Dallimet tona me europianin e mijëvjeçarit të tretë
Cilat janë veçoritë dalluese të një shqiptari nga Kosova me një europerëndimor? Shqiptarët vazhdojnë të jenë krenarë për shumë gjëra pozitive në krahasim me europerendimorët. Por kanë dhe mangësi në shfaqjen e tyre në publik. Ata dallohen edhe për nga pasionet, stili i sjelljes, i veshjes, i akrobatikës për të rënë në sy, i intonacionit gjatë të folurit
Një shqiptar i Kosovës, apo nga Shqipëria dallohet nga ai europerëndimor kryesisht nga dy gjëra: nga mënyra e të menduarit dhe gjuha e gjesteve të trupit që thuhet se e përbëjnë 90% të imazhit të njeriut. Shqiptarët vazhdojnë të jenë krenarë për shumë gjëra pozitive në krahasim me europerëndimorët. Kanë dhe mangësi në aparencën e tyre në publik. Ata dallohen edhe për nga pasionet, stili i sjelljes, i veshjes, i akrobatikës për të rënë në sy, i intonacionit gjatë të folurit. Nuk është fjala për vuajtjet e shqiptarëve, luftërat që provoi Kosova, patriotizmin tonë etj, etj. Por nëse ndodhesh në një vend të Bashkimit Evropian dhe në ndonjë aeroport ndërkombëtar, në mes turmës së udhëtarëve nga mbarë bota lehtësisht do dallosh shqiptaret e Kosovës, ose ata nga Shqipëria. Dhe kjo është ideja që të përshkruhen veçoritë që fatkeqësisht na dallojnë paksa neve dhe austriakëve ta zëmë. S’është ideja se sa patriotikë jemi ne, por për mentalitetin tonë disi folklorist. Pija freskuese tradicionale e Kosovës qendrore dhe veriut të saj, çaji i zi që quhet “çaj rusi”, e që është i kuq sikurse “gjaku i lepurit”. Pastaj llafet e shumta shqiptarçe, e punë shumë pak. Nëse nuk arrijmë me shpejtësi të krijojmë elementet e mentalitetit të punës, disiplinës dhe organizimit shoqëror sikurse europerëndimorët, vështirë edhe për shume vite se ne do na rezervohet vendi si qytetarë të rangut të Bashkimin Evropian.
Ja disa nga dallimet në mes të një shqiptari dhe një europerëndimori. 1. Shqiptarët e Kosovës mund të krenohen për ruajtjen e konceptit të familjes fisnike e të shëndoshë, nderit familjar, moralit, kontrollit tradicional apo kujdesit të veçantë që të mos degjenerojnë fëmijët (rinia). Fenomen ky që ka filluar të zbehet viteve të fundit për shkak të tranzicionit që po e përjetojmë, dhe rrymave të huaja kulturore që po vijnë si imponim nga perëndimi i Evropës. Por ata kanë dhe anën tjetër të medaljes sepse bëjnë shumë thashetheme për njëri-tjetrin. Ndoshta kjo e fundit është pasojë e papunësisë si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri. 2. Shqiptarët dallohen për individualizmin, duke përdorur “unë”, “unë” dhe vetëm “unë”, dhe jo “ne”. Pra nga prirjet individualiste, derisa europerëndimorët synojnë të jenë të organizuar në shoqëri; 3. Gjuha e trupit shqiptarçe, gjestikulimet në ndenja, qethja e flokëve (mbajtja e flokëve të shkurtra në kokë), derisa europerëndimorët shfaqen thjesht. Akrobatika me gjuhën e trupit për t’u ekspozuar dhe për të rënë në sy para të tjerëve, derisa europerëndimorët shfaqën modest; 4. Pispillosjet e vajzave tona, duke i dhënë rëndësi mbi të gjitha “look”-ut të tyre, takat e gjata të këpucëve solemne që ato mbathin, tak-taket e takave në publik. Apo dhe grimosja e tepërt në fytyrë, dhe tendenca e tyre për t’u veshur gjithnjë me gardërobë solemne e ekstravagante, me pjesët e pambuluara e lakuriqe të trupit, edhe në shëtitje, edhe në kohë të lirë, edhe në vendpune. Derisa një europerëndimore të shumtën e herëve është e veshur thjesht dhe jo shumë e grimosur në fytyrë; 5. Flirtimi i djemve me shikime shigjetuese në vajzat brenda në lokale, duke mos përfillur nëse ajo vajzë është e shoqëruar nga prindi apo familjarët e saj. Ose “dhurimi” në publik i ca fjalëve për vajzën në formë komplimentesh ose dhe për ndonjë grua të martuar duke mos e hetuar statusin e saj martesor; 6. Inferioriteti përballë një të huaji të nacionalitetit