Rama mbledh sekretarët dhe Kryesinë e grupit
Socialistët i japin fund pushimeve të fundvitit dhe rifillojnë punën. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, mblodhi dje në orët e pasdites në takim sekretariatin dhe kryesinë e grupit parlamentar. Burimet nga partia më e madhe opozitare sqaruan se thelbi i diskutimeve kishte të bënte me axhendën politike të gjashtë muajve të mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Jo pak vëmendje i është kushtuar organizimit të strukturave të partisë në qendër dhe në rrethe me synim mbarëvajtjen e fushatës. Socialistët kanë analizuar me detaje ecurinë e deritanishme të ngritjes së shtabeve elektorale në nivel qendrash votimi në të gjitha qarqet. Po ashtu kanë shpërndarë detyrat për mbarëvajtjen e këtij procesi në muajt në vijim. Një prej drejtimeve kryesore natyrshëm është monitorimi i qeverisë në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kjo sa i takon lëshimit të kartave të identitetit, hartimit të listave të zgjedhësve dhe transparencës në këto procese. Socialistët duhet të zgjedhin shumë shpejt edhe propozimet e tyre për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Emra që do t‘i paraqiten Parlamentit për t‘u votuar në një seancë të posaçme. Brenda pak kohësh, do të duhet të përfundojë edhe procedura e zëvendësimit të anëtarëve aktualë të KQZ-së dhe ulja e numrit të tyre. Drejtim i rëndësishëm në punën e socialistëve është përthithja e mendimit popullor lidhur me nivelin e mbështetjes së partisë në prag të zgjedhjeve. Në fillim të muajit maj, socialistët do të bëjnë publike listën me 140 kandidaturat për deputetë, oferta për në zgjedhjet e vitit 2009. Vitin e shkuar, socialistët mbyllën kapitullin e rëndësishëm të reformës zgjedhore në bashkëpunim me mazhorancën. Produkt i saj ishte ndryshimi i Kushtetutës dhe ligji i ri zgjedhor. Paralelisht me të, u krye edhe miratimi i ligjit për prokurorinë në vijim të asaj çka u cilësua reformë në sistemin e drejtësisë.