“Mullari me lecka” dhe “i tërbuari” Rama
Kjo histori ka ndodhur këtu e 15 vite të shkuara. Por ajo përsëritet në forma të ndryshme nga “i tërbuari” i Lui Pastërit sa herë që në arenën ndërkombëtare promovohen arritjet dhe sukseset e Shqipërisë. Por, në radhë të parë, kush është “i tërbuari” i shkencëtarit të njohur francez i shekullit të 19-të? Tregojnë se, njëherë një gjeneral, i njohur për krimet e tij në kolonitë franceze e pyeti Pastërin: -Që një njeri të tërbohet, a duhet patjetër të jetë kafshuar nga një qen i tërbuar? -Ka edhe njerëz të tërbuar pa u kafshuar nga qeni, -iu përgjigj autori i veprës: “Natyra dhe aksioni i helmit të tërbimit të qenve”…
Tani vazhdojmë me ngjarjen, që nisëm të rrëfenim në fillim të këtij shkrimi, e cila siç do të shohim më poshtë ka një kontekst të qartë politikë. Në vitin 1995, në një aktivitet të vendeve të Europës Juglindore të zhvilluar në Francë, dhe që quhej “Festivali i Këmbës”, Edvin Rama bashkë me disa artistë të tjerë shqiptarë konkurruan me një vepër të çuditshme: një mullar i bërë me lecka, mbi të cilin ishte shkruar fjala “Albania”. Kjo vepër, më shumë sesa kërshëri, ngjalli habi, për krupën që një artist shqiptar kishte akumuluar për atdheun dhe bashkëkombasit e vet. “Mullari me lecka” tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve më shumë sesa “nudoja pa breçka” e Edvin Ramës në plazhet publike të Francës, disa vite më vonë. Dhe kjo për fatin se, në rastin e parë ishin në lojë interesat e vendit, kurse në rastin e dytë dëshirat e individit, edhe pse atëherë Rama ishte thjeshtë një artist i dështuar shqiptar. Tashmë autori i “mullarit me lecka” është kryetar i Partisë “me pecka”, të krijuara nga “xhaketat e vjetra” të punizmit “ngjadhnjimtar”. Natyrisht Rama nuk është i vetëmi pjesmarrës në këtë marrëzi antishqiptare, por ai bie në sy si strumbullari i politikës së Partisë Socialiste. Në këtë post të lartë politik ai është më i prirur së kurrë të ndjek e të përqafojë shembujt më skanalozë të qëndrimit politik të paraardhësve të tij në raport me interesat e vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
Nuk është rastësi që rreth një dekadë e gjysëm më parë, Rama në Paris dhe Ramizistët në Tiranë të fillojnë një fushatë shpifjesh e denigrimesh kundër interesave të Shqipërisë, duke shënjestruar progresin e bërë në procesin e zhvillimit dhe integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Bëhet fjalë për vitin 1995, kur Shqipëria po anëtarësohej në Këshillin e Europës dhe krerët e Partisë Socialiste të asaj periudhe nxorrën tezën e tyre antikombëtare të “mollës së papjekur”, të huajtur ndoshta nga teoria enveriste e tipit: “as të mos nxitohemi dhe as të mos ndalemi në vend”. Ndërsa, siç e përmendëm pak më lart, Edvin Rama, që në atë kohë askujt nuk i shkonte ndër mend, se një ditë do të bëhej kryetar i Partisë Socialiste, në unison të plotë me ideatorët e “mollës së papjekur” publikon në mes të Parisit veprën e tij poshtësuese për imazhin e Shqipërisë të titulluar: “mullari me lecka”. Një fakt i tillë tregon se, vendosja e Edvin Ramës në krye të Partisë Socialiste nuk është diçka spontane, por strategji gorbaçoviane. Krijimi i formacioneve drejtuese të Partisë Socialiste me pinjollë të monizmit është dëshmia më e qartë e kësaj strategjie.
