E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama ilustronte me skica revistën e Sigurimit

/>Zbulohen vizatimet e rinisë të kryetarit të PS-së të botuara në revistën në Shërbim të Popullit, në një tregim me diversantë
Dalin në dritë vizatimet e Edi Ramës të botuara në Revistën "Në shërbim të Popullit", që ishte organ i Sigurimit të Shtetit. Publikimet u komentuan dje edhe nga zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani. Edi Rama, tha ai, fiton që sot e tutje edhe një mbiemër të ri, lustraxhiu i sigurimit të shtetit. "Sot shtypi i përditshëm boton dokumente autentike të cilat faktojnë Edi Ramën si lustraxhiun e Sigurimit të Shtetit. Skicat dhe zhgaravinat e tij të botuara sot, te periudhës së rinisë së tij, nuk janë marrë nga gazeta e kontrolluar e Lidhjes së Shkrimtarëve, por nga revista e Sigurimit të Shtetit"-deklaroi Bogdani i cili ekspozoi një nga vizatimet e asaj kohe të Ramës. Sipas tij, Edi Rama ilustron në këtë revistë me skicat e tij, luftën kundër diversantëve, kundër imperializmit amerikan dhe armikut të klasës.
"Ky është një dokument që fakton lidhjet e Edi Ramës me Sigurimin e Shtetit në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij ekzekutoheshin nga arma e Sigurimit, pasi guxonin të përmendnin fjalët dhe të drejtat e njeriut"-deklaroi Bogdani. Partia Demokratike thekson se ky është njëri prej dokumenteve të shumtë që fakton lidhjet e z. Rama me sigurimin.
"Te tjerat do të bëhen të njohura në ditët në vazhdim, derisa z. Rama për shkak edhe të ligjit të dosjeve dhe lidhjeve të tij me sigurimin të ndahet një herë e mirë me politikën shqiptare"-bëri presion Bogdani duke përsëritur lidhjet e Ramës me byroistët komunistë.

Akuzat e selis së PD
Sulmet personale ndaj Ramës selia e PD i ka nisur menjëherë pas marrjes së pandehur të ministrit Basha. PD e ka mbrojtur ministrin Basha nga sulmet e Partisë Socialiste që kërkon dorëheqjen e tij, ndërsa ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryetarit të opozitës. Zëdhënësi i PD-së Gertoi Bogdani është shprehur në atë kohë se kryetari i Partisë Socialiste dhe prokurori i përgjithshëm Rama, kanë ndërmarrë një sulm të egër kundër gjyqtarëve dhe gjykatave të vendit, duke mos respektuar institucionet e pavarura dhe shtetin ligjor, për faktin e vetëm se nuk bëhen pjesë e lojërave të tyre politike.
"Z. Rama, kryehetuesi politik i vendit, sulmoi gjykatat, vendimet e tyre, kancelarët, shortin elektronik dhe gjykatësit vetëm e vetëm se ata, të pakapur nga krimi, zbatojnë me korrektesë ligjin dhe shtetin ligjor të vendit"- deklaroi Bogdani. Në vazhdim të deklaratës, ai tha se Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryehetues politik i vendit, mund të manipulojë dhe të shndërrojë në një instrument të tij, ndonjë element të kapur nga krimi në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk mund të mposhtë ligjin dhe shtetin ligjor të këtij vendi. Disa ditë më vonë Berisha, i cili çoi me urgjencë ligjin e dosjeve në Kuvend, sulmoi me emër prokurorin Zamir Shtylla, për shkak se ai drejton hetimet për Gërdecin.
Ndërkaq Partia Demokratike i  kërkon z. Rama, "pasardhës i familjeve të byrosë politike, njeriut me lidhje te ngushta me sigurimin famëkeq të shtetit, të heqë dorë nga roli i shëmtuar i kryehetuesit, se ai dhe instrumentet e tij, nuk do të mund të fshehin me asgjë lidhjet e tyre me krimin".

*************************
PD: Rama i inkriminuar
"Edi Rama, i njohur ndryshe si Mr. 15% apo Mr. 2-kateshi, siç e quajnë rëndomë në kryeqytet, kryebashkiaku që me 22 dokumentet që duhen për lejen e ndërtimit në Tiranë, ka renditur veten dhe kryeqytetin në pozicionin e 176 në botë, apo më saktë në 5 kryeqytetet më të korruptuara të botës për lejet e ndërtimit",-kështu e ka nisur sulmin Gerti Bogdani, zëdhënës i PD-së, në një nga daljet e tij të posaçme për kryebashkiakun Rama.
"Rama harron që është njeriu që pastroi paratë e Hakmarrjes për Drejtësi me lejet e e ndërtimit, politikani i vetëm që në dosjen e tij në prokurori ka kilometra të tëra telefonatash me serial killer, përfshirë dhe afera intime. Njeriu që i del emri në proceset hetimore të bandave shqiptare në Itali dhe vende të tjera, merr këto kohë rolin e kryehetuesit politik duke besuar dhe shpresuar se do të mund të fshehë lidhjet e tij të krimit"- ka thënë Bogdani.
Sot serish,vazhdoi Bogdani,- armiqësia e tij ndaj korridorit të shqiptarëve, lidhet me faktin se ajo shënon fundin e karrierës së tij politike. Rruga të cilën ai e sulmon çdo ditë, ka kushtuar 2 herë më pak se sa ka vjedhur z. Rama dhe qeveritë socialiste në një vit, sipas raporteve të Bankës Botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›