tjetër, dhe në disa raste mos respekti ndaj vendorit; 7. Të aktruarit e rolit të “bossit”. Sjelljet eruptive, arroganca dhe fytyrat e mrrolura të meshkujve “machomen”. Vendosja e stolive të arit në duar dhe shprehja machomenëve. Derisa në europerëndimorët shfaqën të qeshur (edhe artificialisht) dhe të këndshëm kudo; 8. Shpeshherë jokultura gjatë drejtimit të automjetit në komunikacion, duke mos i dhënë përparësi askujt dhe as këmbësorëve, derisa në Evropë është e kundërta; 9. Të ndenjurit e kot, mënyra parazitare para televizionit, ndjekja e serialeve filmime latino-amerikane ose turke, derisa europerëndimorët vazhdimisht mbajnë libra xhepi në duar duke lexuar; 10. Lotomania dhe lojërat e fatit që shumë të rinj janë dhënë pas tyre, për të fituar diçka pa u djersitur; 11. Mënyra parazitare dhe përpjekjet e çuditshme për të bërë biznes përmes telefonatave nga celularët duke ndenjur në tavolina kafenesh, derisa në Evropë punohet shumë dhe në mënyrë të organizuar; 12. Kultura e punës, ku shumë punë nuk kryhen brenda zyrave institucionale, por vendimet merren në kafene; 13. Pasaktësia dhe vonesat në takime, ose në punë. Një element anadaollak ky. Gjë që nuk është parim në Evropë; 14. Përtacia për t’i filluar gjërat e mëdha. Më shumë fjalë sesa vepra. Kjo vërehet se viteve të fundit pronarët e tokave në fshatra nuk punojnë as tokat e tyre, duke arsyetuar vetveten në mënyra të ndryshme. Derisa në Evropë puna fillon qysh në mëngjesin e hershëm; 15. Politizimi i skajshëm i rinisë dhe qytetarëve, se janë më këtë parti ose tjetrën, ose e mbështesin këtë politikan ose tjetrin. Konfrontimet dhe ngarkesat politike që ata shfaqin në ndenja; 16. Mendësia individualiste për të bërë biznes, duke shikuar se çfarë tregtie bën fqinji dhe ai ta kopjoj atë. Që së vitet e fundit ka rezultuar me hapjen në çdo kilometër të pikave të karburantit, hapjen e lokaleve të shumta kafenesh ose restoranteve, zinxhir njëri pas tjetrit, dhe mungesa e ideve për biznes. Mungesa e gatishmërisë për t’u organizuar dhe së bashku për të bërë biznes. Ndërsa në Evropë nuk është kështu; 17. Pasioni për makinat Golf që kanë pushtuar rrugët e Kosovës; 18. Konsumimi i shumë makiatove gjatë ditës, derisa në europerëndimorët konsumojnë lëngje. Ndoshta është rezultat i të ardhurave të ulëta financiare mujore; 19. Në menynë e gjellërave në familje një vend të rëndësishëm kanë perimet si: fasulja dhe specat. Në qytete të ushqyerit me Fast Food- në qebaptore, ose shpeshherë konsumimi i mishit të yndyrshëm të qengjit dhe birrave, derisa europerëndimorët konsumojnë gjithnjë e më shumë ushqime me pak yndyrë (vegjetarianë) dhe më pak kalori, 20. Gardëroba (veshja) dhe shëtitjet e kota dhe të paqëllimta nëpër rrugët e qyteteve në Kosovë, derisa një europerëndimor në çdo shëtitje mban një çantë personale me gjësende në shpinë dhe shpeshherë një shishe me ujë të pijshëm. Dhe janë të prirur për të qenë pjesëmarrës në evenimente kulturore, në teatro, kinema; 21. Një mërgimtar shqiptar në Evropë i dhënë pas punës duke respektuar urdhrat e shefit të tij evropian, e jo shumë i interesuar për t’u avancuar me kualifikime, për të ndjekur studimet në ndonjë universitet evropian, derisa për çdo ditë kalon andej kah universiteti;
Ka shumë veçori që e bëjnë të dallojnë një shqiptar nga Kosova nga një europerëndimor dhe e bëjnë atë “të shihet nga aeroplani lartë në ajër” se është një shqiptar. Krekosja e theksuar e unit të tij e bëjnë të ekspozueshëm, të dukshëm dhe të dallueshëm në çdo vend ku ai ndodhet. Shqiptarët ndodhën në një tranzicion të thellë dhe fryma e mendësisë së punës dhe disiplinës europerëndimore gjithnjë e më shumë po përshkon çdo individ a familje në Kosovë dhe Shqipëri. Por duhet vrapuar që t’i zëmë europerëndimorët sepse ata kanë bërë shumë përparime e avancime duke na tejkaluar neve shumë larg.
...