E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të caktojmë fondin për shpronësimet për Unazën e Madhe

Qeveria premton se do të japë fondet për shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë. Kryeministri Berisha e bëri të ditur qëndrimin e tij në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, duke theksuar se qeveria do t‘i ofrojë Bashkisë së Tiranës fondet për këtë proces. "Do t‘i ofrojmë fondet bashkisë për shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe në rast se bashkia dështon në sigurimin e kredisë, për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale, qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e saj", u shpreh Kryeministri. Shefi i qeverisë e cilësoi ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës si një domosdoshmëri për qytetin, duke premtuar se bashkisë do t‘i ofrohet mundësia për shpronësimin. "Shanset e bashkisë për t‘u bërë e zgjedhshme për kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse informohem se ka një departament për mbledhjen e taksave prej 300 punonjësish, aq sa edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri", u shpreh Kryeministri. Megjithëse dihet tashmë që kreu i qeverisë nuk është aspak miqësor me shifrat, ai u mundua të bëjë një llogaritje të thjeshtë, duke thënë se "në bazë të kësaj performance, llogaritet që bashkia të mund ta shlyejë një kredi minimalisht në 125 vjet. Nuk ka institucion bankar dhe institucion financiar që të mund të ofrojë kredi me një afat mbi njëshekullor. Ndonëse ne e bëmë ligjin e kredimarrjes së pushtetit vendor, shanset për t‘iu akorduar kredia direkt janë të pashpresa. Megjithatë, konform premtimit të dhënë për shpronësimin, duhet të bëjmë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit". Kryeministri sqaroi se Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër detyrimin sa më të shpejtë për këtë dhe fillimin e punës. Duke e konsideruar Unazën e Madhe të Tiranës shumë të rëndësishëm për kryeqytetin, Kryeministri theksoi se projekti për ndërtimin e saj, me vlerë rreth 300 milionë euro, nuk mund të shtyhet më. "Ligji u kalua dhe nuk ka asnjë vështirësi tjetër përveç mirëfunksionimit fiskal të bashkisë, e cila nuk ka një performacë të tillë fiskale", tha ai. Sipas Berishës, "bashkia, në rast se do të përdorte praktikat e vjetra të shitjes së të dhjetave, të taksave, absolutisht do të mblidhte më shumë". Nga ana tjetër, Berisha shtoi se "kryetari i bashkisë ka maninë t‘i shtojë taksat. Sidoqoftë Unaza e Madhe është jashtëzakonisht e ngutshme. Do të zhvilloni negociatat me bashkinë dhe në qoftë se ajo i del për zot dhe e ka financimin, ne jemi angazhuar ta marrim përsipër shpronësimin, në të kundërt, nëse nuk e ka financimin, unaza do të ndërtohet me buxhetin e qeverisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›