy vendet pranojnë që e ardhmja e Ballkanit Perendimor është Bashkimi Europian. Meta gjithashtu nënvizoi se edhe pse Kosova me diplomacinë e saj po punon për njohjen e shtetit, edhe diplomacia shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë në këtë drejtim.
...