Parisi, Londra, Brukseli, Vjena, Roma e shumë kryeqytete të tjera të vendeve perëndimore janë shfrytëzuar, kohë pas kohe prej patriotëve shqiptarë, jo për të prezantuar “mullinj me lecka”, edhe në ato kohë që Shqipëria e meritonte plotësisht një simolikë të tillë, por për të kërkuar mbështetje dhe bashkëpunim dinjnitoz, në mbrojtje të interesave tona kombëtare. Rasti Rama është i veçant, pasi atje ku ai duhet të mbrojë dhe lançojë interesat e shqiptarëve, i dëmton dhe i linçon ato. Nëse do të perifrazojmë Volterin, Rama e bënë një gjë të tillë, “…sepse ka një të metë të vogël; flet mirë për veten e tij dhe flet keq për të tjerët”. Qëllimi është që të zhvleftësojë apo zhbëjë arritjet kombëtare, të cilat kanë në bazë punën dhe përkushtimin e kundërshtarëve të tij politikë. Dhe sa më të mëdha dhe të konfirmuar botërisht të jenë këto arritje, aq më “i tërbuar” dhe antishqiptar tregohet Rama.
Institucione të ndryshme ndërkombëtare vijojnë të deklarojnë se “mrekullia shqiptare” e rritjes më të lartë ekonomike në Europë do të vijojë edhe gjatë 2010-s. Një performancë të tillë, ekonomia shqiptare e ka patur edhe në vitin kur u promovua vepra edviniste e “mullarit me lecka”, ku treguesi i rritjes ekonomike arriti në 13,3 për qind. Bazuar tek një tregues i tillë, Shqipëria zinte atëhere vendin e parë, krahasuar me të gjithë vendet e tjera ish komuniste të Europës Lindore. Tashmë këtë vend nderi, Shqipëria e zë në raport me të gjithë vendet e tjera të kontinentit europian, qofshin këto në Lindje apo Perëndim të tij. E megjithatë, kreu i Partisë Socialiste Edvin Rama, në të gjithë konferencat e shtypit dhe daljet e tij publike përpiqet që ta injorojë këtë realitet në sytë e publikut shqiptar, madje ta konsiderojë atë një realitet të sajuar me shifra të rreme nga zyrat e INSTAT-t. Dhe pasi ka bërë këtë rikonjicion demagogjik ai mobilizon të gjithë forcat për të goditur me deklarata deniguruese reformat dhe projektet qeverisëse, duke i konsideruar “premtime me arkën bosh”.
Për një politikan normal, Shqipëria e viteve të fundit nuk mund të identifikohet me një “mullar me lecka”, por me një “stivë me lekë”. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm edhe për Ramën, në rast se logjika dhe dinjiteti triumfojnë mbi marrëzinë dhe perversitetin. Rama dhe politikanët e tjerë të lartë të PS-së e kanë të ëvshtirë të pranojnë dështimin e tyre në qeverisjen e vendit përballë kundërshtarëve politikë. Natyrisht, nuk ka asnjë mëndyshje se hapat e hedhura deri tani në rrugën e zhvillimit dhe integrimit perëndimor të shqiptarëve janë meritë eskluzive e qeverisjes së demokratëve në vitet ’92-’96 dhe ‘05-’09. Po të mos ishte futur si pykë në mes qeverisja tetëvjeçare e të majtëve, këto procese do të kishin përfunduar para vitit 2005, mbase dhe më shpejt. Ritmi i hapeve integrues këto 4-5 vitet e fundit, pse jo dhe arritjet apo vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare për realitetin e viteve ’92-’96 janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim. Sigurisht, asgjë nuk është arritur me “frymën e shenjtë” por me punë e reforma të mëdha. Historia nuk mund të mohohet dhe aq më pak të injorohet e deformohet kaq paturpësisht, herë indirekt dhe herë drejpërdrejtë, siç ka bërë e vazhdon të bëjë Edvin Rama apo “Edvin Kristaq kriza”, siç e cilësoi me të drejtë zyra e shtypit të PD-së, para pak ditësh.
...