Berisha: Do të aplikojmë për statusin e kandidatit për në BE
/>Me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke kryeministri Berisha priti dje në takim Ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, znj. Marketa Fialkova. Berisha i shprehu ambasadores Fialkova mirënjohjen për mbështetjen, që qeveria e Republikës Çeke si Presidenca e radhës e BE-së po i jep Shqipërisë, duke theksuar se integrimi europian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.
Ai i theksoi gjithashtu Ambasadores Fialkova se, së shpejti, qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryediplomatja Çeke në Tiranë nga ana e saj theksoi se Presidenca Çeke e BE-së do ti kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbeshtesë hapat e mëtejshëm për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më tej, znj. Fialkova i dorëzoi Kryeministrit Berisha programin e punës me përparësitë dhe fushat ku do të fokusohet vëmendja e Presidencës Çeke të BE-së ne muajt ne vijim.